Dëshmi

June 9, 2018 | 10:32

Nertila Haxhia: Më frymëzon gjithçka që dhemb

 

Nga Brikela DACI

Femra gjithmonë karakterizohet për forcën dhe fuqinë e saj për t’i përballuar gjërat, qofshin edhe ato më të vështira, me shumë guxim dhe pa u dorëzuar asnjëherë. Nertila Haxhia, 29 vjeç është një ndër to. Që në fillimet e jetës së saj është përballur me varfërinë dhe jetën e vështirë, por pavarësisht kësaj ka gjetur forcën brenda vetes për të ecur përpara, për të realizuar synimet e saj dhe për të ngritur zërin për padrejtësitë.

Është autore e romaneve me tematikë të krimit të organizuar “Krime në Purgator” & “Agjentja në dhomat e Kuqe”, dhe dy libra eseje filozofike “Pushteti i burrave dhe Forca grua”; “Eurobunkieret”.

Prej shumë vitesh angazhohet në mbrojtjen e të drejtave të grave, sidomos të atyre të dhunuara dhe viktimave të trafikut.

Është përballur me luftën ndaj kancerit, betejë të cilën e ka fituar dhe që i ka nxitur akoma më shumë rebelimin si aktiviste përballë qeveritarëve dhe ambasadorëve, për të ndikuar në politikat sociale shëndetësore në Shqipëri. Ajo është nënë, e tashmë synon të jetë kantautore dhe artin ta shfrytëzojë për t’u kthyer në artisten e kauzave sociale.

INTERVISTA

Studioni për Diplomaci dhe njëkohësisht i përkushtoheni dhe artit qoftë në të kënduar apo shkruar. Si kanë qenë fillimet e tua në art?

Fillimet e mia në art mund të konsiderohen që nga konkurset dhe aktivitetet lokale të kulturës. Më pas janë zgjeruar në nivel kombëtar dhe diasporë. Në jetën time numërohen me dhjetëra aktivitete zyrtare dhe jozyrtare të kulturës, në moderim, letërsi, aktrim, organizim. Nuk jam edukuar akademikisht në fushën e artit por kam marrë kurse të shkurtra dhe ndjek vazhdimisht të tilla kurdo që kam hapësirë kohorë. Pra, jam rritur artistikisht nga aktivitetet që buruan nga talenti e pasioni pranë njerëzve profesionistë.

Çfarë ju frymëzoi për të shkruar?

Mua më frymëzoi gjithçka që dhemb, por për të cilën njerëzit heshtin nga dogma “moral shoqëror”.

Më frymëzon vlera më e lartë njerëzore që është Jeta!

Realiteti në të cilin jetojmë sa ka ndikuar në iniciativën tënde për të studiuar për drejtësi?

Kam provuar varfërinë, sëmundje, historinë e të tjerave të kërkonin ndihmë mes frikës. Kam provuar të vrapoj e vetme në çështjet penale të familjarëve të mi; kam provuar të kem krenari të tepruar falë të cilës disa gjëra i kam arritur më me vonesë nga ç’mund ti arrija në një vend tjetër ku ka meritokraci e drejtësi.

Kam provuar të punoj ditën dhe natën duke u lodhur dhe madje paragjykuar, sepse në këtë vend drejtësi quhet heshtja dhe shtypja ekonomike e grave e vajzave. Kam provuar të mbledh edhe paratë metalike që të siguroja ilaçet e trupit me forcat e mia, mes shumë problemeve që kisha.

Mes gjithë këtij labirinti kam krijuar botën time të njohurive praktike, të cilat më dhanë një formë mendimi që nuk ndikohej më nga “morali” i shoqërisë dhe institucioneve shqiptare.

Në vend që të bëhesha viktimë, e dhunuar, trafikante droge që shfrytëzohet e pasurohet në bashkëpunim me meshkujt etj, u bëra diçka tjetër. Vendosa të bëhem njeri i lirë dhe juriste.

Drejtësinë nuk e vazhdova si shkollë të dytë për një diplome më shumë por pikërisht prej realitetit që thoni. E nëse në një të ardhme do ta shfrytëzoj diplomën e drejtësisë, do të jetë në funksion të mësimdhënies në auditoret universitare, në luftën kundër dhunës e trafikimit si dhe në fushën e të drejtës ndërkombëtare. E cilësoj këtë të fundit, meqë kam studiuar dhe Diplomaci e puna ime në funksion të respektimit të drejtave themelore të shqiptarëve e përmirësimit të legjislacionit sidomos në fushën e shëndetësisë, do të më realizonte shpirtërisht dhe profesionalisht njëkohësisht.

Si jeni përballur me faktin që vuanit nga kanceri. Vuajtje kjo si psikologjike ashtu dhe fizike?

