Dëshmi

June 27, 2018 | 11:23

Nga Bardha Alimeta / Model brezash: Liria, arsimtarja që luftoi për emancipimin e grave të Librazhdit

Në një kohë ku çdo ditë e më shumë flitet për largimin e intelektualëve nga qytetet e vogla drejt qyteteve të mëdha, apo jashtë kufijve për një të ardhme të mirë, personalitete si Liria dhe Zeneli dëshmojnë më së miri vlerat e tyre në një qytet ku ka gjithmonë akoma për të dhënë. Edhe pse në moshë pensioni, Liri dhe Zenel Leka treguan aftësinë e tyre për t’i dhënë këtij qyteti, duke kontribuuar në emancipimin e tij dhe zhvillimin e zonave të thella të Librazhdit me profesionet e tyre.

Fatbardha Alimeta, psikologe këshillimi

Fatbardha Alimeta, psikologe këshillimi, publiciste

Ishte vetëm 21-vjeç kur do t’i duhej të linte Tiranën për Librazhdin, një qytet për të cilin nuk kishte menduar ndonjëherë se do të shkelte atje.

Ishin vitet 1960. Në ato fillime, Librazhdi po niste të reformohej si qytet administrativ. Liria do të shkonte atje si të gjithë të rinjtë e të rejat që mbaronin universitetin dhe duhej të shkonin në zonat rurale për të dhënë kontributin e tyre në këto vende të pazhvilluara, ku kishte mungesë kuadrosh. Por, që nga ajo kohë, Liria jo vetëm që erdhi e punoi në Librazhd, po ajo u bë nuse në këtë qytet të vogël, mikpritës e të dashur.

Në ato lëvizje rinore, ajo do të njihej me bashkëshortin e saj, Zenel Lekën, një agronom i cili e bëri për vete atë. Liria nuk e shihte më me dyshim këtë qytet dhe nuk kishte menduar më që të largohej nga këtu. Ajo u vendos me punë në shkollë, si mësuese historie dhe më pas, bashkë me Zenelin kurorëzojnë dashurinë e tyre. Të dy ata kanë punuar për ta zhvilluar qytetin e Librazhdit, që në atë kohë kishte shumë nevoja.

qytet-librazhd-liriaVitet ikin e më pas vjen në jetën e tyre Etleva, një vajzë e bukur, e cila do t’ia mbushte jetën Lirisë. Puna si mësuese i jepte Lirisë një kënaqësi të madhe. Ajo e bënte atë me përkushtim, dhe falë atij përkushtimi edhe sot i thërrasin mësuese Liria.

Ajo ishte një grua me karakter të fortë, e dashur dhe e mirë me nxënësit. Nuk merrej vetëm me mësuesinë, por ishte e organizuar edhe në shumë detyra të tjera për t’i shërbyer edukimit të të rinjve. Po ajo që ishte e veçantë tek kjo grua, ka qenë gjithmonë mënyra se si ajo punonte.

Vitet ikin dhe vjen mosha e pensionit, por jo për një grua luftarake si Liria. Ajo punon ende për emancipimin e grave dhe vajzave të rrethit të Librazhdit. Ajo ishte nga organizatoret e para të Gruas në rreth, e cila bëri një punë të jashtëzakonshme për t’i integruar dhe mbështetur këto gra.

2Projektet e saj shtriheshin në zonat e thella, aty ku kishte edhe më shumë probleme. Liria gjithmonë mbeti mësuesja e brezave. Me gjithë pasionin e saj për punën edukuese, ajo nuk i ndahej Zenelit e së bashku punonin me projekte si vreshtaria në zonat malore. Të dy bënë një punë shumë të mirë për ngritjen e kapaciteteve të bujqërve, duke i trajnuar ata se çfarë duhej të mbillnin e si të krijonin vreshtaritë e tyre apo dhe mundësinë e rritjes së njohurive për blegtorinë.

Nismat e Lirisë në ndihmë të komunitetit janë të shumta. Ajo i jep kurajë çdo gruaje që lufton me vdekjen, sepse vetë Liria e sfidoi atë. Sëmundja e gjatë nuk e përkuli Lirinë. Ajo me mbështetjen e dashurinë e gjithë familjes, së saj, e kapërceu atë sfidë dhe çdo ditë ajo është aktive e punon me përkushtim.

gruajaModeli i Lirisë është frymëzues për të gjitha ne. Është krenari që ajo është pjesë e qytetit të Librazhdit, si një ikonë e çmuar për shembullin e saj. Liria rrethohet me dashurinë e të gjithë brezave dhe të gjithë qytetit, të cilët e nderojnë për veprën e saj.

Liria, kjo vajzë 21-vjeçare dje, dhe sot në pension, vazhdon të jetë e bukur, ashtu si shpirti i saj!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top