Në fokus

June 28, 2018 | 13:01

Nga Anxhela Peza / Dashuria i kalon kufijtë e ndërgjegjes!

Sipas teorive bashkëkohore kemi disa lloje orientimesh për dashurinë. Osho mendon se dashuria fillon duke dashur së pari vetveten, por pa ranë nën ndikim egoist, pa kaluar në stade obsesioni ose narcizmi. “Dashuria për veten është një fenomen thelbësor”. 

Anxhela Peza Psikologe Klinike  dhe Këshillimi

Anxhela Peza
Psikologe Klinike
dhe Këshillimi

Të duash do të thotë të jesh i shqetësuar në mënyrë aktive për jetën dhe rritjen e tjetrit. Dashuria nuk është vetëm një ndjesi pasioni midis dy njerëzve; ka dallim të pafund mes rënies në dashuri dhe “të qenit”në dashuri. Përkundrazi, dashuria është një mënyrë për të qenë, një “dhënie”, jo një “bie”, një mënyrë e lidhjes në përgjithësi, jo një akt i kufizuar për një person të vetëm, sipas Irvin Yalom.

Sa dhe si dashurojnë shqiptarët?

Populli shqiptar është cilësuar për sjellje të rrëmbyer, shfaqje pasioni, gjaknxehtësi dhe për burra të ashpër. Ndërsa femrat shqiptare e tregojnë dashurinë e tyre me fjalë, me vepra, me sakrifica për dashurinë. Jo vetëm kohët e fundit, por edhe më parë natyra e femrës shqiptare ka qenë, të sillet si e vështirë në fillim, një lloj roli për të kuptuar qëllimet e vërteta të një mashkulli. E kjo vërehet në masë ditët e sotme, nga rinia jonë, e cila bën diferencën me europianët apo perëndimorët. Dashuria mbetet ende e mistershme për ta përkufizuar atë. 

Shumë thonë se është respekti për njëri-tjetrin, apo pasioni, ta duash më shumë se veten. Por këto forma kanë marrë përkufizime sipas legjendave të dashurisë, të cilat morën një bujë botërore. Historia e Zhuljetës që u vetëvra për dashurinë. Otello vrau gruan për xhelozinë e tij, apo legjenda e dashurisë në vendin tonë Mali i Vashës. Dashuria ka një epiqendër në ngjizje dhe vazhdon të edukohet nga përrallat te fëmijët.

Për çfarë dashurojmë sot krahasuar me të shkuarën?

Të shumta janë teoritë mbi konceptin dashuri nga çdo fushë e mendimtar që ka folur mbi konceptin e dashurisë. Dihet se në vendin tonë janë shumë të pakta studimet sociale dhe fenomenet e tyre. Njeriu dhe prioritetet e tij nuk janë më njësoj si më parë në kohë apo në sisteme edukuese politike. Pyetjet mbeten pa përgjigje: A dashurojnë më njerëzit? A është dashuria materialiste tani? 

Shumë psikologë kanë thënë se ne biem në dashuri me skemën tonë mendore. Disa të tjerë shpjegojnë qartë lëshimin e energjisë së trurit të të dy gjinive. Për mua s’ka krahasime e shkuara me të sotmen. Dje ishin të tjerë njerëz e të tjerë mentalitete, sot jemi të tjerë njerëz me mentalitete dhe prioritete. Mund të them se dashuria është ndryshe në llojin e formës që merr. Në këndvështrimin tim, dashuria mbetet ndjenja më sublime e njeriut për të cilën jeton. 

Historia njerëzore ka treguar dhe vërtetuar shumëllojshmërinë e të dashuruarit. Është pothuajse e pamundur që njeriu të jetojë pa praninë e dashurisë. Ajo është pjesë e pandarë e procesit të jetës dhe e domosdoshme për balancën e mendjes dhe shpirtit. Nuk është e rëndësishme se çfarë dashurie ushqejmë e kultivojmë, qoftë ajo në raport me polin e kundërt, qoftë ne raport me fëmijët ose prindërit, apo në raport me gjëra të tjera, e rëndësishme është prania e elementit të saj me të gjithë fuqinë dominuese, e cila nuk është kurrë e tepërt për shpirtin njerëzor.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top