Në fokus

December 23, 2017 | 15:28

Nga Besmir Guri: E drejta e pronësisë mbi gruan

E drejta e pronësisë është një terminologji juridike, ku në dispozitat e Kodit Civil shprehet qartë e drejta e pronësisë dhe posedimit të sendeve. Megjithatë, një tjetër dispozitë e pashkruar në letër, por thellë në mendësinë e shumë meshkujve, pretendon të drejtën e pronësisë mbi gruan!

MSc.Besmir Guri, Psikolog

MSc.Besmir Guri, Psikolog

Vrasjet barbare të bashkëshortëve vazhdojnë sepse ligji mendësor-kriminal mbi të drejtën e pronësisë mbi gruan vazhdon, e ku ngjarje të tilla nuk përjashtojnë asnjë cep të Shqipërisë! Arketipi i femrës së nënshtruar ndër vite siç duket, jo vetëm është vështirë të ndryshohet, por kërkon dhe flijimin e shumë nënave, motrave, bashkëshorteve dhe vajzave tona, që duhet ta paguajnë me gjakun e tyre, deri sa të përmbushet instinkti shtazarak-kriminal i meshkujve, për t’ia marrë jetën atyre që janë burim i jetës. E deri sa kjo të ndodhë dhe të meritojmë të quhemi njerëz, Zoti na faltë!

dhuna

Dhuna në familje

LIGJI Nr. 9669, dt 18.12.2006 “PËR MASA NDAJ DHUNËS NË MARRËDHËNIET FAMILJARE” e përcakton dhunën në familje në formën e çdo veprimi apo mosveprimi të një personi ndaj një personi tjetër, që është apo ka qenë në marrëdhënie familjare, e që sjell si pasojë cenim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social, ekonomik.

Cilat janë format e dhunës në familje?

Ka disa forma të ndryshme dhune në familje, dhe një person mund të jetë subjekt i më shumë se një forme. Ato janë:

Abuzimi fizik: Përfshin përdorimin e forcës fizike në mënyrë të atillë që lëndon dikë ose e vë atë person në rrezik lëndimi, duke përfshirë: rrahje, goditje, shkundje, shtyrje, mbytje, kafshime, djegie, shkelmime, ose sulme me armë deri në vrasje. Forma të tjera të abuzimit fizik mund të përfshijnë izolim ose çdo përdorim tjetër të rrezikshëm apo të dëmshëm force ose shtrëngimi.

Abuzimi dhe shfrytëzimi seksual: Të detyrosh dikë që të marrë pjesë në veprimtari seksuale të padëshiruar, të pasigurtë ose degraduese, ose përdorimi i taktikave poshtëruese ose të tjera për të të ulur, kontrolluar ose kufizuar seksualitetin e personave ose zgjedhjet e riprodhimit.

Abuzimi emocional: Nënvlerësimi në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme i vlerave dhe cilësive njerëzore të viktimës, kriticizmi dhe poshtërimi i veprimeve të kryera prej saj.

Abuzimi psikologjik: Trembja, kërcënimi dhe krijimi i një situate frikësuese për viktimën, nëpërmjet veprimeve që e ndalojnë të kryejë takime pa leje apo moslejimi i daljes jashtë vendbanimit pa lejen e personit që ushtron këtë abuzim.

Abuzimi ekonomik ose financiar: Mosdhënia e parave që janë të domosdoshme për të siguruar ushqim apo trajtim mjekësor, shfrytëzimi i një personi për përfitim financiar, mohimi i aksesit për burime financiare, ose pengimi i një partneri që të punojë.

Pasojat e dhunës në familje mbi gratë

Nuk ka dyshim se viktima e parë e dhunës ne familje është vetë gruaja që e përjeton atë. Studimet mbi këtë problem tregojnë se, gruaja reagon në forma të ndryshme ndaj dhunës në familje. Shumica prej tyre reagojnë duke fajësuar vetveten për dhunën në shtëpi. Ato gjithmonë besojnë se mund ta kishin shmangur nevrikosjen e partnerit të tyre. Ato harrojnë ose nuk duan të besojnë se bashkëshorti do të gjejë një arsye tjetër për t’i dhunuar ato. Ato mbartin shumë stres mbi vete, duke u përpjekur të kontrollojnë sjelljet e tyre dhe të kënaqin burrat e tyre. Një grup tjetër i grave të abuzuara, ndjehen të pashpresa në situatën që ndodhen, sepse ato mendojnë se dhuna në familje është pjesë e pashmangshme e jetës bashkëshortore. Ato kanë parë të njëjtin model me nënat e tyre dhe kanë dëgjuar-mësuar se edhe gjyshet e tyre nuk kane qenë më mirë. Kështu, ato e pranojnë dhunën si pjesë të jetës së tyre. Grupi i tretë i grave të dhunuara fillojnë të nënvlerësojnë veten dhe mendojnë se ato nuk janë të përshtatshme për partnerët e tyre. Ato besojnë se nuk kanë vlera, se ato nuk vlejnë për asgjë, nuk janë të zonjat të bëjnë asgjë dhe e vendosin veten në pozicion pabarazie, deri ne varësi të plotë ndaj bashkëshortit të tyre. Gra të tjera reagojnë duke u ankuar për sjelljet e burrave të tyre, fillimisht mes familjarëve dhe më pas, në rastet e dhunës se përsëritur, ato kërkojnë ndihmë te specialistët. Të tjera gra reagojnë duke u larguar nga shtëpia dhe duke kërkuar strehim te familjarët apo në strehëzat e pakta që ekzistojnë për gratë e dhunuara. Disa të tjera fillojnë të kenë probleme të shëndetit mendor të formave të ndryshme si: vetëvlerësim të ulët, mungesë shprese, luhatje humori, mungesë kënaqësie, stres kronik, ankth të niveleve të larta, panik sa herë bashkëshorti është prezent, të cilat me zgjatjen e tyre në kohë, mund të çojnë deri në depresion klinik apo mendime vetëdëmtuese, të cilat kërkojnë trajtim psikologjik për t’u rehabilituar më tej.

