Psikofakt

June 9, 2018 | 8:50

Nga Alba Dajlanaj: Deti… magjia, gardhet, hekurat… një mollë e ndaluar

Fakti që kam lindur dhe jam rritur në një qytet bregdetar, më ka dhënë ndjesinë e të qenit e lumtur. E adhuroj detin, magjinë e hapësirës së tij të paanë dhe perëndimet e mrekullueshme piktoreske!

Alba Dajlanaj, arsimtare

Alba Dajlanaj, arsimtare

Segmenti ku jetojmë, sigurisht, është një segment turistik dhe vizitorët fillojnë të vijnë më përpara se të hapet sezoni i plazhit. Në ditët e sotme “vështirësia” për të krijuar dy kushte, qoftë edhe për diçka të natyrshme, siç është ajo e të bërit banja dielli, qëndron si eksponent edhe për detaje të vogla. P.sh: ti nuk mund të shkosh kaq lirshëm e të bësh plazh ku të të dojë qejfi ty. “Ku të të dojë qejfi ty” tashmë ka “vdekur”.

Tashmë ky segment turistik, ky bregdet madhështor e magjepsës është copëtuar në prona private, ku ti patjetër do të paguash diçka në shkëmbim të kohës që do të kalosh aty. Por, përveç kësaj, që tashmë është bërë një problem për gjithë komunitetin tonë, sepse çdo pëllëmbë tokë e Adriatikut tashmë ka të zotin. Ajo që më shqetëson janë gardhet e hekurta që shtrihen përgjatë plepave, vazhdojnë pa ndërprerje me gardhin e hekurt të ministrisë së Rendit dhe pastaj… pastaj sigurisht pa as më të voglën ndërprerje fillon gardhi i hekurt i Bllokut.
Gardhe hekuri që të mbajnë larg, gardhe hekuri që të bëjnë të trishtohesh kur shikon brenda tyre si shtrihen sipërfaqe të tëra të gjelbëruara me pemë të lartë që ta ka ënda t’i kundrosh , por që nuk ke të drejtë të hysh sa herë të të teket ty o popull! Jo, populli duhet t’u qëndrojë larg këtyre parajsave të vogla, sepse ato nuk i përkasin atij. Kësaj i thonë: të ndjehesh i huaj në tokën e etërve të tu!

fotoPopullit i përket vetëm rruga e zbardhur nga pluhuri, aroma mbytëse e kazanëve të hapur dhe zhurmat çoroditëse të trafikut deri në agim!
Shumë mirë, kjo godinë e Ministrisë së Rendit mund të zhvendoset diku në një zonë tjetër të qytetit e të bëjë detyrën e saj e qetë, në vend që të zaptojë hektarë tokë të gjelbëruar, që mund të shërbejë si një park dhe t’i lirojë popullit vijën bregdetare që i është privuar qytetarit të lirë, i cili hyn dhe nuk hyn dot po nuk pati një leje hyrjeje, ose t’i “lutet” policit tek porta! Qytetarët shohin nga jashtë të menduar se si mund të gjejnë mënyrat për të hyrë në këtë parajsë të vogël. Mbasi e lë pas gardhin e hekurt të Ministrisë së Rendit, fillon një gardh tjetër hekuri më i fortë, fillon një zonë sa e bukur dhe magjepsëse, aq edhe misterioze.
Eci përbri këtij gardhi të hekurt dhe një puhize e freskët që vjen nga deti sikur kërkon dëshpërimisht të sfidojë erën e rëndë që ndihet çdo 100 metra, ku qëndrojnë kazanë të hapur që në këto temperatura të larta dekompozojnë hedhurinat.

Vazhdoj eci trotuarit, ngre pak kokën lart dhe vështrimi kap majat e pemëve të larta që mbushin pyllin që qëndron vetëm disa hapa larg në të majtën time, por që kjo barrierë, ky gardh hekuri të privon të hysh e të ndjesh atë freski joshëse, këndellëse që di ta japë vetëm natyra!

