Psikofakt

September 20, 2016 | 7:39

“Martesa e hapur”: dëshirë a realitet?

Diku, në librin e tij “Les essais” (Sprovat), Montenji, filozof francez i shekullit XVI, shkruan se “Pour s’éprendre, il faut se déprendre” (për t’u dashuruar, duhet të çdashurohesh) dhe për t’ia arritur kësaj, ai u këshillonte të dashuruarve, me gjasë edhe të martuarve, që të udhëtonin veçmas, pra, të largoheshin nga njëri-tjetri, në mënyrë që t’i merrte malli për të qenë sërish bashkë. Kjo këshillë e Montenjit më erdhi menjëherë ndër mend kur mësova se ç’kuptim paska sot – në botën e emancipuar, sigurisht – shprehja “martesë e hapur”. Kjo lloj martese qenka tipike për ato çifte, pjesëtarët e të cilëve, pavarësisht se janë të lidhur e të bashkuar para ligjit (në bashki, kishë apo xhami), shkojnë, ndër të tjera, veç e veç për pushime, me një partner/e tjetër dhe me dijeninë – ndoshta pak a shumë të heshtur, të bashkëshortit/es.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Unë nuk e di nëse Montenji mund të konsiderohet si i pari filozof që ka hedhur idenë e “martesës së hapur” në kuptimin modern që sapo përmenda, por një gjë është e sigurt: çdo martesë, me kalimin e kohës, rrezikon të bjerë pre e rutinës dhe tundimet “qendërikëse” bëhen përherë e më të pranishme në shumicën e çifteve. Kohët e fundit mendohet se “martesa e hapur” ka nisur të zbatohet edhe në Shqipërinë e sotme (me gjasë vetëm në Tiranë dhe, sigurisht, me përmasa fort modeste dhe në mënyrë sporadike). Sidoqoftë, më duhet të nënvizoj se kemi të bëjmë me një pohim subjektiv, ngaqë ende, me sa jam i informuar, nuk ka anketa e statistika në këtë drejtim. Ky mendim më duket më shumë – të paktën duke pasur parasysh kontekstin shoqëror, doket e zakonet tona, si dhe trashëgiminë historike në këtë lëmë (ndikimin e feve, edukatën moraliste apo moralizuese, praktikat ende patriarkale jo vetëm nëpër fshatra) – si një dëshirë e ndrojtur e disave për ta paraqitur Shqipërinë si një vend modern edhe për sa u përket marrëdhënieve në gjirin e çiftit. Kësaj “tendence” të hamendësuar apo në rastin më të mirë, thuajse embrionale (për të mos thënë të munguar), do t’i duhen disa dekada që të afirmohet, ashtu siç iu desh bashkëjetesës për t’u bërë realitet paralelisht me martesën (ndonëse, tani për tani, vetëm në qytetet më të mëdha të vendit tonë). Mbase pranimi nga opinioni shoqëror i “martesës së hapur” do të jetë po aq i vështirë e problematik për t’u afirmuar sa edhe vetë martesa homoseksuale ose birësimi i fëmijëve nga çiftet homoseksuale. Gjithsesi, meqë siç thonë francezët, “nul n’est prophète en son pays” (askush nuk është profet në vendin e vet), “martesa e hapur” mund të kthehet një ditë në diçka të pranueshme nga një pjesë jo e vogël e opinionit shoqëror. Kjo varet me siguri nga evoluimi i mendësive, çka do të kërkojë kohë, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet që sot konsiderohen si nga më të emancipuarat lidhur edhe me marrëdhëniet intime në gjirin e çiftit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top