Psikofakt

December 25, 2020 | 15:44

Krishtlindja: Qeniet njerëzore festojnë por nuk kuptojnë!

“Homo sapiens” njihemi ne, qeniet njerëzore, që në latinisht do të thotë “të mençurit”.  Por, teksa mençurinë tonë e kemi vënë në zbatim prej 6 mijë vitesh për të shpikur, krijuar, ndërtuar, etj, nga ana tjetër njerëzit nuk kanë lënë gurë e statujë pa puthur me shpresën për të sjellë fat; kanë varur hudhra e patkoj në shtëpi për mbarësi; kanë varur simbole në qafë e rreth dorës për t’u shenjtëruar; kanë hyrë me këmbën e djathtë në shtëpinë e re, zyrën e re, në klasë gjatë provimeve, e plot marrëzira të tjera irracionale ndonëse ne e mbajmë veten si racionalë. Dhe gjatë shekullit të fundit, edhe pse më moderni i të gjithë epokave, kemi humbur aftësinë për të kuptuar domethënien e vërtetë të Krishtlindjes.

Dr. Bledar Kurti

Dr. Bledar Kurti

1 trilionë dollarë është industria e Krishtlindjes çdo vit në SHBA. Imagjinoni dhjetëfishin e kësaj shume që shpenzohet në mbarë botën. Njerëzit marrin hua, kredi në banka, shpenzojnë pa limit, blejnë dhurata e shtrojnë gosti për këtë festë ndërkohë që foshnja e Krishtlindjes, arsyeja e kësaj feste, lindi në një grazhdë, sepse në han nuk kishte vend për të.

Ndërkohë që në këtë ditë të pasurit bëhen edhe më të pasur pasi bizneset e mëdha arrin fitime marramendëse, e si për të shpëlarë ndërgjegjen bëjnë ndonjë gjest bamirësie, Krishti,  pra arsyeja e kësaj feste, nuk u ul kurrë me pasanikët. Madje një pasanik që iu afrua për ta ndjekur Krishti i tha të hiqte dorë nga e gjithë pasuria e tij. Sigurisht që pasaniku nuk e bëri.

E teksa në këtë festë njerëzit vetëushqehen me bindjen se bamirësia të shpëton shpirtin, vetë autori i Krishtlindjes tha se bamirësia nuk të çon në Parajsë përkundrazi Perëndia as ta njeh gjestin tënd human nëse nuk ke besim. Sepse nuk ka të bëjë me paranë apo dhuratën që jep. Ka të bëjë me zemrën.

3Për Krishtlindje tregtia lulëzon si kurrëherë ndërsa vetë Krishti i shkelmoi tezgat e tregtarëve në tempull pasi kishin përdhosur emrin e Atit të Tij.

E teksa njerëzit e rëndësishëm të botës postojnë foto dhe urime pranë bredhit të mbushur me dhurata, oxhakut me zjarr, e shtëpive luksoze, lajmi i lindjes së Krishtit iu dha nga një engjëll barinjve, kategoria më e varfër, më e parëndësishme në shoqësinë e kohës, aq e parëndësishme sa që as në gjyqe nuk pranohej dëshmia e tyre.

Jezus, në hebraisht Yeshua, do të thotë shpëtimtar, dhe ky është mesazhi i vërtetë i Krishtlindjes: shpëtimi i zemrës së njeriut.

Nuk është një ditë për t’u dehur por për t’u kthjelluar. Për të kuptuar.

Lindja, jeta e pamëkatë, vdekja dhe ringjallja e Krishtit është historia e vërtetë e Krishtlindjes.

Është historia më e madhe e dashurisë e të gjithë kohëve. As Romeo dhe Zhulieta nuk ka të krahasuar. Historia e dashurisë e Hyjit që përuli veten duke u bërë njeri për t’u sakrifikuar për dhe nga duart e njerëzve.  Është mesazh për zemrën e njeriut. Për të besuar dhe për të dashur siç deshi Ai.

Nuk është për të të uruar të bëhesh i pasur, për të patur një punë më të mirë, për të të dalë lotaria amerikane, apo për të marrë një vilë apo shtëpi të re, por për të patur një zemër të re. Një zemër të transformuar. Një zemër si foshnja që lindi në këtë ditë i cili nuk mori asgjë por vetëm dha. Dha e dha pa kursim madje edhe jetën e Tij. Kjo ishte dhurata më e madhe për njerëzimin. Dhuratë që mjafton për të gjithë jetën, pa patur nevojë për asnjë dhuratë tjetër me vlera njerëzore.

Nëse njerëzimi arrin ta kuptojë këtë atëherë arrin të kuptojë Krishtlindjen, mesazhin e saj të shpëtimit dhe shpresës, në të kundërt e nesërmja do jetë njësoj si e djeshmja. E humbur dhe e pashpresë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top