FB

January 13, 2022 | 8:15

Nga Arsejda Gjyli / A shërben një Vit i Ri si një fillim i ri?

Në një shkrim kontrovers dhe interesant për nga këndvështrimi, Antonio Gramsci shkruan nëntitullin “E urrej Vitin e Ri”, qasjen e tij perceptive se Viti i Ri nuk përbën një moment historik që shënjon direkt apo indirekt fillimin e një ngjarjeje të re, por vijimësinë kronologjike të historisë sonë individuale ose kolektive.

Arsejda GJYLI / Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Arsejda GJYLI / Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Në këtë këndvështrim duke analizuar situatën aktuale në të cilën ndodhemi, natyrshëm na lind pyetja, nëse Viti i Ri njëlloj si vitet e tjera na shërben apo jo si një mundësi për një fillim të ri? Si do mundemi të tejkalojmë konceptin e vijimësisë kronologjike ndërmjet vitit aktual dhe atij që do të vijë?

Janë dy forma me të cilat mund ta analizojmë, së pari konsistenca e vijimit të jetës dhe ngjarjeve në planin personal apo të ndërveprimit shoqëror, e së dyti një fillimi të ri, kur flasim për rëndësinë historike të ngjarjeve, në rastet e luftërave, rrëzimit të një pushteti autoritar apo edhe në kontekstin aktual të tejkalimit të pasojave fizike, psikologjike dhe sociale të një pandemie me impakt botëror.

Gjithmonë shoqërive i duhet një fillim i ri për rimëkëmbjen, ku të mbështesin pikat e tyre të ringritjes dhe lulëzimit ekonomik, kombëtar dhe sociopolitik. Sot përballemi me një situatë ku përplasja mes qytetërimeve ka kaluar në një plan të dytë, ku rëndësi nuk ka nacionaliteti apo kombësia, pasurimi apo ngritja ndërpersonale por me rëndësi është jeta dhe një qasje e sigurt për vijimësinë e jetës dhe të ardhmes tonë. Ndaj në këtë perspektivë, teoria e Gramscit mbi Vitin e Ri bie ndesh me momente të tilla jetësore, të cilat na e imponojnë që fillimvitin ta shohim si një mundësi për rikthim tek normaliteti dhe jeta e sigurt.

Në këtë kontekst Viti i Ri nuk përbën as vijimësinë e ngjarjeve të një viti më parë, as edhe kronologjinë e disa ngjarjeve aspak famëmirë. Shtetet dhe Organizatat ngrihen me pretendimin se në vijim do të kemi një zgjidhje të situatës përmes vaksinimit e se e ardhmja premton rikthim të sigurisë kombëtare dhe shoqërore.

Së fundmi në një plan shoqëror dhe psikologjik, gjithashtu shërben besimi dhe mbështetja në argumentet se me ardhjen e një viti të ri do të kemi një përmirësim të situatës dhe një rimëkëmbje në të gjitha aspektet e jetës. Kjo sepse çdo moment historik bën të mundur unifikimin e aspektit shoqëror, politik dhe individual në një qëllim të vetëm, atë të garantimit të jetës dhe lirive themelore.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top