Në fokus

January 8, 2021 | 8:35

Mimoza Hamza: Të edukosh, detyrë që duhet bërë me dashuri!

Më pëlqen një shprehje e Aristotelit: “Të edukosh mendjen pa edukuar zemrën, nuk mund të quhet edukim”. Çdo nxënës që mësuesi, (edukatori) përqafon dhe përshëndet me dashuri dhe fytyrëndritur në mëngjes, mendoj se lartësohet në shpirt më shumë se gjithë dijet dhe leksionet e botës. Kur e ndjen se të duan, se të vlerësojnë, se janë aty për ty, bota bëhet me ngjyra dhe ti je ylli më i bukur i saj! Dhe çdo fëmijë ka yllin në ballë dhe dritën në sy! Kjo është më e rëndësishme në jetë.

Të ndihesh dikush, se pastaj gjithë jetën je vërtet dikur për vete, familjen dhe shoqërinë. Po arriti çdo mësues dhe shkolla këtë, ka realizuar misionin që duhet. Ka kultivuar qytetarinë, vlerat dhe aftësinë për të realizuar vetveten dhe ndërtuar një shoqëri të denjë. Kjo është ajo që mendoj çdo ditë kur u them mirëmëngjes nxënësve të shkollës që drejtoj dhe kolegëve të mi mësues. Kanë mbi njëzet vjet në arsim dhe besoj se ky është çelësi i suksesit në profesionin tonë: dashuria, përkushtimi, vigjilenca, reagimi dhe kudondodhja për fëmijët tanë: Mos humbja nga sytë dhe mendja, jo vetëm e jona (shkollës) por edhe e familjes.

Problemet e tyre krejt të ndryshme nga fëmijëria dhe adoleshenca e ne të rriturve duhet të jenë kambanë alarmi, për t’i kuptuar dhe për t’i ndihmuar në mënyrë që t’i kalojnë me sa më pak pasoja. Përfshirja, përjetimi i çdo hapi në rritje, analizimi i gjithë shkaqeve, pasojave, toleranca është detyrë e familjes, shkollës dhe e gjithë shoqërisë. Gabojmë ne të pagabueshmit. Prindi thotë, “Fëmijës tim nuk i mungon asgjë. Mua më bie bretku gjithë ditën, ky pse shfaq këtë problematikë”, ndërkohë që edukimi dhe ngrohtësia është detyrë më e rëndësishme në prindërim se ushqyerja dhe veshmbathja. Nëna dhe babai duhet të prindërojnë, shumë më e vështirë detyrë se lindja dhe rritja. Prindi thotë, “Unë kaq di, ua lë juve në dorë”, pra mësuesve.

Pse biri yt i shtrenjtë, krijesa që ti do më shumë dhe ti sakrifikon gjithë jetën lihet kaq kollaj në duar të të tjerëve, pavarësish detyrës së tyre. Bashkëpunimi, përfshirja në jetën shkollore dhe pjesëmarrja në çdo vendimmarrje dhe aktivitet të afron me fëmijën më shumë se një drekë e shijshme apo një udhëtim jashtë shtetit. Ndërkohë mësuesi thotë, “thjesht se këtë notë ka marrë në test dhe harron që ka qenë dëshmitar i një bullizmi të ushtruar ndaj tij”, i një dhune psikologjike që mund ta kenë lënë net pa gjumë dhe me frikë për të ardhur drejt derës së shkollës. Nota ndonjëherë është vrastare. Ndaj edukatori duhet ta vendosë me kujdes dhe pa ia ndarë sytë fytyrës së vogëlushit.

Edukatori çdo nxënës duhet ta konsiderojë fëmijën e vet, të kërkojë ndërhyrjen e familjes, psikologut, të drejtorit të shkollës, por të jetë e nevojshme dhe të organeve kompetente nëse dyshon se ka rrezik për mirëqenien apo jetën e tij. Bota virtuale që prindi, (i blen smartphone) dhe shoqëria ia dhuron adoleshentit, përjetohet në kohën tonë me më intensitet se sa përditshmëria. Nxënësit i kemi para syve, por gjetiu janë me mendje dhe shpirt. Andaj duhet të komunikojmë, t’i bëjmë të flasin dhe mos t’ua ndajmë sytë.

Më mirë një alarm i rremë se një indiferentizëm që mund të sjellë pasoja në mirëqenien e fëmijës, nxënësit tonë. Pale fjalori jo i hijshëm që na trondit kur e dëgjojmë është bërë çuditërisht i zakonshëm. Patjetër që është i patolerueshëm, por të gjithë duhet të reagojmë! Media shpeshherë është shembull i banalitetit dhe model i keq, po s’mund të lejojmë asnjë model të shëmtuar, pavarësish përhapjes, të na ndalë në përdorimin sa më të bukur ët gjuhës sonë të ëmbël dhe të dlirë.

Përditë puna si drejtuese e një shkolle është sfiduese. Në korridoret e saj gërshetohen gjithë problemet e familjes, të shoqërisë, të adoleshentit, të vetë mësuesve dhe më gjerë. Kërkohet vendimmarrje, ndërhyrje, menaxhim në kohën dhe në mënyrën e duhur, ndihmë nga familja dhe gjithë aktorët e tjerë, detyrë që duhet bërë me dashuri dhe përkushtim, të cilën ma dhurojnë çdo ditë fëmijët me përqafimin e tyre.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 153

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top