Në fokus

December 27, 2017 | 13:51

Nga Besarta Taçi: Për ty!

Unë nuk te të njoh, por vendosa të jap diçka pikërisht ty që nuk po arrin t’i përjetosh festat.

Sot ndjehem afër atyre që në këto ditë festash po përjetojnë vuajtje e po mundohen me të gjitha forcat e tyre t’i mbijetojnë dhimbjes.

Besarta Taçi, psikoseksologe, Drejtoreshe “Qendra Klinike-Psikoseksuologjisë- EMDR

Atyre që nuk arrijnë dot ta ndjejnë atmosferën e festës, dhe mendojnë që është e kotë të zbukurosh shtëpinë, të gatuash një ëmbëlsirë, t’i telefonosh një të afërmi, të thuash “gëzuar”!

Urimet e mia sot u shkojnë personave të cilët 2017 i ka vendosur përpara një eventi të paimagjinueshëm, të paparashikueshëm, atyre që kanë humbur dikë, atyre që i kanë diagnostikuar një sëmundje të rëndë, atyre që nuk ia kanë dalë në vendimet e tyre, atyre që kanë pësuar një tradhti-ndarje-braktisje, atyre që mendojnë se buzëqeshjen e fundit të jetës së tyre e kanë përjetuar para dhimbjes që i ka ndodhur.

Këtyre personave i them, që kanë të drejtë është e vërtetë që: “s’mund të ndjej kurrë atë që ti po përjeton, por mundem vetëm të respektoj dhimbjen tënde, por mos lejo që ajo ndjenjë të pushtojë të gjithë qenien tënde, që çdo grimcë jete të përpihet nga e kaluara, prandaj të them “lëre të shkoj dhimbja”mos e mbaj fort të shtrënguar në zemër atë hidhërim”.

Dilni nga errësira që ju përfshin, vendosni të ndihmoni veten tuaj, duke i pranuar ftesat që çdokush ju bën, mos ndaloni apo bllokoni çdo tentativë për t’ju afruar, se muri i cili po ndërtoni, do jetë i vështirë edhe për ju për ta kapërcyer. E di që festat, dritat dhe zbukurimet sot të trishtojnë më shumë, sepse mendon që nuk ka asgjë për të festuar, por i afërmi nuk kthehet nëse rrini çdo ditë të mbyllur, duke vajtuar për të; sëmundja nuk përmirësohet nëse e dorëzoni veten para saj; objektivi juaj nuk realizohet nëse nuk reagoni ndryshe, kush ju ka braktisur nuk ju ka vlerësuar mjaftueshëm, ju mos bëni të njëjtin gabim.

Prandaj vlerëso edhe gjestin më të vogël kur të thërrasin për kafe persona që nuk del shpesh, prano; kur komshia të bën një kompliment, buzëqesh; kur gjyshja të përgatit pjatën që të pëlqen shumë, falëndero; kur në punë të lavdërojnë, mos e ul kokën, por shijoje!

Dikush pa e ditur ti, në këto ditë festash lutet për ty, që ti të dalësh nga kjo errësirë. Ndihmoje edhe ti veten, e di që është e vështirë, që askush nuk e kupton dhimbjen tënde, vuajtjet që po përjeton.

Unë, Besarta, thjesht sepse më erdhe në mendje, sot po të sugjeroj një ushtrim. E krijova posaçërisht për këtë situatë që po përjeton. Konsideroje si një dhuratë që të vjen nga larg, fundja unë s’të njoh fare, ama unë sot mendova për ty!

besarta-taciMerr 2 shishe bosh:

Shishja 1: Shkruaj të gjitha gjërat e dhimbshme që të është dashur të përjetojë gjatë 2017, por që sot vendos t’i mbyllësh njëherë e përgjithmonë në këtë shishe. Përsëriti vetes: “Lëre të shkojë” për çdo fjalë apo fjali që shkruan, kur një ditë do e ndjesh veten gati, do e hapësh.

Shishja 2: Shkruaj të gjitha dëshirat, objektivat, emocionet që do doje të përjetojë në 2018; për çdo fjalë, fjali që shkruan, përsëriti vetes si urim: “Unë do ia lejoj vetes të përjetoj në 2018”.

Mbylli të dyja dhe vendos se ç’mund të bësh me to. Vetëm ti e di përmbajtjen e tyre. Nëse zemra jote ka përjetuar dhimbjen, ajo është në gjendje të përjetojë edhe lumturinë.

Gëzuar Festën tënde!

Besarta Taçi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top