Në fokus

November 15, 2018 | 8:16

Nga Alborena Hylviu / Shpenzoni kohë të shëndetshme me fëmijët!

Përgjithësisht pushimet kanë ndikim tepër pozitiv në spektrin emocional të fëmijës dhe të prindërve, pasi jo vetëm fuqizohet marrëdhënia ndërmjet tyre, por edhe vëmendja dhe koha që u jepet, i bën të ndihen mirë emocionalisht.

Alborena Hylviu Psikologe Klinike

Alborena Hylviu
Psikologe Klinike

Pas një periudhe të gjatë dhe të ngarkuar me shkollën dhe mësimet, temperaturat e larta dhe ditët me diell duket se i ftojnë ata drejt pushimeve. Për të larguar stresin e përditshëm dhe ngarkesat e vitit shumë prindër kanë nisur organizimin e pushimeve, prenotime si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Pushimet verore janë jo vetëm të nevojshme për të rriturit për t’u shkëputur psikologjikisht nga ngarkesat ditore, por edhe për fëmijët ndikojnë pozitivisht, pasi është diçka ndryshe nga rutina e tyre e përditshme.

A duhet përpiluar një axhendë për fëmijët gjatë verës? Cilat janë aktivitetet e këshillueshme për ta?

Normalisht, prindërimi nuk ka nevojë për të pasur një axhendë me vete. Por, sa më shumë kohë të kalojë prindi me fëmijën, e favorizon zhvillimin emocional të tij. Lojërat e ndryshme me ta, duke u përfshirë dhe vetë prindërit. Spontaniteti dhe improvizimi i lojërave të ndryshme është tepër efikase në marrëdhënien me fëmijët. Socializimi me fëmijët e tjerë dhe krijimi hapësirave të nevojshme që fëmija të luajë. Gjatë pushimeve, zakonet e përditshme ndryshojnë. Ka më shumë kohë në dispozicion dhe mundësia për të zbuluar horizonte të reja është e pafund. Dhe përballë kërkesave të fëmijëve për pavarësi, ne prindërit ziejmë shpesh nga shqetësimi.

Për më tepër kur kemi brenga faji për shkak se gjatë gjithë vitit punojmë me orë të zgjatura, duke i neglizhuar paksa fëmijët. Pushimet janë një moment i shumëpritur për të qetësuar ndërgjegjen. Është një periudhë ideale dhe shumë intensive ku derdhim gjithë talentin tonë për të kompensuar këtë ndjenjë faji: e kemi të gjithë kohën në dispozicion për të qenë prindër të mirë. Mjekët dhe psikologët janë të mendimit se pushimet ndihmojnë që ne të jemi të shëndetshëm, duke ulur nivelin e stresit.

Sipas Dr. Mel Borins, autor i librit “Pushoni për hir të shëndetit”, një pushim qoftë edhe një ose dy ditor mund të ndihmojë për të ulur presionin e gjakut dhe nivelet e hormonit të stresit, epinefrinës. Psikoterapistët theksojnë se pushimet janë të shëndetshme edhe për fëmijët. Përveç lumturisë dhe kënaqësisë, gjatë pushimeve fëmijët ekspozohen me vende të reja gjeografike, kultura, tradita, gatime të reja dhe eksperienca të cilat zgjerojnë horizontet.

Pushimet verore hapin horizontet dhe mundësinë për eksperienca të reja dhe shkëmbim ndërkulturor; promovimin e paqes së brendshme dhe mirëkuptimit; zhvillimin personal dhe atë social; si edhe forcimin e lidhjeve familjare dhe shoqërore. Një grup ndërkombëtar studiuesish konkludojnë se pushimet familjare kontribuojnë pozitivisht në forcimin e lidhjeve familjare, komunikimit dhe solidaritetit.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 132

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top