Ajo ishte periudha që më bëri të kuptoj më shumë rëndësinë e jetës. Gjërave që kisha braktisur dikur padrejtësisht për të qenë një vajzë më e pëlqyer nga shoqëria shqiptare, nën mantelin e vajzës së rregullt e të shkolluar. Kuptova se i vetmi person në të cilin duhet të mbështetesha për të shëruar trupin shpirtërisht, isha vetëm unë. Thjeshtë i dhashë dorën vetes dhe ia dola. Jam tashmë në fazën përfundimtare të eliminimit të tij nga trupi im. Nga mendja ka ikur me kohë.

Si aktiviste për politikat shëndetësore në Shqipëri, cili është mesazhi dhe kërkesa për të cilën lufton?

Si aktiviste për politikat shëndetësore në Shqipëri, kam kërkuar dhe do të kërkoj gjithnjë një politikë sociale që mirëmenaxhohet. Kërkoj të garantohen të drejtat shëndetësore të pacientëve duke mos u diskriminuar ekonomikisht kurimi i tyre. Këtu flas kryesisht për gratë, të cilat janë më pak të punësuara dhe puna e tyre është më pak e paguar.

Duke qenë se po mendoni t’i përkushtoheni këngës për të arritur kauzën tuaj. Mendoni se vetëm fama është rruga përmes të cilës mund të arrish synimet në këtë vend?

Synimet e mia nuk kanë lidhje me famën si një instrument i prekshëm. Gjithmonë me art, që e vogël kam synuar të prek fenomenet sociale më të dhimbshme. Më kujtohet tek shkruaja e bëja vetë drama në zonën ku rritesha me fëmijët e adoleshentët e zonës, duke u vetë-organizuar për të ndryshuar mentalitetin për dhunën ndaj vajzave, shtypjen e tyre, mos-arsimimin e tyre në këmbim të një burri në moshë adoleshente. Po ashtu më kujtohet që braktisja ndonjë angazhim familjar për të ndihmuar tek Kisha Katolike për të sjellë aktivitete kundër Gjakmarrjes, trafikimit të vajzave aso vite etj…

Muzika ishte ajo që shoqëronte të gjithë aktivitetin tim ndër vite, kolonat zanore, tekstet për Paqen etj…

Fjala “Fame” nuk më ka joshur asnjëherë sepse më duket si synim më vete. Më pëlqen fjala “Hapësirë”, që me pasion, ëndrra që është ushqyer ndër vite, e tashmë me punë më profesionale, të arrij atë për të cilën dikur, kur isha e vogël, qaja në dhomën e gjumit, kur recitoja me zë të lartë krijimet e mia. Qaja para xhamave jeshile të dritareve të kalbura në shtëpinë time të mbuluar nga varfëria ekonomike, se nuk kisha as pasqyrë të madhe që të bëja prova edhe për konkurset ku merrja pjesë.

Ky pasion paralel më ushqeu shpirtin që ta doja shume mesazhin e krijimeve të mia. Kështu që sot, nuk dua të arrij nëpërmjet famës në muzikë kauzat, por nëpërmjet muzikës, të mos dëgjoj zërin e famës, por zërin e NJERIUT! Njeriu është më i madh se fama.

Të qenit prind sa ju pengon të aktivitetet që ndërmerrni?

Të qenit prind më ka motivuar më shumë. Më besoni se kur shikoj vajzën në gjumë kur unë kam kufjet në vesh e krijoj muzikë për veten ose të tjerët, ose jam duke shkruar, thjeshtë më shtohet jeta dhe si rrjedhojë ndjej se tani kam më shumë kohë për të gjitha.

Fakti që bëj dy tre punë për të rritur atë, ndihmuar prindërit e realizuar ëndrrat e mia, më ka bërë një menaxhere më të mirë edhe të kohës. Investoj në edukimin e saj po aq sa përzgjedhjen ushqimore të saj, si dy elementët më të rëndësishëm që i garanton cilësinë e jetës edhe në mungesën time ndonjë orë pas çerdhes. Megjithatë vajza është në çerdhe nga mëngjesi deri pasdite vonë, kështu që rrallë ndodh që të rrimë larg ndonjë ore përveçse kur këndoj ndonjë fundjavë e fle pak ore pa mua, me nënën time.

Një mesazh për të gjitha femrat në Shqipëri?

Ne jemi femra, që biologjikisht i japim shoqërisë emrin grua si produkt i sakrificave më të mëdha fizike dhe shpirtërore.

Mos harroni se kujdesi dhe respekti për trupin tuaj paralelisht me atë të shpirtit, i jep jetës suaj dhe shoqërisë qëllimin më të bukur të jetës së çdo njeriu: Lumturinë!

Luftoni fort për të, le të jetë qëllimi i jetës suaj lumturia. Lumturia nëpërmjet lirisë për të dashur veten dhe të tjerët, është instrumenti që i duhet botës për të patur sa më shumë paqe.

Zëri jonë është muzika më e bukur e kësaj paqeje!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top