Marrëdhënie

March 31, 2018 | 13:46

Nga Albjona Rrapaj / Si të zbuloni se keni rënë në dashuri

Gjatë zhvillimit tonë jetësor, përfshihemi nga një mori ndjenjash dhe emocionesh që i vetëofrohen pavetëdijes dhe vetëdijes tonë, shpesh në mënyrë të pakuptimtë e konfuze. Në luftën vetjake për të qartësuar, konfuzioni bëhet gjithnjë e më i lartë. Uni mundohet vazhdimisht të zgjidhë “gjëegjëzat” me këto ndjenja.

Nga Albjona Rrapaj, psikologe shkolle

Nga Albjona Rrapaj, psikologe shkolle

Vështirësia e kuptimit të tyre, ndonjëherë na lë të bllokuar në vet emocionalitetin që ndjenjat na përcjellin. Vetë ekzistenca i sjell në këto forma, në mënyrë që vështirësia e kuptimit të nxisë sigurinë në përjetimin e tyre. Dashuria në dimensionin e saj na ngre shumë dilema, zgjidhja e të cilave jo gjithmonë është e thjeshtë. Sapo përmendet fjala “dashuri”, shumicës i vijnë në mendje emocionet që e bëjnë frymëmarrjen të ndryshojë, emocione që të stampojnë buzëqeshjen plot shkëlqim, emocione që bëjnë sytë të shprehin pozitivistet etj.

Pavarësisht shprehjeve të tilla mjaft të qarta ndjesore, ndjenja e dashurisë nuk është lehtësisht e kuptueshme. Në fakt, konfuzioni më tepër vjen nga ndjenjat e tjera të ngjashme me të. Duke qenë se psikika jonë përmban elemente të pafundme kontradiktore ndjenjash, në një çast te ne prezantohen shumë prej tyre. Pjesa jonë egoiste e qenies kërkon herë pas here arritjen e krenarisë apo dëshirave të momentit. Njëkohësisht, ky egoizëm kërkon dhe posedimin e personit tjetër (partnerit).

Pikërisht në këtë moment fillon obsesioni ose siç quhet në të përditshmen, fiksimi për partnerin. Obsesionaliteti shpesh ngatërrohet me dashurinë, duke bërë të duken e njëjta gjë. Në fakt obsesioni (fiksimi) është kryeneçësia e krenarisë dhe pjesë e instinktit tonë që kërkojnë përmbushje. Kjo do të thotë që më tepër se dashuri për partnerin, del në pah dashuria për vetveten dhe tekat e saj. Ndryshe mund të themi që është dashuria për unin vetjak, i cili kërkon domosdoshmërisht fitoren. Një tjetër ndjenjë ngatërruese e fortë e dashurisë është dhe ajo e varësisë. Çfarë do të thotë kjo?

Jo rrallëherë nevoja për të pasur dikë pranë, për të ndarë momentet tona jetësore dhe për t’u ndjerë se i përkasim dikujt, na shtyn që pavarësisht se mund të mos shohim kombinim ndjenjash me tjetrin, në çift, sërish dëshirojmë ta përkufizojmë si dashuri një situatë të tillë. Madje në disa raste, e kërkojmë forcërisht ta quajmë dashuri, për t’iu larguar ndjesisë që mund të na japë vetmia apo jo përkatësia diku e dikujt. Janë pikërisht këto konfuzione apo gabime që pasojnë problemet e mëdha të mëvonshme të çiftit.

Në kuadër të varësisë, gjithmonë njëri nga partnerët i (zë frymën tjetrit), ose të dy njëri – tjetrit. Varësia konsumon emocione e ndjenja tek të dy partnerët ditë pas dite, duke boshatisur kështu këtë raport njerëzor. Edhe pa e kuptuar, varësia thyen pak nga pak shtyllat e personalitetit të secilit partner, duke e bërë raportin konsumues dhe shkatërrues edhe në nivelin individual, përveçse në çift.

Këto ndjenja pra, obsesioni dhe varësia e turbullojnë shumë pamjen e dashurisë. Dashuria fillon e merr emërtime të tjera si dashuri obsesionale, ose varësi dashurie, por jo dashuri. Kjo është dhe arsyeja e shpjegimit më sipër të këtyre ndjenjave. Duke shmangur obsesionin dhe varësinë, cila do mund të ishte korniza e dashurisë? Më poshtë do listoj ndjenjat që përmbushin përkufizimin dashuri.

Siguria

Ndjesia e të qenit i sigurt me partnerin. Siguri kjo që nuk vjen nga aspekte të jashtme si, pushteti individual apo material i tjetrit. Këtë siguri e ndjen në mënyrë empatike. Pavarësisht se mungojnë arsyet e qarta, ndihesh sikur partneri të mbron. Kjo ka të bëjë me ndjesinë e mbrojtjes të pakushtëzuar.

Dëshira e vazhdueshme për të qëndruar pranë tjetrit

Pavarësisht problemeve apo impenjimeve të përditshme, një pjesë e vetes kërkon forcërisht të qëndrojë pranë tjetrit. Përcjellja e një ndjenje qetësie apo paqeje Në praninë e tjetrit nuk kemi konfuzion ndjenjash, nuk kemi emocione të irrituara. Momenti me tjetrin është i paqtë, i qetë e çlodhës.

Dëshira e vazhdueshme për përkëdhelje e kontakt fizik

Dëshira për ta ndjerë tjetrin në mënyrë të vazhdueshme edhe fizikisht jep gjithnjë kënaqësi.

Dëshira e vullnetshme për t’i bërë gjërat bashkërisht

Kjo ka të bëjë më dëshirën tonë për ta pasur jo vetëm pranë, por edhe ta përfshijmë tjetrin në çdo aktivitet tonin.

Gjatë trajtimit të një teme të tillë, konfuzioni i mendimeve është i pashmangshëm. Duke reduktuar vazhdimisht ndjenjat ngatërruese me atë të dashurisë, ndjesia do jetë gjithnjë e më plotësuese dhe e bukur, për të kuptuar shumë më qartësisht përmbushjen dhe inspirimin që ndjenja e dashurisë i përcjell psikikës kur ajo vjen e pastër plotësisht.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top