FB

August 2, 2022 | 8:30

Marrëdhënia që kemi me veten, të keqen mos ta kthejmë me të keq dhe besimit ndaj të tjerëve t’i tregojmë kujdes

“Shikoji problemet si disa mrekulli të vogla që të mund të nxisin njohjen dhe ndryshimin.”

Nga Doruntina Grulaj, psikologe

doruntina

Dashuria ndaj vetes dhe marrëdhënia që kemi me të formon përvojat tona të përditshme. Nëse nuk e pranojmë veten ashtu siç jemi, se jemi të mjaftueshëm me veten, ne jemi të detyruar të kemi një jetë me vuajtje. Andaj duhet të bëheni një mik/e më e mirë e vetes. Duhet të qëndroni shpesh në brendësinë e guackës tuaj që të reflektoni nga jashtë.

Fillimisht për të jetuar mirë me veten është të mos i idealizosh të tjerët, sepse ata nuk mund të jetojnë më gjatë se parashikimet e tua, dhe se nëse marrëdhëniet përfundojnë nuk duhet assesi të përfundojë edhe jeta e jote. As mos u mundo t’i marrësh përsipër problemet e të tjerëve sepse do i bësh dyfish të vështira për t’i zgjidhur, prandaj themi shiko punën tënde. Njeriu duhet të jetë protektiv dhe plot konfidencë, ta ruajë shpinën gjithmonë nga të panjohurit e sidomos nga ata të njohurit, të keqen me të keq mos ta kthejmë, të jemi aty ku duam ne të jemi, jo të qëndrojmë se duhet me të tjerët, të qeshim nga lumturia me zgjedhjet që kemi bërë sepse ato na rrisin në të gjitha aspektet njerëzore. Shpesh ndodh që të përqafosh vetminë është shumë më mirë se të shtiresh në praninë e të tjerëve. Në mesin e njerëzve të ndihesh bosh brenda vetes nuk duhet ta lejoni një gjë të tillë, është e dëmshme për shëndetin tuaj, rrini larg nga njerëzit toksik, ose nëse ndiheni se jeni ju problemi, merruni urgjentisht me veten tuaj!

erriko-boccia-tejzkxu0wse-unsplash

Në kohën që po jetojmë të jesh njeri diellor, i dashur, i respektueshëm, dashamirës, jo ziliqar, altruist, empatik me të tjerët dhe të kesh pozitivitet është plotësisht diçka tejet e bukur dhe e mirë për personalitetin që ke. Të kalosh veten në pozitën e tjetrit në situatat me të cilat përballet, është ndërgjegjja që përfshin të qenit i vetëdijshëm dhe i hapur ndaj dhimbjes së dikujt dhe duke vuajtur në moment me të sepse dhimbja është diçka e pashmangshme e të qenit njerëzor.

A ia vlen të na dhimbsen të gjithë ?

Duke qenë se shumë prej njerëzve nuk din të qasen në raport me të tjerët ata mirësjelljen ta marrin për flirt, respektin për dobësi. Vjen një moment kur ndjen dhembshuri të ashpër për veten, dhe mirëdashja ndaj vetvetes të bën të kuptosh se njerëzimi nuk ta kthen të mirën edhe pse nuk e kërkon nga ta, sepse thonë “të mirën bëje e gjuaje në det, nëse nuk ta di peshku e di Zoti vetë”. Fundja nëse marrëdhëniet tona nuk funksionojnë, nuk do të thotë që jemi të paaftë, ose të ligj, përkundrazi i janë përgjigjur keq mirëbesimit tonë. Sepse një raport apo lidhje është pozitive kur i ndihmon mendjes, trupit dhe shpirtit. Ne nuk jemi për të qëndruar me të gjithë, dhe të gjithë të qëndrojnë me ne, as nuk duhet t’u pëlqejmë të gjithëve, e as të na pëlqejnë. Pikërisht, disa njerëz me kalimin e kohës vërtet fillojnë të bezdisin, sepse ata nuk ndihen mirë me veten e tyre, pastaj fillojnë të konsumojnë energjinë tënde dhe duket sikur kanë filluar të ngulfatin. Por, të paktën a mund të arrijmë për të mos bërë keq?

Kërkoj falje që u solla mirë me ju!

Prandaj, do doja t’ju kërkoja falje të gjithë njerëzve që i kam njohur deri më sot. Po, dua t’u kërkoj shumë ndjesë për të mirat që ju kam bërë, e di se edhe ju vetë e dini se nuk e keni merituar. E kam kuptuar se në jetën time keni qenë të dëmshëm po aq sa cigarja, distanca ishte e domosdoshme, krejt e heshtur e pa fjalë. Me buzëqeshje në fytyrë ditë e për ditë eliminoja njerëzit toksikë nga jeta ime. Vendosa t’ju lë të shkoni, as me u marr më kurrë me ju, sepse mosmirënjohësit janë njerëzit më të poshtër mbi këtë tokë, ata vetëm egon e tyre e shohin, janë manipulatorë me situatat, atyre që i ke ndihmuar sa herë e kanë pas ndonjë krizë, çfarëdo qoftë ajo të kanë kontaktuar, janë shfaqur vetëm kur kanë pas interes, pastaj e kanë marrë si për të mirëqenë se duhet t’i ndihmosh se nuk bënë, e prapë shpirtin t’ua japësh nuk ngopen.

Dua t’ju kërkoj falje edhe juve që ju kam bekim në jetë e ju numëroj në gishta të dorës. Pa menduar, jap jetën edhe frymën e fundit për ju. Ndonjëherë mund t’ju bëj mos të ndiheni mirë, e bëj krejt pa dashje dhe mbase ka kohë unë kam krijuar mure rreth vetes dhe rrallë lejoj të depërtojë dikush. E mira është se disa njerëz janë thjeshtë sikur dashuria jep dhe kurrë nuk e vret mendjen se a ta kthejnë apo në çfarë doze, sepse ti thjesht i do për atë që janë, dhe sa herë mundesh u qëndron pranë. Këta nuk janë jashtë pritshmërive të mia sepse si fëmijë kam mësuar që nga njerëzit mos të pres asgjë.

Pse unë nuk kam nevojë për asnjeri?

Pse nuk i adresohem askujt kur kam halle, mbyllem e vetme, luftoj me veten, konsultohem me veten time, i kërkoj llogari vetes, e kritikoj veten, shumë momente i them të lumtë ia dole edhe kësaj radhe, e prapë i bëj kërkesa vetes, shumë gjëra ke për të përfunduar, mos u dorëzo, askush nuk të dha asgjë, do i realizosh që të gjitha DURO! Ti do drejtësi edhe e di ende shumë do sakrifikosh, po shumë, do qash, do ngrihesh, do buzëqeshësh, do e marrësh notën maksimale si studente e zellshme e jetës. Pastaj them, vallë a nuk ndihmova të tjerët, a nuk ishin shoqëria, familjarët, ata që thërrsnin emrin tim, derisa unë kisha shumë gjëra brenda vetes, sillesha sikur isha më e lumtura dhe mbaja mbi supet e mia hallet e tyre. Po, po, ju disa të dashur njerëz ikni sa më lë larg prej jetës time.

Dikur më vinte keq t’u thoja jo pa ju treguar arsyen, më vinte keq të mos u jepja kohën time kur kishit nevojë, tani më shumë se kurrë një gjë e kam kuptuar. Duke ju bërë mirë, ju më keni bërë keq, e unë të keqen me të keq s’e kthej, më mirë rri pa ju me ndërgjegje të pastër dhe në marrëdhënie të mirë me veten.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top