FB

February 20, 2021 | 8:18

Mençuria dhe dinjiteti në kohën e një lufte të padukshme

 

Askush nuk e mendoi që pranvera këtë vit do vinte e trishtuar. Askush nuk e mendoi që rrugët e qyteteve do ishin të shkreta. Njerëzit do donin të preknin lulet, por duart nuk arrijnë dot deri atje. Këtë vit mbarë humaniteti ndjeu nga afër pasojat e një pandemie që kufizoi lirinë, dhe i bëri njerëzit të mendojnë sa e shtrenjtë është liria, dhe sa e bukur është jeta.

Nga Aurora Çeliku Minga

Pandemia e shkaktuar nga një virus i quajtur COVID19 , pasi u transmetua tek njerëzit në dhjetor të vitit 2019, ka prekur jetën e përditshme të gjithsecilit, duke shkaktuar vdekjen e mijëra personave, dhe infektimin e mijëra të tjerëve. Deri tashmë numri i njerëzve të infektuar në shkallë globale është 1.970,879 në gjithë globin dhe vdekja ka gllabëruar 100.000 të tjerë. Shumica e shteteve po bashkëpunojnë për të kaluar këtë situatë sa më parë të jetë e mundur. Qeveritë dhe njerëzit që janë në krye të tyre, po mundohen të përdorin të gjitha metodat dhe fuqinë mendore për të hedhur pas shpine këtë situatë dhe për të qenë të gjithë bashkë sërish.

Duke qenë se të gjitha shtetet u janë nënshtruar rregullave të Organizatës Botërore të Shëndetit, çdo qytetari i bie mbi supe një ngarkesë e madhe psikologjike e shpirtërore. Mençuria dhe qetësia janë vetitë që çdo njeri duhet të karakterizohet në këto momente të vështira. Sigurisht që të mbyllesh me javë brenda një apartamenti nuk është e lehtë, por çdokush duhet të mendojë arsyen pse kjo po ndodh. Çdokush duhet të mendojë që në këtë moment kaq delikat, ashtu siç ekspertët thonë, nuk shpëtojmë veç veten, por edhe të tjerët.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetit për degën europiane, në 26 mars tha: “Izolimi, distanca fizike, mbyllja e shkollave dhe e vendeve të punës është një vështirësi që do të na infektojë të gjithëve ne, dhe është e natyrshme që do ndjejmë stres, ankth, frikë dhe vetmi”. Ekspertët deklarojnë sa më gjatë njerëzit të rrinë brenda, rastet e shqetësimeve mendore do të jenë më të shpeshta. Ndaj mbështetja psikologjike dhe shpirtërore është shumë e domosdoshme. Njerëzit vetë duhet t’i afrojnë “terapi” njëri-tjetrit. Bisedat me familjarët, miqtë e shokët nëpërmjet video-telefonatave, mund të konsiderohet si thyerje e rutinës së përditshme. Mesazhet me njëri-tjetrin, ndarja e shqetësimit dhe frikës, frymëzimi nga njerëz të tjerë që janë optimistë, të gjitha këto janë mjete për t ’i shpëtuar shqetësimeve mendore.

Librat, ndofta të harruar nga celularët e kompjuterat, mbase ndihmojnë për të harruar sadopak momentin që po jetojmë. Le të mendojmë që ka njerëz të tjerë që akoma vazhdojnë punojnë, duke vënë jetën në rrezik. Le të mendojmë për doktorë dhe infermierët, sanitaret dhe shoferët e ambulancave, ndërkohë që shumë nga ne janë në shtëpi. Le të vlerësojmë që jemi me familjarët tanë, duke shpenzuar kohë me ta kur më parë rutina e jetës na kish zaptuar.

Në këtë pranverë, të gjithë jemi para një vështirësie dhe fenomeni si kurrë më parë. Por shpresa për t’u kthyer në normalitet duhet të na motivojë çdo ditë për të inkurajuar veten dhe njerëzit që na rrethojnë. Asnjë nuk është vetëm. Ne jemi të gjithë kapur për dore duke luftuar armikun e padukshëm. Pranvera të tjera do vijnë dhe njerëzit nuk do kenë më maska…

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 155

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top