Dëgjoj zogjtë të shpërngulen tufa e shkundin pemët për t’u zhvendosur në zona të tjera të pyllit. Hektarë të tërë toke lulëzojnë e gjelbërojnë një pyll, ku mund të ndërtohej një park i mrekullueshëm për banorët e këtij qyteti, por edhe për çdo vizitor të mirëpritur në këtë qytet.
Mund të ishte një vend ideal për t’u prehur e ëndërruar, për të marrë pak ajër të freskët, për pak qetësi, pak aromë lulesh e bliresh, për të ndjerë cicërima zogjsh. Oh çfarë ironie… në të njëjtën kohë, të jesh kaq pranë e kaq larg kësaj parajse!
Po , e gjitha kjo është kaq e largët, e huaj, gati fantastike, e paarritshme për qytetarin e thjeshtë, edhe pse tingëllon kaq e natyrshme për njeriun që banon në tokën e pranë detit që fali Perëndia! Ai gardh i hekurt është i paprekshëm dhe i frikshëm!. Po, mënyra se si ruhet është e frikshme!
Eci, kthej kokën majtas në një nga rrugicat e pyllit në fund të saj. Shoh një figurë ushtarake, e armatosur, qëndron vigjilente, pas tij shoh vila të ndërtuara bukur, të mbajtura mirë…
Një pyll, ushtarë të armatosur dhe pas tij kaltërsia mrekullisht e pafajshme e një deti që për ironi nuk na përket…
E çuditshme, një pyll i bukur, një det i mrekullueshëm, vila të bukura, frikëra të fshehura si fantazma ruhen për dekada të tëra nga një gardë e armatosur…
Arrij në hyrjen kryesore të “Bllokut”, një postbllok hijerëndë dhe dy oficerë garde nuk mungojnë të bëjnë detyrën!

deti

Kur isha e vogël, e pata pyetur tim atë: – Babi, po kush banon këtu? Ai me shikimin hedhur nga pylli misterioz dhe me fytyrë të vrenjtur m’u përgjigj. – Këtu janë qeveritarët, dhe ky është Blloku!
As që e kuptoja atëherë fjalën Bllok, por misteri që më ngjalli atëherë nuk është shuar as tani! Dhe kjo më bind edhe njëherë më fort se, që nga ajo kohë “Forma ka ndryshuar, përmbajtja jo” e atij sistemi. Epo duhet ta themi troç, “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron!”
Ja, në fund të trotuarit më duhet të ndaloj. Një eskortë makinash të zeza me dritare të zëna me perde shoqërohen nga dy makina policie që çudisin dynjanë nga sirenat derisa zhduken brenda gardhit. Shkarazi sytë më kapin një fytyrë mbas xhamit të makinës, një fytyrë që ndriçon, e butë, e kuruar si e një femre, kostumi i zi pisk ndriçon nga këmisha e bardhë dhe kravata e bukur, të gjitha “alta qualità”.
Përballë meje vijnë dy të rinj të veshur si për të shkuar në det, më pyesin: – Zonjë, deshtëm me shku në pllazh, a hyet këtu? Vura pak buzën në gaz dhe ju përgjigja. – Jo çuna, këtu është e ndaluar, këtu është Blloku. E kuptova që ishin vizitorë nga Kosova dhe nuk e njihnin zonën. – Po ma tutje a po’ të lejn, – pyeti tjetri. – Jo, iu përgjigja, as andej nuk mund të hyni. Ndoshta do t’ju duhet të bëni disa kilometra me autobus që të arrini në plazh! Ata nuk e dinin se kjo zonë, ky gardh i hekurt lejon të hyjnë brenda vetëm ata, trashëgimtarët legjitimë të kësaj parajse! Ky gardh, ky pyll që mban të fshehura ato rezidenca në buzë të detit, është mishërim i gjallë i asaj ndarje të klasave Ata dhe Ne!!
ATA përtej gardhit të mbrojtur me ushtarë e armë dhe NE jashtë këtij gardhi që shohim si Luli i vocërr “Mollën e ndaluese”. Ne rrimë jashtë gardhit të hekurt që mbron me ushtarë e armë “fantazmën” e frikës së tyre “Në pushkën e atij ushtari të ri shikoj brishtësinë e asaj “parajse” që vibron nga ethet e frikës që i ndjek pas ngado si “fantazma e mëkatit të tyre!”
E ndërsa vazhdoj rrugën, m’u kujtua poema e të madhit Migjeni.

O si nuk kam nji grusht të fuqishëm

Malit që hesht m’u në zemër me ja njesh!

Ta shof si dridhet nga grusht i paligjshëm
e unë të kënaqem, të kënaqem tu u qesh!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top