FB

November 19, 2021 | 8:35

Happykracia, ndalohet të ndiheni keq!

Të duash të jesh i lumtur është shumë më ndryshe nga duhet të jesh i lumtur. Pikërisht në këtë kuptim happykracia mund të ketë zhvillime negative. Le të shohim se cilat janë ato…

Për shumë njerëz psikologjia pozitive ka lindur në vitet ’90 falë Martin Seligman. Kjo disiplinë është e përcaktuar si “studimi shkencor i asaj që e bën jetën të denjë për t’u jetuar”. Nga ai moment e deri më tani, trajnues, këshillues motivues dhe manualët vetë-ndihmues na “detyrojnë” të jemi të lumtur. Është një fenomen i njohur si happykracia (nga termi origjinal happycracy në anglisht). Në këtë artikull do të analizojmë efektet psikologjike të kësaj lloj “lumturie të imponuar”.

Ka ndonjë gjë të keqe të kalosh një ditë jo të mirë? Ka ndonjë gjë të keqe nëse një ditë ju ndodh të ndiheni me moralin përtokë? Fakti që ndonjëherë gjërat nuk shkojnë siç duam, do të thotë se kemi nevojë për një ndihmë profesionale që të mësojmë të menaxhojmë më mirë jetën tonë? Absolutisht jo! Patologjizimi i gjendjeve normale emocionale rrezikon të shkaktojë një epidemi të pakënaqësisë, për shkak të besimit se jemi të palumtur, sepse ato nuk janë në përputhje me përkufizimin e lumturisë që përpiqen të na imponojnë. Le të shohim në rreshtat e mëposhtëm, se cili është roli i happykracisë në të gjithë këtë.

Çfarë është happykracia?

Çfarë është lumturia? Ka vërtet një kuptim universal? A mund të na mësojë dikush të jemi të lumtur apo të na pajisë me mjetet e duhura për të qenë të tillë? Industria e psikologjisë pozitive premton që po. Nëse do të ishte e vërtetë kjo gjë shqetësimet depresive dhe niveli i vetëvrasjeve nuk do të rritej. Ajo që happykracia tenton pak a shumë të na thotë është se nëse nuk jemi të lumtur është faji ynë, i mënyrës sesi mendojmë dhe sesi përballemi me situata të ndryshme, i paaftësisë tonë për të menaxhuar ndjenjat negative. Sepse në ditët e sotme, sipas mbështetësve të psikologjisë pozitive, i kemi të gjitha mjetet për të qenë të lumtur.

Cilat janë pasojat e të qenit me çdo kusht të lumtur?

Pothuajse të gjithëve nuk na pëlqen parehatia jonë dhe e të tjerëve. Nuk na pëlqen të përjetojmë dhe të pranojmë trishtimin, na bën të ndihemi të dobët. Sa herë i keni thënë dikujt që ka qenë duke qarë “mjaft qave”? Sa herë i keni thënë vetes “nuk duhet të qaj” kur në fakt e vetmja gjë që donit ishte pikërisht të qanit? Kjo është një sjellje e gabuar: ndjenjat kryejnë një funksion të rëndësishëm përshtatës. Shpesh, e qara është shumë më tepër e shëndetshme sesa e nevojshme.

Mesazhe si këto, ose si shumë të tjera, të cilat me siguri ju kanë ardhur në mendje duke lexuar këto rreshta, provokojnë ndjenja më negative sesa ndjenja fillestare. Madje mund të çojnë në zhvillimin e shqetësimeve emotive.

Ndjenjat e fajit

Ndjenjat e fajit janë nivele të ndryshueshme të stresit. Stres, sepse happykracia ju detyron të ndiheni mirë menjëherë, tani, në të tashmen, sepse “jeta është e mrekullueshme dhe nëse e kaloni kohën duke qarë, do ta çoni dëm gjysmën e saj”. Por ndjenja e fajit nuk lind vetëm, sepse nuk ia dalim të ndihemi mirë në një moment të caktuar, por edhe sepse nuk jemi të aftë të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për të arritur një qëllim të tillë.

Vetmia dhe mungesa e mbështetjes sociale

Ndjejmë dhe perceptojmë se njerëzit rreth e qark nesh nuk e pranojnë gjendjen tonë emotive. Ose ndoshta nuk na tolerojnë dot dhe largohen. Kjo ndodh sepse, duke e pasur të pamundur të pranojnë trishtimin apo parehatinë tonë, nuk janë në gjendje t’i përgjigjen kërkesës për ndihmë të të tjerëve.

Jemi qenie sociale dhe kërkojmë mbështetje sociale dhe kjo gjë, shpesh është thelbësore për të kaluar një krizë ose për të rimarrë veten pas një periudhe të vështirë. Na bën të ndjejmë se na duan, na mbështesin dhe na pranojnë. Kur kjo gjë mungon, gjërat vështirësohen dhe përfundojmë duke përballuar probleme akoma më të mëdha, si stresi dhe ankthi.

Respektoni ndjenjat tuaja dhe të të tjerëve

Nuk ka gjë më reale, të sinqertë dhe të shëndetshme sesa të pranoni trishtimin apo inatin. Është normale që të kalojmë ditë ku nuk ia dalim dot të shohim anën pozitive të gjërave. Përballemi me situata të koklavitura, që na përfshijnë totalisht dhe nuk dimë sesi t’i menaxhojmë ato. Të kalojmë ditë jo të mira, ditë gri nuk na bën njerëz të këqinj, por të vërtetë. Mos u besoni njerëzve përjetësisht të lumtur, mirëqenia e përjetshme nuk ekziston. Me shumë gjasa, strategjia e tyre e përballimit të situatave jo të mira, është evitimi, aspak i shëndetshëm ky, jo konstruktiv dhe nuk zgjidh gjë.

Të sforcoheni për të qeshur, kur brenda vetes jeni copë-copë është një nga shuplakat më të rënda që mund t’i jepni mirëqenies mendore. Ndjenjat, si pozitive, ashtu dhe negative kanë funksione të ndryshme, të cilat janë të gjitha të domosdoshme. Fshehja e tyre sistematikisht, nuk bën gjë tjetër veçse i shton problemet për një kohë të gjatë. Respektoni ndjenjat tuaja dhe ato të të tjerëve, pranojini dhe normalizojini ato. T’i pranoni ato, jo vetëm ju bën më njerëzorë, por lehtëson edhe ndryshimin më të shëndetshëm drejt një gjendjeje emotive pozitive. Pa detyrim, pa imponim, pa nxitim.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 161

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top