Mirëqenie

May 9, 2018 | 14:10

Nga Adelina Pjetra / Nevojat psikosociale të femrave që janë diagnostikuar me kancerin e gjirit

Gjatë intervalit midis diagnozës së kancerit dhe fillimit të trajtimit, 82.5% e të gjithë pacientëve mund të shfaqin shenja të PTSD, siç janë kujtimet ndërhyrëse dhe të përsëritura të përvojave që janë të lidhura me kancerin, ndjenjat e deatashimit dhe mpirjes emocionale, rritja e gjendjes së vigjilencës, shpërthimet e papritura të zemërimit dhe një reagim i menjëhershëm i ekzagjeruar. Shumica e grave përjetojnë të paktën disa shqetësime psikosociale gjatë rrjedhës së diagnozës dhe trajtimit të kancerit të gjirit.

Adelina Pjetra Specialiste e liçensuar në Brainworking Recursive Therapy Terapiste EMDR Psikologe Klinike

Adelina Pjetra
Specialiste e liçensuar në Brainworking Recursive Therapy
Terapiste EMDR
Psikologe Klinike

Niveli i vuajtjes ndryshon nga një grua te një tjetër, edhe brenda vetë një individi, gjatë rrjedhës së diagnozës dhe trajtimit. Stresi që shoqërohet me kancerin pritet të shuhet me kalimin e kohës për shumicën e individëve të diagnostikuar me kancer. Megjithatë, për disa të tjerë, një shqetësim i tillë mund të ndërhyjë ndjeshëm në rehatinë, cilësinë e jetës dhe aftësinë për të marrë vendime të përshtatshme për trajtim dhe t›i ndjekin ato në kohë.

Stresi psikosocial mund të lidhet me probleme fizike si sëmundja ose paaftësia, problemet psikologjike, çështjet familjare dhe shqetësimet sociale si ato që lidhen me punësimin, sigurimin dhe qasjen në kujdesin mbështetës. Disa nga shqetësimet më të zakonshme psikosociale të raportuara nga gratë me kancer të gjirit përfshijnë:

  • Frikë nga përsëritja,
  • Simptomat fizike të tilla si lodhja, probleme me gjumin ose dhimbje,
  • Ndërprerja e imazhit të trupit,
  • Mosfunksionimi seksual,
  • Ankthet e lidhura me trajtimin,
  • Mendimet ndërhyrëse për sëmundje / ankth të vazhdueshëm,
  • Komunikimi bashkëshortor /me partnerin,
  • Ndjenjat e vulnerabilitetit dhe shqetësime ekzistenciale për sa i përket vdekshmërisë.

Për shumicën e grave me kancer të gjirit, strategjitë e përballimit që përqendrohen në pritshmëritë reale, mund të lehtësojnë përshtatjen ndaj sëmundjes që ndodh me kalimin e kohës. Megjithatë, për disa gra, përshtatja dhe përballimi mund të jenë jashtëzakonisht të vështira dhe mund të nevojitet ndërhyrja psikologjike. Përvoja me sëmundjen e kancerit të gjirit ka disa faza të dallueshme, secila e karakterizuar nga një grup unik shqetësimesh psikosociale. Këto faza përkojnë me aspekte të kursit klinik të sëmundjes dhe trajtimeve që lidhen me to.

Ajo që vijon është një rishikim i nevojave të veçanta psikosociale që lidhen me diagnozën, trajtimin primar, çështjet e veçanta që lidhen me kancerin e gjirit jo invaziv, përfundimin e trajtimit dhe rihyrjen në jetesën e zakonshme, mbijetesën, përsëritjen dhe lehtësimin e kancerit të avancuar. Onkologjia dhe stafi i kujdesit parësor duhet të përgatiten për një sërë çështjesh psikosociale që mund të lindin në mesin e pacientëve të tyre që janë në pika të ndryshme përgjatë vazhdimit të trajtimit të kancerit të gjirit.

Ndikimi psikosocial i kancerit të gjirit duhet të kuptohet edhe në kontekstin e çështjeve të tjera, të cilat ndikojnë në mënyrën e përballimit, cilësinë e jetës dhe mirëqenien, siç janë faktorët socioekonomikë dhe faktorët kulturorë, gatishmëria e mbështetjes sociale, qasja në kujdesin shëndetësor dhe prania e sëmundjeve të tjera kronike ose krizave të jetës.

Diagnoza

Gratë sigurisht që variojnë në reagimet që pasojnë komunikimin e diagnozës por shumica prej tyre përjetojnë frikë dhe mosbesim. Para se të diagnostikohet me kancer, shumica nuk e perceptojnë veten të jenë me rrezik të lartë pasi shpesh (rreth 75-80% të rasteve) nuk kanë një histori familjare të kancerit të gjirit. Megjithëse nuk janë të përgatitura për këtë ngjarje, sapo të bëhet diagnoza, ato megjithatë përballen me një sërë këshillash mjekësore dhe nevojën për të marrë vendime vendimtare të trajtimit.

Një shqetësim gjatë kësaj faze është mbingarkimi i informacionit për pacientin dhe sistemin e saj mbështetës (bashkëshorti, familja dhe miqtë). Ekipi i kujdesit mjekësor shpesh e sheh kompleksitetin e vendimmarrjes rreth trajtimeve të kancerit të gjirit si një rutinë, por për gruan, paraqitja e opsioneve të trajtimit (p.sh. mastectomia kundrejt lumpectomi, kimioterapia mbështetëse etj) është diçka shumë larg nga rutina e saj.

Ekzistojnë dy ekstreme reagimesh në këtë situatë: ajo mund të nxitojë për trajtim për shkak të ankthit dhe shqetësimit që kanceri duhet të trajtohet menjëherë, ose mund të ketë vështirësi në marrjen e vendimit, duke krijuar kështu një vonesë të konsiderueshme ndërsa merr një opinion të tretë, të katërt e me radhë.

Trajtimi

Pasi të vendoset plani i trajtimit, gratë me kancer të gjirit mund të përjetojnë një lehtësim të ankthit dhe shqetësimit, por frikëra të reja mund të lindin në përshpejtimin dhe marrjen e trajtimit të planifikuar. Disa ndërhyrje kirurgjikale bëhen me një qëndrim të shkurtër në spital dhe gruaja mund të vazhdojë përkujdesjen në shtëpi. Kjo do të thotë që dikush duhet të jetë në dispozicion për të ndihmuar gruan në shtëpi, veçanërisht me detyrat e shtëpisë ose aktivitete të tjera që kërkojnë lëvizjen e krahut) dhe disa kujdesje infermierore (p.sh: menaxhimi i plagëve kirurgjikale dhe veshjeve).

Nevoja për ndërhyrje psikologjike ose psikiatrike mund të jetë shumë e dobishme për të kontrolluar ankthin kur duhet të merren vendime të rëndësishme që do të ndikojnë në jetën e ardhshme. Vizitat mbështetëse dhe medikamentet kundër ankthit, nëse është e nevojshme, duhet të jenë në dispozicion për këto gra. Mbështetja sociale për gruan me kancerin e gjirit përfshin mbështetje instrumentale, të tilla si transporti për vizitat mjekësore periodike, përgatitja e ngrënies, ndihma për aktivitetet e përditshme dhe mbështetja emocionale, d.m.th. gatishmëria e dikujt për të ndarë frikën, ndjenjat dhe shqetësimet.

Nivelet e pamjaftueshme të secilës prej këtyre dy formave të mbështetjes sociale rrisin gjasat për rritjen e stresit. Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme në pacientët me kancer gjiri të avancuar.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top