Dhuna në familje, dhuna ndaj gruas dhe veçori ligjore të trajtimit të saj

Rreziqet potenciale për dhunë ndaj gruas

Dhuna ndaj grave konsiderohet si shkelja më e përhapur në botë e të drejtave të njeriut. Mendohet se “Në mbarë botën shkaku kryesor i vdekjes dhe i plagosjes së grave është dhuna e ushtruar nga partnerët e tyre”. Shkalla e lartë arsimore e gruas dhe e pjesëtarëve të tjerë në familje ose gjendja ekonomike e tyre, nuk janë faktorë që e përjashtojnë kategorikisht dhunën, por janë faktorë që e rrisin mundësinë e viktimës për të reaguar me mjetet ligjore në fuqi.

Rajoni i Ballkanit njihet për tradita patriarkale të shoqërisë, ku burri ka marrë një rol të veçantë në familje, ndërsa në Shqipëri e drejta zakonore, e zhvilluar rreth shekullit të XV-të, por që ruan ende influencën e tij në disa krahina të vendit, edhe pas krijimit të shtetit ligjor, artikuloi norma sjelljeje që jo vetëm diskriminojnë gruan, por përligjin edhe dhunimin e të drejtave të saj. Faktorë të tjerë janë dhe: niveli i ulët social-ekonomik, niveli i lartë i varfërisë, edukimi i dobët i brezave të rinj, niveli i ulët i shkollimit dhe niveli i ulët i kulturës demokratike të shoqërisë, tranzicioni i vështirë që po kalon vendi.

Një nga angazhimet më serioze të komunitetit ndërkombëtar është hartimi i konventës së OKB-së “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas”.

Konventa orienton në këto drejtime:

  • Eliminimi i diskriminimit në drejtim institucional
  • Masa për zhdukjen e pabarazisë së mbartur historikisht
  • Masa për zhvillimin e gruas dhe pjesëmarrjen e saj në jetën politike, ekonomike, shoqërore e kulturore
  • Njohja e gruas si e barabartë me burrin para ligjit etj.

Ky vit në Shqipëri po mbyllet me 10 gra të vrara si pasojë e dhunës në familje. Edhe pse kjo shifër është rreth 7 për qind më e ulët se vitin e kaluar, ajo mbetet shqetësuese në raport me popullsinë e vendit prej 2.9 milion banorësh, ku gjysma e saj janë gra. Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, çdo ditë në Shqipëri arrestohen mesatarisht dy meshkuj për shkak se kanë ushtruar dhunë fizike në familje dhe një në çdo tri gra përjeton dhunë në familje gjatë jetës së saj bashkëshortore. Në 90 për qind të vrasjeve nga krimi në familje, autorët janë meshkujt. Vetëm në periudhën janar-gusht 2017, janë denoncuar rreth 3.000 raste dhune dhe janë arrestuar 478 meshkuj. Po gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave zyrtare, në shkallë vendi nga 2100 çështje që janë shqyrtuar nga gjykatat, një e treta e tyre janë mbi dhunën në familje, ndërkohë që përllogariten që të jenë lëshuar rreth 800 kërkesa të grave për urdhra mbrojtjeje nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët dhunues. Po kështu, në raportin për vitin e kaluar të Policisë së Shtetit theksohet që 38 për qind e gjithë vrasjeve u shkaktuan nga krimi në familje.

