FB

February 3, 2022 | 8:10

Nga Arsejda Gjyli / Universaliteti i ndjenjës së dashurisë

Duke analizuar kulturat e ndryshme, vëmë re faktin se në bazë të karakteristikave të formësimit të tyre shoqëror, komponentë të tillë si feja, shkollimi, barazia gjinore, e shkuara historike, zhvillimi socio-ekonomik etj., krijohet edhe perceptimi që shoqëritë qoftë kolektivisht apo individualisht kanë për marrëdhëniet sociale, dashurore si dhe për vetë ndjenjat.

Në këtë këndvështrim na dalin në pah dy pikëpamje për mënyrën se si njerëzit dashurojnë: e para lidhet me universalitetin e dashurisë si ndjenjë dhe e dyta me mënyrën se si individët dhe shoqëritë janë orientuar nëpërmjet normave dhe rregullave për të manifestuar dashurinë. Nëse e shohim nga një këndvështrim filozofik, ajo përpiqet të japë një shpjegim mbi faktin nëse dashuria si ndjenjë ekziston apo jo e ndarë nga aktiviteti fizik. Pra filozofikisht ne përpiqemi të ndajmë objektiven nga subjektivja, të dashurisë si ndjenjë sublime kundrejt dashurisë si intimitet.

Kësisoj, nëse dashuria në vetvete ekziston, ajo është qartësisht e ndarë nga procesi fizik dhe intim. Ajo na vjen si një ndjesi afeksioni dhe afrimiteti i cili bashkon dy individë në përpjekjet për të tejkaluar dallimet mes tyre përmes ndjesisë. Nga ky këndvështrim shohim se në aspektin individual dashuria e cila jetohet nga dy persona është një përjetim i brendshëm, i cili tejkalon tabutë apo rregullat e vendosura nga shoqëria apo që formësojnë kulturën, e si të tillë edhe marrëdhëniet mes aktorëve socialë.

Por a mundet që në çdo kulturë e shoqëri dashuria, si një ndjenjë e cila së brendshmi shfaq afeksionin dhe lidhjen mes dy individëve, të manifestohet publikisht apo të miratohet me të njëjtin mirëkuptim nga shoqëria? Koha e ka treguar se shpesh universaliteti i ndjenjave bie ndesh me strukturat shoqërore dhe rregullat fetare, ligjore e morale. Për shembull, në vendet e Lindjes së Mesme manifestimi publik i ndjenjave mes një çifti të dashuruar do të konsiderohej jo normale, marrëdhënia mes dy individëve me bazë dashurinë por pa u lidhur në martesë të ligjshme do të konsiderohej moralisht/ligjërisht e dënueshme.

Po ashtu në shumë vende puthja dhe përqafimi në publik nuk është i lejueshëm për rrjedhojë mund të dënohesh në rastet e shfaqjes së një sjellje të ngjashme. Po ashtu, dashuria në shoqëritë maskiliste është e lidhur ngushtësisht me objektivitetin e saj, kryesisht me konceptin e virgjërisë dhe aspektin moral që ajo përfaqëson. Ky koncept sado i vjetruar qoftë i ka dhënë ndjenjës një konotacion të prekshëm dhe ka formësuar edhe perceptimin vetjak që çiftet e reja kanë për dashurinë.

Si përfundim, mund të themi se përjetimi i dashurisë në shoqëri nuk përbëhet vetëm nga afeksioni apo ndjenja e konsoliduar dhe interaktive mes një çifti, por edhe dogma morale që e shoqëron atë. Individualiteti i ndjenjës dhe universaliteti i saj kurrsesi nuk mund të shihen të ndara nga edukimi, formimi dhe koncepti shoqëror që ne kemi për dashurinë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 164

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top