Mundet të ndodhë që gjatë fëmijërisë këto fjalë të citohen si një formë kapriçoje për një dëshirë të paplotësuar, apo edhe për t’i vënë të rriturit në një pozitë të vështirë shantazhuese. Por gjatë rritjes, vëmë re se këto fjalë mund të kthehen më pas në mendime që mund të na shoqërojnë për një periudhë të gjatë kohore.
Mendimi “Unë dua të vdes” ndodhë atëherë kur individët kanë aq shumë dhimbje psikologjike sa nuk mund ta durojnë më atë.
Kjo mund të vij si pasojë e faktorëve ekonomikë, dhimbjeve të ndryshme fizike, të mos të ndjerit i lumtur, vetëbesim dhe vlerësim i ulët që ndjejmë herë pas here për veten. Kjo dhimbje shoqërohet dhe me mendimet në të qenit i paaftë, barrë për të tjerët ose të qenit një individ i parealizuar dhe bosh.
Kombinimi i këtyre zërave të brendshëm kritikë dhe dhimbjes emocionale që ndjejnë, mund t’i bëjë këta persona të besojnë që nuk duhet të jenë më në jetë, dhe njerëzit në jetën e tyre do ishin më mirë nëse ata do rreshtin së ekzistuari.
Duhet të mos harrojmë që, të jetuarit është bekim si për ne që na është dhënë kjo mundësi, po aq dhe për njerëzit tanë të afërm.
Edhe pse mund të ndjejmë jashtëzakonisht dhimbje dhe mos të shohim kurrkund ngjyra, është e rëndësishme të mos veprojmë impulsivisht për shkak të mendimeve vetëshkatërruese, të cilat nëse fillojmë të punojmë në zbehjen e tyre nuk do të zgjasin përgjithmonë.
♦Filloni të kërkoni ndihmë tek familjarët tuaj, flisni me ata rreth shqetësimeve tuaja dhe mos kini turp nga gjykimet apo të menduarit që ata nuk do ju mirëpresin.
♦Bisedoni me një mik, edhe pse mund të ndjeheni nervozë apo të frikësuar, për të treguar se keni mendime vetëvrasjeje. Sidoqoftë, ndarja e këtyre ndjenjave me dikë që i besoni, është një ndër hapat për t’u ndjerë mirë.
♦Kërkoni ndihmë te mjeku juaj familjar, ai do dijë t’ju drejtojë ndaj një profesionisti të shëndetit mendor, siç mund të jetë një psikolog, ku terapia është mjaft e dobishme në rastin tuaj.
♦Jini vigjilent ndaj dietës ushqimore, duke shmangur ushqimet e dëmshme. Një dietë e pasur me vitamina do të rriste vitalitetin, duke u ndjerë më energjik dhe më pozitiv.
♦Rregulloni gjumin. Mungesa e gjumit kontribuon në depresion dhe në rritjen e mendimeve negative, duke na bërë më pak produktivë dhe duke u ndjerë vazhdimisht të lodhur.
♦Ushtrohuni fizikisht. Duke ndjekur një aktivitet stërvitor, do ju ndihmonte për të çliruar energjitë negative dhe do përmirësonte ritualin e ditëve tuaja.
♦Ngjisni pusulla në ambientet e shtëpisë tuaj, duke shkruar në to cilësitë që ju mbartni, arritjet tuaja ndër vite dhe emrat e njerëzve të dashur. Duke ju rikujtuar arsyet pse duhet të jeni të lumtur.
♦Shfletoni albumet e fotografive apo video që ju ndodhen, që risjellin ndërmend ditët e mbushura plot gëzim dhe hare të jetës suaj.
♦Kujdesuni dhe jepini dashuri vetes ashtu siç do trajtonit dikë që është në nevojë, apo siç do u përgjigjeshit të dashurve tuaj.
♦Faleni veten, dhe falenderojeni në çdo moment që nuk u dorëzuat, dhe që tashmë do bëni të pamundurën për të qenë sërish të lumtur.
♦Zbuloni pasionet tuaja, përqendrohuni në ato ç’ka ju sjellin qetësi, rrisin dëshirat dhe ndezin “motorin” e ëndrrave tuaja.
♦Zgjohuni dhe shtrihuni për të fjetur duke u mbushur me frymëmarrje të thella dhe përsërisni mendimet;
“Unë dua… duhet dhe të meritojë të jetojë”!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.