FB

October 12, 2026 | 13:00

Kur ilaçi nuk e zëvendëson terapinë, por e bën të mundur/ Kur ilaçi nuk e shëron historinë, por ul zhurmën!

 

Kur një person ka nevojë për ilaçe? Jo çdo person që përjeton vështirësi të shëndetit mendor ka nevojë për ilaçe. Por, në të njëjtën kohë, jo gjithmonë mjafton t’i thuash: “Zgjidhe në terapi”.

alda-bircaj-okokokKa raste kur dhimbja psikologjike, edhe pse e fortë, mbetet e menaxhueshme. Personi mund të jetë i frikësuar, i trishtuar, të ketë ankth, obsesione ose vështirësi në marrëdhënie, por ende arrin të punojë, të flejë, të kujdeset për veten, të mendojë qartë dhe të marrë pjesë në mënyrë kuptimplote në psikoterapi.

Por ka edhe raste kur simptomat bëhen aq intensive sa personi mezi arrin të funksionojë dhe psikoterapia vështirë se mund të fillojë të japë efekt. Kur dikush nuk fle për ditë të tëra, sulmet e panikut e mbajnë të mbyllur në shtëpi, depresioni e paralizon, obsesionet dhe kompulsionet i marrin orë të tëra të ditës ose nuk arrin të punojë, të hajë, të përqendrohet apo të kujdeset për nevojat bazë, atëherë pyetja bëhet: A duhet të ulim intensitetin e simptomave, në mënyrë që personi të mund të fillojë të punojë me veten? Në këto raste, ilaçet mund të jenë pjesë e trajtimit.

Qëllimi nuk është të mpijë njeriun emocionalisht dhe as të zëvendësojë psikoterapinë. Ndonjëherë roli i tyre është më i thjeshtë…, të ulin përkohësisht intensitetin e simptomave, në mënyrë që personi të mund të flejë, të mendojë, të ngrihet nga shtrati, të dalë nga shtëpia, të përqendrohet dhe të përfitojë nga psikoterapia.

Një person që po mbytet nuk ka nevojë, në atë moment, për një leksion mbi teknikën e notit. Së pari, duhet të marrë pak ajër. Por kjo nuk do të thotë se çdo emocion i fortë kërkon ilaçe. Zia pas një humbjeje, dhimbja e një ndarjeje, vetmia, faji apo ankthi përballë një ndryshimi të vështirë janë pjesë e përvojës njerëzore dhe shpesh kanë nevojë për kohë, hapësirë, kuptim dhe përpunim psikologjik.

grua-e-menduar

Kriteri nuk është thjesht:”Ndihem keq”. Duhet parë intensiteti, kohëzgjatja, ndikimi në funksionimin e përditshëm, rreziku dhe aftësia e personit për të marrë pjesë në trajtimin e vet. Ka edhe situata që kërkojnë vlerësim psikiatrik më të menjëhershëm, veçanërisht kur shfaqen mendime vetëvrasëse, rrezik për veten ose të tjerët, simptoma psikotike, episode maniake, depresion i rëndë ose çorganizim që e pengon personin të kujdeset për veten. Prandaj, nuk ka kuptim të flasim në mënyrë absolute për “pro” ose “kundër” ilaçeve. Nevojitet vlerësim klinik individual.

Psikologu nuk përshkruan ilaçe dhe nuk vendos i vetëm për trajtimin farmakologjik. Por ai mund të vlerësojë kur simptomat kërkojnë një konsultë psikiatrike dhe të bashkëpunojë me psikiatrin. Të dy profesionistët kanë role të ndryshme, por plotësuese. Nuk është dështim i psikoterapisë kur dikush ka nevojë për ilaçe. As nuk është dështim i ilaçeve kur dikush ka nevojë për psikoterapi. Për disa njerëz, ilaçi nuk e zgjidh historinë e tyre. Ai thjesht ul zhurmën për një kohë, në mënyrë që të mund të dëgjojnë më qartë se çfarë po ndodh brenda tyre. Dhe pikërisht aty fillon puna e vërtetë…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top