Pas këtyre shifrave, mbetesh pa fjalë. Aq më tepër kur duke e njohur realitetin e shoqërisë tonë, e dimë mirë se është edhe më keq nga sa flasin këto shifra. Një pjesë e mirë e rasteve të dhunës nuk denoncohen kurrë. Nuk mund t’i matësh. Ashtu siç sqaron edhe INSTAT-i, se në Shqipëri është e vështirë të matet niveli për përhapjen e dhunës në familje, pasi ky fenomen konsiderohet si çështje familjare, ku si rrjedhojë, ndër faktorët që mund të ndikojnë në raportimin e ulët të dhunës në familje, mund të përmenden turpi, frika nga ndëshkimi dhe normat kulturore.

Një pjesë e madhe e rasteve mbetet pa u denoncuar, pasi viktimat nuk e shohin dhunën si një çështje të drejtash ku hyn shteti, shoqëria, komuniteti. Jo të gjitha viktimat ose ato potencialisht viktima të dhunës në familje në Shqipëri, e kanë informacionin/vetëdijen e plotë se, e drejta e jetës është një e drejtë bazë e njeriut, e sanksionuar në Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara dhe Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian. Në procesin e afrimit të Shqipërisë me BE-në, respektimi i kësaj të drejte përbën një tregues për vëmendjen e institucioneve dhe shoqërisë ndaj fenomenit dhe vlerave mbi të cilat është ngritur BE.

Ambasadorja e Delegacionit të BE në Shqipëri, Romana Vlahutin, në një takim me aktivistë të shoqërisë civile për të drejtat e gruas në Shqipëri, duke iu referuar situatës aktuale theksoi se: “Gratë përbëjnë një nga vlerat, asetet më të mira që ka Shqipëria. Ato janë një kapacitet jashtëzakonisht i madh për Shqipërinë, i cili nuk po përdoret. Përgjegjësia bie mbi shtetin. Shteti duhet të sigurojë zgjidhje sistematike për probleme sistematike.”

Rezoluta e Parlamentit: Një rezolutë e Parlamentit, ku ndër 140 anëtarë të tij, 40 janë gra deputete, i kërkon shtetit të marrë përgjegjësitë e tij për të ndryshuar situatën. Kërkesat kanë një rreze të gjerë. Ato fillojnë që nga propozimet që shteti duhet të bëjë për ndryshime ligjore deri tek ngritja e infrastrukturës së munguar institucionale dhe fuqizimin e asaj ekzistuese, si bazë për zbatimin efikas të kuadrit ekzistues ligjor për rastet e dhunës në familje. Rezoluta i kërkon qeverisë të rishikojë masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje dhe të ndryshojë situatën, ku viktima edhe pas marrjes nga gjykatat të urdhrit të mbrojtjes lihet të bashkëjetojë në të njëjtën banesë me dhunuesin pasi mungojnë strehëzat e mjaftueshme, qendrat sociale apo fondet që pushteti lokal t’u ofrojë apartamente me qira viktimave të dhunës për të shmangur bashkëjetesën me dhunuesin pasi ai është denoncuar. Qëndrimi në të njëjtën banesë i viktimës me dhunuesin ka rezultuar shpeshherë në përsëritjen e dhunës, deri në vrasje. Vëmendje të posaçme rezoluta i kushton rolit të qeverisë për fuqizimin ekonomik të grave nëpërmjet skemave të mbështetjes me grante nga shteti të viktimave të dhunës për riintegrimin e tyre në shoqëri.

Edukimi qytetar dhe ndryshimi kulturor, hap themelor për një shoqëri pa dhunë

Në përmirësimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të situatës luan rol edukimi qytetar dhe ndryshimi i mendësisë patriarkale ku burri e sheh gruan si pronën e vet, mendësi që gjeneron marrëdhënie të dhunshme ndaj saj. “Sistemi arsimor duhet t’i kushtojë rëndësi të dorës së parë edukimit qytetar dhe paqësor të djemve dhe vajzave, që modeli i sjelljes së tyre gjinore t’i kundërvihet modelit patriarkal që ata mund të kenë në familjet apo komunitetet e tyre. Që nga arsimi parashkollor deri në arsimin e lartë duhet nxitur ndryshimi kulturor, edukimi qytetar me parimet e barazisë gjinore, respektin reciprok dhe kundërshtimin e stereotipeve për rolin e djemve dhe vajzave në shoqëri”.

Rezoluta i kërkon qeverisë që brenda muajit janar 2018 qeveria të paraqesë propozime konkrete për ndryshime ligjore, ashpërsim të parashikimeve ligjore për amnisti apo kushte lehtësuese të rasteve të dënimit për krimin në familje dhe angazhimin e strukturave të shtetit për të ndryshuar mendësinë dhe kulturën e shoqërisë ndaj stereotipeve të dëmshme gjinore të formëzuara ndër shekuj në shoqërinë tonë. E gjitha në funksion të rolit dhe vendit të gruas në familje, komunitet, shoqëri.

Për një siguri sa më të lartë e zgjidhje të problemit, lufta ndaj këtij fenomeni, duhet të jetë shumëdimensionale: ligjore, ekonomike, sociale, edukativo-kulturor.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top