Dëshmi

June 28, 2018 | 10:33

Nga Donila Pipa: Dinjiteti njerëzor dhe çudirat alla shqiptare, a ia vlen të jetosh në vendin tënd pa u diskriminuar?

Sot nisa të shkruaj këtë histori, pasi jam e sigurt që shumë të rinj edhe të reja, qytetarë të këtij vendi, diskriminohen, si në pagë, si në të drejtën e informimit nëpër institucione publike apo private, duke mos menduar për asnjë moment për dëmin moral që i shkaktohet individit, në dinjitetin  e tij.

PhD.Donila PIPA

PhD.Donila PIPA

Dinjiteti njerëzor apo diskriminimi janë disa parime jo  vetëm evropiane, por dhe ndërkombëtare, ku bota e qytetëruar i lufton ditë për ditë… po ne?

Eh, ne! Ne jemi në një rrugë që duam të arrijmë Europën, por kemi ngecur në klasë, pasi kemi humbur shpresën që ky vend do të bëhet një shtet i së drejtës.

E di që shumica do më kundërshtojnë, por mendoj që e vetmja mundësi që të rifitojmë dinjitetin njerëzor dhe të mësohemi të respektojmë individin, janë hapja e negociatave, jo se klasa politike e meriton, jo fare, ne shtetasit shqiptarë, të cilët shumë herë ndihemi si  ekstrakomunitarë e meritojmë, sepse është e vetmja ëndërr për ne që Shqipëria mund të bëhet një shtet ku individi të respektohet, mos diskriminohet dhe t’i paguhet edhe dëmi moral që i shkaktohet nga burokracia e administratave, e një ligji jo të mirë, apo e një sistemi arsimor i miqësive dhe klaneve.

Po e nis nga përvoja ime, e një viti plot me dështime, por ama dështime të bukura, pasi më mësuan që asnjë nga ne që i mbyllet një derë, sepse nuk është pjesë e një partie, apo klani, duhet të dorëzohet!

diskriminimDiskriminimi fillon që në momentin që t’i thirresh për një konkurs për një vend pune në një universitet privat, ku të duket vetja dhe i thua vetes pse vajta, kur s’njoh njeri, s’kam miq në këtë institucion? Edhe kjo arrin kulmin e nervave kur as si merren në punë punonjësit, as çfarë kriteri për eliminimin apo përzgjedhjen jo vetëm që nuk afishohet, por më e bukura, pasi kalon një javë, dy, pasi ti dërgon e-mailin, merr një përgjigje, “…..”.

Shqipëria është aq e vogël sa të dalësh me dikë për kafe, merr vesh çdo gjë, dhe e bukura, në vendet e punës funksionojnë si pedagoge “Full time”, (se duhet grada dhe titujt që të funksionojë një departament), shumica e kolegëve që punojnë në dy apo më shumë universitete si full time, por me orë, apo edhe raste kur leksionet i japin Msc, dhe Dr. Kand,… kur ligji revolucionar dhe reforma e  Arsimit të Lartë shkruan diçka tjetër.

Ka nga ato institucione publike, që edhe njoftimin e vendosin në sitin e institucionit, pa një numër protokolli dhe datë, dhe më e bukura vendosin edhe afate, n.q.s nuk aplikon brenda një afati, ti skualifikohesh, por kur fillon ky afat se? Apo përsëri, ti nuk lodhesh së dërguari CV-në, dhe merr një përgjigje që të vjen të qeshësh dhe të qash me të madhe: “Për arsye teknike vendi u pezullua!”

Apo edhe raste që të marrin në telefon që je përzgjedhur, dhe pasi del prapë në komision, të pyesin: “Po a e bën dot ti këtë punë?”, kur Kodi i Punës të dashur komisione rekrutimesh, përcakton dhe kohën e provës apo erdhe raste kur të thonë, që “ne jemi dakord, por vendimin e merr administratori”, kur me ligjin e ri është Rektori ai që firmos kontratën.

