FB

November 19, 2021 | 8:35

Në listën e 100 romaneve më me ndikim në botë, suksesi i “Vajzat e fshatit” tanimë në shqip

Romani që theu heshtjen mbi tabutë seksuale dhe çështjet shoqërore gjatë një periudhe represioni në Irlandë, pas Luftës së Dytë Botërore.

“Vajzat e fshatit” i botuar më 1960, është romani i parë i Edna O’Brien-it. Ai shkaktoi një skandal të madh në Irlandën katolike të asaj kohe, derisa u ndalua dhe botimi i tij. Ketlini dhe Beba, dy vajza të reja nga fshatrat e Irlandës, krejt të ndryshme për nga natyra, kanë qenë shoqe të ngushta qysh në fëmijëri. Teksa lënë pas sigurinë e kolegjit në kërkim të jetës së vrullshme dhe të dashurisë në qytetin e madh, ato rreken të ruajnë në njëfarë mënyre miqësinë e tyre të trazuar. Ketlini, ëndërrimtare dhe romantike, vuan për dashurinë e vërtetë, ndërsa Beba dëshiron veçse të përjetojë përvojat e një vajze beqare.

01Ndonëse janë të vendosura për të zotëruar botën, jeta e tyre do të pësojë kthesa të forta, ndaj vajzat duhet të mësojnë të gjejnë udhën e tyre.

I shkruar me një stil të shkëlqyer, “Vajzat e fshatit” është një prezantim i gjallë i ngjarjeve, njerëzve dhe peizazheve të jetës së Edna O’Brien-it. Sa famëmadh, aq dhe famëkeq, ky roman u ndalua nga censura irlandeze për përmbajtje të qarta seksuale, madje u arrit deri në djegien e tij publike në një prej famullive të Irlandës.

Censura irlandeze e ndaloi botimin e “Vajzave të fshatit” dhe e futi në listën e mbi 1600 librave të ndaluar në Irlandë. Ky libër, që është pjesë e trilogjisë me të njëjtin titull, u prit me reagime negative edhe nga publiku për shkak të imazheve seksuale që përcillte. Figura të ndryshme fetare dhe politike u ngritën kundër tij duke e cilësuar “si një libër të ndyrë, që s’duhej lejuar në asnjë shtëpi për të qenë.” Madje, u arrit edhe deri në djegie të shumta publike të romanit. Reagimet e irlandezëve ndaj trilogjisë, si dhe suksesi ndërkombëtar i saj pavarësisht kundërshtive, konsiderohen si momente kyçe në historinë e shkrimtareve në Irlandë.

Më 5 nëntor 2019, BBC News e përfshiu “Vajzat e fshatit” në listën e 100 romaneve më me ndikim në botë.

Kritika

Falë histerisë morale me të cilën u prit, si romani, ashtu dhe autorja e tij u kthyen në simbol të epokës së luftës së grave irlandeze që ngritën zërin kundër një shoqërie ultrakonservatore, ultrafetare dhe misogjine. Eimear McBride

“O’Brien është më e madhja, e vetmja që i mbijetoi forcave që ua mbyllën gojën dhe shkatërruan kushedi sesa shkrimtare irlandeze, dhe kundërshtitë e saj – madje edhe bishtnimet – duhet të konsiderohen të dobishme. Anne Enright, shkrimtare irlandeze

“Vajzat e fshatit” është një roman i mrekullueshëm dhe rrëmbyes… Ka ardhur koha që Edna O’Brien të rivlerësohet dhe të zërë vendin që i takon si një prej shkrimtarëve më të mirë të brezit të vet. Irish Times

O’Brien përballet me keqkuptimin e vjetër mes burrave dhe grave. Personazhet e saj jetojnë në atë që Aldous Huxley e quan “simbiozë armiqësore”, një mosbesim i thellë historik. The New York Times

O’Brien ka një marrëdhënie të fshehtë me misterin e gjërave. Askush s’mund ta përshkruajë një skenë apo një personazh aq shkurt dhe me aq mjeshtëri sa ajo. Observer Books of the Year

Josephine Edna O’Brien (lindur më 15 December 1930) është romanciere irlandeze, dramaturge, poete dhe tregimtare. Philip Roth e përshkruan si “gruaja më e talentuar që shkruan sot në gjuhën angleze”, ndërsa ish- Presidentja e Irlandës e ka cilësuar si “një nga shkrimtarët më të mëdhenj të brezit të saj”. Një nga shkrimtaret e para irlandeze që ka thyer tabutë në veprat e saj, të cilat kanë si strumbullar ndjenjat e brendshme të grave dhe problemet e tyre në lidhje me burrat dhe gjithë shoqërinë. Ajo është nderuar me çmime të shumta, si Çmimin Frank O’Connor, Irish PEN, si dhe Çmimin e Karrierës dhënë nga Akademia Letrare Irlandeze. O’Brien jeton në Londër.

Fragmente nga libri

1) …zura të mendoja për njerëzit që po argëtoheshin një kat më poshtë, sidomos për gratë: të ftohta, të pasura dhe misterioze. Një grua, kur është e pasur, e ka të lehtë të jetë misterioze.

2) Të vetmet çaste kur ndihem me fat që jam grua, janë ato në mbrëmje, kur tërheq perdet, heq rrobat e vjetra dhe bëhem gati për të dalë. Ngazëllimi rritet minutë pas minute. Kreh flokët nën dritën e llambës, dhe ato marrin ngjyrat e gjetheve të vjeshtës në diell. Ngjyej qepallat me lapsin e zi dhe mahnitem nga pamja misterioze që u dhuron syve. E urrej të qenit grua. E përciptë, e zbrazët dhe e cekët.

3) Dua të rri kështu gjithë natën, duke ëndërruar, – i thashë ngadalë dhe, mbase, me ton dramatik.– O Zot, sa fyçkë që je! Ç’dreqin të ka ngjarë? – Dashuria, – thashë, duke hapur krahët me një gjest dëshpërimi teatral.

4) Buzëqeshëm, dhe dora e tij la timonin e u ndal mbi prehrin tim të mbuluar nga fustani ngjyrë akulli. Aty priste dora ime. U kapërthyen të dyja dhe vijuam ashtu pjesën tjetër të rrugës, hiq kthesat e forta. Dora e tij ishte e vogël, e bardhë dhe shumë e lëmuar. Nuk kishte asnjë qime. – Je gjëja më e bukur që më ka ndodhur ndonjëherë, – më tha. Vetëm kaq foli, ose më saktë pëshpëriti.

 

libriTitulli: Vajzat e fshatit

Autor: Edna O’Brien

Përktheu: Parid Teferiçi

Zhanri: Roman

Data e botimit: tetor, 2021

Koleksioni: Skandal

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top