FB

February 6, 2023 | 10:42

Nga Arsejda Gjyli / Vetëbesimi, ndikimi në imazhin për veten…

Një shprehje e famshme e autorit Earl Nightingale thotë se, ne bëhemi ajo çfarë mendojmë pjesën më të madhe të kohës dhe ky është sekreti më i çuditshëm. Nightingale është një autor amerikan i njohur për studimet e tij mbi subjektet e zhvillimit të karakterit njerëzor, motivimit dhe kuptimit të ekzistencës.

Nga Arsejda Gjyli, Lektore në Shkencat Politike, Analiste

Kjo shprehje mbetet një nga misteret më të mëdha për t’u shpjeguar në terma praktikë, por padyshim në kuadër të një arsyetimi psikologjik dhe filozofik mbetet një nga konceptet më racionale sa i takon vetëbesimit dhe mendimit të individit për qenien e tij. Ambienti adekuat ku ne lindim dhe rritemi, edukimi, formimi personal si dhe perceptimi për veten janë ndër komponentët kryesorë në rrugën e gjatë të suksesit dhe të realizimit vetjak. Padyshim se njeriu ndodhet shpesh në rrethana të ndryshme të cilat kushtëzojnë zgjedhjet dhe vendimet për të ardhmen. Në këtë pikë, një lojë shumë të rëndësishme ka edhe fati, i cili shpeshherë ndryshon disa koordinata në rrugëtimin e secilit.

Por në këtë kontekst këto koncepte janë shumë të papërfillshme, kundrejt një qëllimi thelbësor dhe të mirëpërcaktuar që individi ka në jetë, kundrejt synimeve të qarta se ku do të arrijë si dhe ndaj dikujt që i njeh aftësitë e tij dhe është i bindur në suksesin vetjak. Sipas teorisë së lojës, e cila është një nga teoritë më të famshme probabilitare të shpjegimit të mënyrës sesi ndodhin ngjarjet në jetën tonë si dhe mbi mundësitë që ka një ngjarje të ndodhë ndaj një ngjarjeje tjetër, fati është e pashpjegueshmja dhe rastësorja që në të shumtën e rasteve ndryshon krejt rrugëtimin. Ajo që teoria e lojës shpjegon është se në përditshmëri secili nga ne ka një probabilitet prej pesëdhjetë për qind që të arrijë synimin e tij ose të bëjë një ngjarje të ndodhë. Probabiliteti ndryshon vetëm nga vendosmëria dhe intensiteti i punës për të arritur një qëllim të caktuar.

Në terma më subjektive, njeriu motivohet nga synimet dhe nga imazhi që ka krijuar për veten dhe kjo reflektohet në nënndërgjegje si dhe në veprimet e tij reale. Në qasjen psikologjike mendimi që ne kemi për veten, fryma optimiste e mendimeve për qëllimet që i kemi vënë vetes, vendosmëria dhe konceptimi i vetes si fitimtar rezultojnë që në të ardhmen të bëhemi të tillë.

Kjo sepse energjia pozitive dhe vendosmëria nxit motivimin për të punuar më shumë si dhe për të qenë vetvetja. Shpesh kjo kërkon edhe heqjen dorë nga disa situata të sigurta, marrjen e rrisqeve dhe iniciativave si dhe formimin personal. Secili nga ne shpesh e glorifikon ose e nënvlerëson vetveten përkundrejt disa aftësive apo vendimeve në jetë, por ajo që duhet thënë është se steriotipizimi i vetvetes apo energjia negative prodhon vetëm regres.

Çdo vendim i gabuar është një shkallë e ngjitur drejt suksesit, është një mësim dhe investim në formimin personal/ profesional. Ndaj duhet ta trajtojmë vetveten me besim, respekt dhe vlerësim të lartë që kjo gjë të na kthehet mbrapsht në të ardhmen.

Mendimet që kemi, mënyra sesi arsyetojmë si dhe gjithçka që kemi kultivuar në vite, në të ardhmen shndërrohet në veten tonë, e cila na vjen si triumfatore apo kokëulur.

 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.176, muaji Shkurt

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top