Ti shikon dhe ndihesh e diskriminuar se si shumë persona të tjerë punojnë, dhe punon njësoj me ta, dhe paguhesh me orë, kur je e konsideruar si Full Time. Diskriminim pagash, që të zë koka t’i mendosh, si nuk respektohet parimi, për punë të njëjtë dhe pagë të njëjtë”, dhe më e bukura, nuk merr dot as asistencë sociale, pasi njerëzit që largohen nga puna, janë të përjashtuar nga kjo e drejtë. Po dëmin moral, dinjitetin tënd njerëzor s’ta paguan asnjeri, madje rezulton që je e papunë sepse nuk besoj se ka ndonjë individ në Shqipëri që ka luksin të lërë punën për arsye banale, por shumë herë ndihet i fyer në të drejta, i diskriminuar, i përjashtuar në pagë, në dinjitet, pavarësisht se do të punojë dhe jetojë si shtetas me të drejta dhe detyrime të plota si çdo shtetas europian.

Një ditë të bukur vendos të hapësh biznesin tënd. Mendon, këtu të paktën do t’ia dalësh, dhe përballesh me disa situata që është pak t’i thuash çudira shqiptare.

Një ndërmjetës pasi merr licencën, duhet të regjistrohet në QKB. Sa nis biznesin përballet me një sistem që n.q.s nuk deklaron çdo gjë në kohë, merr gjobë, do nuk do, pa fituar asnjë lekë merr një ekonomiste. Deri në këtu në rregull, se çdo shërbim në kapitalizëm paguhet, por  e bukura, sa vete në drejtorinë e taksave vendore, gjëja e parë është fleta me detyrimet që duhet t’i paguash bashkisë, këto ke për të paguar, këto duhen paguar. Ky është informacioni që merr një individi që sapo nis biznesin.

Më e bukura është që ti si ndërmjetës, paguan taksa, por s’ke vulë. Pasi komisioni është shkrirë dhe askush s’e vret terezinë të bëjë një vendim me komisionin e ri, por ti paguan taksat dhe nuk quhesh ndërmjetës sepse nuk je regjistruar te Ministria e  Drejtësisë akoma që të marrësh vulën nga DHKN.

Taksa e ndërtesës/banesës/pronës, quheni si të doni. Dy veta nuk më thanë të njëjtën gjë. Ore, fillon të aplikohet që me datën 1 Prill apo jo?   Një gjë është e sigurt, që deri në fund të qershorit duhet ta paguash. Ky është informacioni profesional, i bazuar në ligj që të japin punonjëset  tek institucioni ku paguhen taksat vendore. Mundon të bësh një ankesë, mbase kështu të paktën të sqaron dikush. Dy ditë vete me radhë dhe nuk punon sistemi online i ankesave. Vete përsëri pasi do të dish ç’duhet të paguash, që të jesh në rregull me veten tënde dhe mos arrish të paguash dhe gjobë pastaj. E bukura, të vjen një punonjëse që përton të flasë, pa mendo të punojë! Dhe gjënë e parë të thotë: “Nuk punon sistemi!”. Ti vete përsëri, edhe kur sistemi punon. Shikon një punonjëse administrate që kur do të shtjellosh shkakun e ankesës, të thotë: “Ankesa nuk bëhet kaq e gjatë!”, dhe n.q.s do bëj disa ankesa të tjera, mos themi për gabimet drejtshkrimore të ankesës, dhe kështu ti shpenzon një javë të jetës tënde, e lodhur, e dërmuar. Dhe, thua, “Unë dua të jetoj në Shqipëri, dua të punoj në Shqipëri, por me dinjitet dhe respekt!”.

Një shtet duhet të bazohet tek profesionalizmi, transparenca dhe respektimi i çdo individi që kërkon dhe thjesht një sqarim. Duhet të jemi patriotë dhe të duam familjen tonë, shtetin tonë, qytetarët e këtij vendi, pasi me këtë sistem të kalbur, do mundohen të ikin të gjithë, pasi sot që po ju shkruaj kam humbur besimin se do jemi ndonjëherë vallë qytetarë europianë, ku dinjiteti dhe diskriminimi luftohen. Reformat bëhen pasi individët informohen, jo vendosen pa një strategji, pa u konsultuar, pa u informuar, pasi politikanët nuk duhet të shqetësohen për ne vetëm kur janë zgjedhjet, por çdo ditë, pasi nuk e meritojmë të jemi akoma një shtet në tranzicion, që 1000 herë në ditë themi: “Vallë a ia vlen të jetosh në vendin tënd pa u diskriminuar, dëmtuar moralisht apo… duhet të ikësh?!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top