Në fokus

January 9, 2021 | 8:04

Merita Prenga: “Vëllazërimi”, shkolla e dijes dhe e natyrës

Ku ka vullnet, pasion dhe dashuri për punën, suksesi është i padiskutueshëm. Padyshim që një person i vetëm nuk mund ta arrijë këtë, por në skuadër, qëllimet bëhen reale dhe të prekshme. Kjo është sentenca që karakterizon shkollën 9-vjeçare “Vëllazërimi”, pjesë e Zyrës Vendore në Kamëz.

Merita Prenga, drejtore e shkollës pohon se investimi që në fillesa i këtij institucioni arsimor 23-vjeçar, nxjerr në pah dashamirësinë se si është punuar në kushtet, mjetet dhe ngritjen e saj në nivel akademik përgjatë këtyre viteve. Nisi me 82 nxënës, pa asnjë bazë të mirëqenë materiale, me një godinë ish-repart ushtarak. Sot godinë trekatëshe, me 640 nxënës, me kabinete biologjie, fizike, laborator informatike, biblioteka e minibiblioteka dhe gjelbërim në të gjitha stinët. Vizitorët e kanë quajtur, “shkolla e dijes dhe e natyrës”, një shembull që e rendit “Vëllazërimin” ndër shkollat më të mira në bazë të treguesve të Kartës së Performancës, vlerësuar me çmime në veprimtari të ndryshme kulturore-artistike, gara sportive.

Problematikat e brezit

Nxënësit janë pasqyrimi, reflektimi i asaj çfarë familja, shkolla dhe shoqëria i ofron. Gjatë punës sime nuk kam identifikuar fëmijë problematikë, por të rritur problematikë dhe situata problematike. Ato lidhen kryesisht me problematikat e tyre familjare. Prindërit janë mbrojtja, mbështetja dhe modeli i fëmijës, kur ky rend nuk funksionon, pasojat janë të rënda. Problemet ekonomike të familjeve ndikojnë te nxënësit, duke mos i plotësuar nevojat bazë jetike të tyre. Mosmarrëveshjet e prindërve kalojnë drejtpërsëdrejti te shqetësimi i fëmijëve, apo akoma më keq, divorci i prindërve që godet botën e brendshme të fëmijëve, ëndrrat e tyre, sidomos në moshën e adoleshencës. Të kultivuarit e një biblioteke familjare mbase është tipar që u mungon familjeve të ditëve tona. Fenomeni i bullizimit, që është i pranishëm pothuajse kudo, fatmirësisht në shkollën tonë nuk ekziston.

Roli i shkollës

Bashkëpunimi mes shkollës dhe familjes ka një rëndësi me shumë vlerë në procesin edukativo-arsimor të nxënësve. Fëmijët janë nxënës më të suksesshëm përgjatë gjithë shkollës nëse prindërit e tyre përfshihen në shkollë dhe inkurajojnë të mësuarit në shtëpi, pavarësisht nga niveli arsimor apo shoqëror i tyre. Mësuesi është forca shtytëse në shkollë, prindërit janë forca në familje, shokët dhe shoqet janë forca në shoqëri. Të gjitha këto forca janë vendimtare për formimin tërësor të brezit të ri. I cilësoj forca, sepse pa një mbështetje që në fillim të jetës ne nuk do të mësonim dot të ecnim në rrugën e saj, pa familjen do të ndiheshim të pafuqishëm, pa shkollën do të mbeteshim “gjysmakë”, pa shoqërinë nuk do të ndërtonim konceptin mbi veten. Mësuesi është motivim, është qelizë e konstruksionit mendor, individual dhe social njëkohësisht.

Menaxhimi i problematikave

Angazhim total në skanimin e problematikave të institucionit, sigurim i vazhdueshëm i analizës së të dhënave, interpretim korrekt i rezultateve, menaxhim i drejtë i stafit dhe nxënësve, motivim personal dhe i gjithë mësuesve, bashkëpunim me të gjithë organizmat. Pra jo apati, jo ndëshkim, jo mpirje konceptuale, jo hezitim, por frymëmarrje e re sociale.

Gjithëpërfshirja, që nga Cikli Fillor, ku nxënësi njihet dhe vendos për herë të parë konceptin bazë në Ciklin e Lartë, ku nxënësi është përgjegjës në veprimet, sjelljet dhe qëndrimet e tij, te nxënësit me Aftësi Ndryshe që mundohemi t’i socializojmë dhe t’i integrojmë në shoqërinë e nxënësve të tjerë. Pra puna në shkollën tonë e është e mbështetur në organizim dhe planifikim. Ne nuk ecim verbërisht, por planifikojmë, mbështetemi në pikat e forta të institucionit tonë duke promovuar përparësi e qëndrueshmëri.

Njeriu gjithmonë nxit veten për suksese të reja. Ai është burim i energjive të reja që mund të shërbejë si copëz mozaiku për të shkruar të tashmen dhe të ardhmen. Të jesh pjesë qendrore e mozaikut të një institucioni shkollor do të thotë: Të udhëtosh me kohën, të udhëhiqesh nga dashuria për profesionin, të kesh vizione dhe qëllime të qarta, të bashkëpunosh ngushtë me të gjithë organizmat. Këto energji më kanë shoqëruar gjithmonë si mësuese dhe sot, si drejtuese e kësaj shkolle.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 153

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top