Marrëdhënie

April 16, 2018 | 14:22

Nga Albjona Rrapaj / Si ta ruajmë marrëdhënien e shëndetshme në çift?

Në reflektimin e “idealit” tonë, në një marrëdhënie dashurie, individi sheh kombinimin perfekt të vetes dhe marrëdhënies me të. Çfarë do të thotë kjo? Në ëndrrat e hershme të adoleshencës dashuria vjen si frymëzim, ku personi tjetër dëshiron të përmbushë çdo ndjesi, duke dhuruar vazhdimisht emocionet dhe kënaqësitë dashurore.

Nga Albjona Rrapaj, Psikologe Klinike

Nga Albjona Rrapaj, Psikologe Klinike

Pikërisht në këtë fazë zhvillimi secili individ formon “imazhin” e vet dashuror, të cilin përpiqet ta konkretizojë në realitet. Në vazhdimësi, me maturimin moshor dhe mendor, nevojat e gjithsecilit ndryshojnë, dikush mund t’i përmbahet përfytyrimit të partnerit ideal e dikush tjetër, për një sërë arsyesh mund ta reduktojë këtë përfytyrim të “ideales”. Sigurisht që përvojat jetësore kanë ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e partnerit. Pasi përfshihemi në një marrëdhënie, çifti vazhdimisht ka ndjenja, mendime e qëndrime që lëkunden në dimensione të ndryshme.

Të ruajmë një marrëdhënie të shëndetshme nuk është aspak e lehtë. Një nga faktorët kryesorë që turbullon këtë marrëdhënie është pikërisht i përmendur më sipër. Duke qenë se në përgjithësi ne nisemi me “idealin” e krijuar për partnerin, bëjmë vazhdimisht krahasime të këtij “ideali” me realitetin. Dëshirojmë domosdoshmërisht që realiteti të përputhet me çfarë është krijuar në mendimet tona, se si duhet të jetë një marrëdhënie ose si nuk duhet të jetë ajo.

Kjo situatë dëmton së tepërmi marrëdhënien në çift, pasi secili ka përfytyrimin e tij në raport me këtë marrëdhënie dhe konflikti në këtë pikë theksohet së tepërmi. Për të ruajtur një marrëdhënie të shëndetshme në çift nuk ka një formulë përfundimtare, në një raport kaq intim formulën e krijon vetë çifti. Nëse për një çift elemente të caktuar e bëjnë të shëndetshme marrëdhënien, për një çift tjetër po të njëjtët elementë mund të rezultojnë edhe dëmtues.

Çfarë duhet të kemi parasysh për realizimin e një marrëdhënieje të shëndetshme:

  1. Sipas dëshirave apo përvojës tonë | Personi tjetër është në lidhje me ne për të ndërtuar një marrëdhënie me bazë e duke lejuar secilin të respektojë unin e vet. Në vazhdimësi të kësaj logjike duhet kuptuar gjithashtu se në këtë marrëdhënie nuk mundet që të dy partnerët të jenë dakord kurdo e kudo. Marrëdhënia e shëndetshme formon shtyllat e saj të forta kur mendimet e sjelljet me larminë e tyre, zhvillojnë atë duke plotësuar vazhdimisht hapësirat boshe.
  2. Respektimi i hapësirës personale të tjetrit | Nëse secili prej partnerëve ndihet i plotësuar dhe i qetë në hapësirën e vet në brendësi të një marrëdhënieje, kjo nuk bën gjë tjetër veç se e ushqen marrëdhënien me pozitivitet, përkushtim e motivim. Duhet të kemi parasysh se të ndjerit mirë me veten zhvillon ndjesinë për të qenë mirë edhe me partnerin.
  3. Përkushtimi (kohë dhe komunikim) | Koha e kaluar së bashku nuk mund të zëvendësohet me asnjë element tjetër më të rëndësishëm. Koha është elementi kryesor i përkushtimit. Por këtë kohë nuk mund ta kaloni duke ndenjur kot. Duhet të komunikoni dhe të jeni vazhdimisht bashkëpunues me njëri-tjetrin, në mënyrë që ta vendosni marrëdhënien gjithmonë e më tepër në dimension përkushtimi.
  4. Minimizimi i varësisë | Varësia është pa dyshim një shkatërrues i fuqishëm i marrëdhënies së çiftit. Nëse do të peshojmë diku apo do të na peshojnë, lufta e vërtetë do të jetë vazhdimisht si të na heqin apo heqim këtë peshë. Në një marrëdhënie secili duhet të peshojë mbi të gjitha te vetvetja dhe vetëm pasi ta ketë realizuar këtë, mund të pretendojë dhe bashkëpunimin e partnerit.
  5. Shmangia e ndjenjës së pushtetit mbi tjetrin | Në raportin në çift ajo që duhet të bëjmë është të bashkëpunojmë me tjetrin dhe jo të imponojmë pushtetin mbi të. Marrëdhënia duhet të ketë përfytyrim horizontal dhe jo hierarkik. Sa më të barabartë të ndjehemi aq më të thjeshtë do e kemi të vendosim linjën e bashkëpunimit dhe kuptimit me partnerin.
  6. Krijimi i një marrëdhënieje besimi | Në një marrëdhënie të shëndetshme përparësi ka edhe besimi. Nëse një marrëdhënie ka baza të forta besimi njëri tek tjetri, kjo bën që çiftit t’i shmangen keqkuptimet apo zënkat, të cilat janë shumë shqetësuese dhe që pa kuptuar gërryejnë së brendshmi marrëdhënien.
  7. Të krijuarit e veprimtarive që zhvillohen së bashku | Veprimtaritë e përbashkëta nxitin dëshirën për të qenë bashkë me tjetrin. Ato bëjnë që vazhdimisht të shmangen keqkuptimet dhe të arrihet një përputhshmëri më e mirë me njëri-tjetrin. Sigurisht që në këtë rast nuk duhen anashkaluar veprimtaritë individuale.

Krijimi i marrëdhënies së shëndetshme kërkon përkushtim të përditshëm. Një marrëdhënie e tillë pavarësisht faktorëve të përmendur më sipër me ndikim pozitiv në të, nuk e zëvendësojnë veçantinë e çiftit. Marrëdhënia ngrihet në tjetër nivel kur “idealja” e mendimeve tona i jep formën reales e konkretes. Në fakt, të kuptojmë se tjetri jemi vetë ne, bën që të pakësohet “lufta”, duke u kthyer edhe vetë ajo në natyrën e shëndetshme të kësaj marrëdhënieje.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top