FB

September 21, 2026 | 13:00

Narcizizmi tek adoleshentët sjell popullaritet të përkohshëm, por jo domosdoshmërisht pëlqyeshmëri

 

Adoleshentët që shfaqin tipare narcisiste mund të fitojnë përkohësisht status më të lartë në grup, por kjo nuk do të thotë se bëhen më të pëlqyer nga bashkëmoshatarët. Një studim i ri tregon se vetëbesimi dhe sjelljet që synojnë dominimin mund t’i ndihmojnë të rinjtë të ngjiten fillimisht në hierarkinë shoqërore, ndërsa mburrja dhe kërkimi i vazhdueshëm i vëmendjes mund të çojnë në rënien e popullaritetit me kalimin e kohës.

adoleshente

Gjetjet, të publikuara së fundmi në Journal of Social and Personal Relationships, hedhin dritë mbi mënyrën se si tiparet narcisiste ndikojnë në marrëdhëniet shoqërore gjatë adoleshencës. Adoleshenca është një periudhë e karakterizuar nga ndryshime të shpejta në marrëdhëniet shoqërore dhe nga një përqendrim gjithnjë e më i madh te bashkëmoshatarët. Gjatë kësaj faze, prirje të tilla si egocentrizmi dhe narcisizmi mund të shfaqen ndërsa të rinjtë formojnë identitetin e tyre dhe përpiqen të krijojnë më shumë pavarësi nga prindërit. Studiuesit theksojnë se këto tipare nuk janë të pazakonta gjatë rinisë dhe, në disa raste, mund të ofrojnë përfitime të përkohshme sociale. Shfaqja e vetëbesimit, për shembull, mund t’i ndihmojë adoleshentët të duken më të sigurt dhe të vendosur në përpjekjen për të fituar një pozicion më të fortë në grup.

Psikologët e ndajnë narcisizmin kryesisht në dy dimensione: narcisizmin grandioz dhe narcisizmin vulnerabël. Narcisizmi grandioz lidhet me një ndjenjë të ekzagjeruar të rëndësisë personale, bindjen se individi meriton trajtim të veçantë dhe kërkimin e admirimit përmes vendosmërisë, dominimit apo edhe agresivitetit. Ndërsa narcisizmi vulnerabël karakterizohet nga një vetëvlerësim më i brishtë, i cili varet në masë të madhe nga reagimet e të tjerëve. Personat me këtë prirje mund të jenë më të ndjeshëm ndaj kritikave, më mbrojtës dhe më të preokupuar me mënyrën se si perceptohen nga të tjerët. Sipas modeleve teorike, individët narcisistë përdorin strategji të ndryshme për të lundruar në situatat sociale. Narcisizmi grandioz lidhet më shpesh me sjellje të dukshme që synojnë statusin, si ekstraversioni, karizma sociale dhe përpjekja për të marrë një rol dominues. Në të kundërt, narcisizmi vulnerabël mund të shfaqet në mënyra më të tërthorta, përfshirë përpjekjet për t’u përfshirë në grup, tërheqjen sociale apo ftohtësinë në marrëdhëniet ndërpersonale.

 

Popullariteti nuk do të thotë domosdoshmërisht pëlqyeshmëri

Një nga aspektet më interesante të studimit është dallimi mes të qenit popullor dhe të qenët i pëlqyer. Një adoleshent mund të konsiderohet shumë popullor për shkak të dukshmërisë, ndikimit apo dominimit të tij në grup, edhe nëse pjesa më e madhe e bashkëmoshatarëve nuk ka një mendim pozitiv për të. Pikërisht këtë dallim synoi të shqyrtonte ekipi i udhëhequr nga Christopher Barry, studiues i psikologjisë në Washington State University. Studiuesit analizuan se si narcisizmi grandioz dhe ai vulnerabël ndikojnë në dy forma të ndryshme të statusit social: popullaritetin dhe pëlqyeshmërinë.

Në studim morën pjesë 252 adoleshentë, të moshës 15 deri në 18 vjeç, të cilët ndiqnin një program rezidencial 22-javor për të rinj në rrezik. Pjesëmarrësit jetonin së bashku, ndiqnin mësimet në të njëjtin ambient dhe i nënshtroheshin një rutine të strukturuar ditore. Duke qenë se të rinjtë nisën programin në të njëjtën kohë dhe fillimisht nuk njiheshin me njëri-tjetrin, studiuesit patën mundësinë të vëzhgonin më nga afër mënyrën se si krijoheshin dhe ndryshonin hierarkitë shoqërore. Programi kishte një strukturë thuajse ushtarake. Adoleshentët mbanin uniforma, marshonin në rresht dhe duhej të respektonin rregulla të përcaktuara sjelljeje. Ata ndaheshin gjithashtu në grupe më të vogla banimi, ndërsa të dhënat e marra nga vlerësimet e bashkëmoshatarëve u standardizuan sipas madhësisë dhe dinamikës së secilit grup.

 

Sjelljet që sjellin status mund të kenë një kosto

Studiuesit mblodhën të dhëna në dy momente të ndryshme gjatë programit. Vlerësimi i parë u krye rreth shtatë javë pas mbërritjes së adoleshentëve, duke u dhënë atyre kohë të mjaftueshme për të krijuar përshtypjet e para dhe marrëdhëniet fillestare. Vlerësimi i dytë u zhvillua 15 javë më vonë, pranë përfundimit të programit, me qëllim që të shihej se si kishin evoluar marrëdhëniet dhe pozicionet sociale. Rezultatet sugjerojnë se disa tipare të narcisizmit mund të ofrojnë një avantazh fillestar në statusin social, veçanërisht kur shoqërohen me vetëbesim, dukshmëri dhe sjellje dominuese. Megjithatë, ky avantazh nuk duket të jetë i qëndrueshëm.

Në veçanti, sjellje si mburrja dhe përpjekja e vazhdueshme për t’u vendosur mbi të tjerët mund të dëmtojnë marrëdhëniet me kalimin e kohës. Kështu, një adoleshent mund të fitojë fillimisht vëmendje dhe status, por më vonë të humbasë pëlqyeshmërinë mes bashkëmoshatarëve. Studimi sugjeron, në thelb, se të jesh në qendër të vëmendjes nuk është e njëjta gjë me të qenit i dashur apo i pranuar nga të tjerët. Në një mjedis ku hierarkitë shoqërore krijohen dhe ndryshojnë shpejt, strategjitë që funksionojnë në fillim mund të kenë pasoja të kundërta në planin afatgjatë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top