Marrëdhënie

September 12, 2018 | 8:15

Nga Albjona Rrapaj / Rreziku i familjes disfunksionale!

Qenia jonë individuale është një mori modelesh dhe imitimesh të fituara qysh prej fëmijërisë së hershme, brenda institucionit kryesor të familjes. Jo rrallë herë modelet e ofruara në familje shtrembërojnë personalitetin e pasardhësve të saj.

Nga Albjona Rrapaj, Psikologe Klinike

Nga Albjona Rrapaj, Psikologe Klinike

Secili nga ne i ngjan më tepër nënës apo babait. Format e ndëshkimit apo përforcimit që formësojnë sjelljen e individit shumë herë rezultojnë disfunksionale, pasi nuk i takojnë intensitetit të sjelljes apo kohës së përshtatshme kur pretendohet modelimi i saj. Disfunksionaliteti nuk qëndron vetëm në modelimin e sjelljeve, por njëkohësisht zhvillon tjetërsime të shëmtuara dhe në ndjenjat apo emocionet e secilit anëtar të familjes. Kështu kemi të bëjmë me një familje disfunkionale që prej pavetëdijes në strukturën e saj. Çfarë do të thotë kjo? Çfarë është një familje disfunksionale në thelbin e vet?

Kuptimet mbi familjen disfunksionale janë të ndryshme dhe në disa raste jo të duhurat. Nëse do ndalemi në realitetin e vendit tonë, do të theksonim se një familje funksionale do të ishte përfytyrimi i një familje intelektualësh, me njerëz të qetë brenda vetes, me individ që “nuk ju ndihet zëri”, etj. Po a janë pikërisht këto elemente që e bëjnë një familje funksionale? Shpjegimi i koncepteve të mësipërme dhe aq më tepër të fokusuara te disfunksionaliteti apo funksionaliteti i një familjeje nuk është aspak i thjeshtë.

Theksoj se ky artikull nuk përfshin lidhjen e familjes me dhunimin fizik apo dhunimin e qartë psikologjik, por ka të bëjë pikërisht me dhunimet e padukshme që gati-gati mbysin psikologjinë e një familjeje, pa e kuptuar që kjo ka ndodhur. Për ta kuptuar më qartë le të ndalemi tek ajo që pretendojmë me konceptin e “intelektualitetit”, dhe lidhjes së menjëhershme që i bëhet me familjen funksionale. Pa diskutim që kur ky intelekualitet është në përputhje të plotë me kuptimin e tij, është gjithçka në rregull dhe familja funksionon më së miri.

Në realitetin tonë në shumë raste nuk funksionon kështu. Nëse të pretenduarit si intelektual nuk japin dashuri të pakushtëzuar fëmijëve të tyre apo partnerëve, kur pas çdo oferte, prapa vendoset një kusht sipas dëshirës prindërore apo bashkëshortore etj. Këto forma nuk krijojnë funksionalitet, përkundrazi frustrimi në këtë rast është shumë i lartë, dhe arsyeja e realizimit të situatave është më tepër produkt i këtij frustrimi sesa i mirëkuptimit dhe dhembshurisë. Nëse komunikimi është inekzistent ose i stisur bukur, këto janë vetëm forma të disfunksionalitetit të mbuluar.

Pasojat e tyre janë të rënda. Bashkëshortët vetëm mundohen të duken bukur përballë njëri-tjetrit, por ndihen gjithnjë e më të palumtur dhe vetëm. Njëkohësisht, fëmijët vazhdimisht vuajnë frustrimin dhe mos qenien vetvetja.

Çfarë duhet bërë për të reduktuar këtë disfunksionalitet?

  1. Komunikimi të jetë i vërtetë, që do të thotë bashkëshortët dhe fëmijët të ndihen të lirë të flasin pa menduar për paragjykimet apo gjykimet e pjesëtarëve të tjerë të familjes.
  2. Ndëshkimet dhe përforcimet të bëhen në kohën e duhur dhe në intensitetin e duhur të sjelljes që i takojnë.
  3. Secili anëtar i familjes të ndjejë se në thelb e duan në mënyrë të pakushtëzuar, ku jo gjithmonë duhet të jetë i detyruar për të bërë diçka për fitimin e kësaj dashurie.
  4. Harmonia në emocione dhe ndjenja është funksionaliteti më i lartë i një familjeje të shëndetshme.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top