Dëshmi

May 1, 2022 | 8:58

Nga Edlina Losha: Israel ose IS REAL

Shkuarja për mua në Izrael më kërkoi shumë mund, energji, kohë. Ka udhëtime të bukura, të paharruara, të këndshme, ku çdo gjë shkon mbarë e mirë. Por për ata që udhëtojnë – ka edhe udhëtime që nuk shkojnë ashtu siç duhet, pengesat burokratike, ligjet e shtetit dhe nganjëherë edhe vetë kushtet klimaterike nuk i favorizojnë ato.

img-20220418-wa0007

Kisha kohë që isha përgatitur dhe ëndërroja një vizitë në Izrael. Jerusalem, Nazareth, Deti i vdekur dhe Tel Aviv ishin ëndrra ime e paplotësuar. Shtyhej ky udhëtim shpesh, nganjëherë për shkak të trazirave që shpesh ndodhin aty, nganjëherë për shkak të trazirave të tjera, me të cilat jeta jonë është mbushur mjaftueshëm tashmë. Të shkosh në Izrael duhet ta marrësh seriozisht këtë gjë! Ata janë tipa që nuk i mbyllin sytë para atyre gjërave që për vendet e tjera në Botë mund të jenë “rutinë”. Mosplotësimi saktë i një dokumenti, apo mosbërja e saktë e një testi të thjeshtë PCR – por ama në formatin që e duan ata – kujdes se kjo shkakton anulim udhëtimi. Pas shumë peripecish e shtyrjesh avioni, pas andrrallave të pafundme të plotësimit të dokumentit hyrës në Izrael, (pa të cilin nuk hedh dot këmbë për në

bordin e avionit), kur mbërritëm në aeroport, bëhej vetë-checkout i pasaportës. Kuptohet që pasaporta shqiptare nuk lexohej dhe për këtë arsye, më në fund, pasi erdhi një grua police, ajo tha “thjesht më ndiqni”. Ecëm e ecëm në atë aeroport gjigant si skenë cirku e rrumbullaket të “Ben Guiran” dhe në fund arritëm në një goxha sallë ku mund të ishin 60-80 vetë, turistë si puna jonë që prisnin në radhë.

Dhe ora ishte vetëm 2 e natës. Më në fund, pasi po më zinte gjumi në karrike, një polic thirri emrin tim dhe në zyrën e tij më pyeti se përse e si e qysh gjendesha aty. Më dha një kartë në dorë si punë “ID” dhe më uroi mirëseardhjen. Nuk e besoja që do hyja në Tel Aviv! Por nuk qe e thënë. Dy vajza të reja rrinin tek dera e daljes dhe s’të linin të kaloje pa bërë përsëri testin PCR.

Shko paguaje aty – dhe treguan me gisht një sportel nja 100 m larg. Kur shkuam atje, dy djem në sportel na thanë që duhet të paguani vetëm me “shekel izraelite” që do i bëni exchange aty – dhe treguan me gisht një sportel tjetër rreth 200m më tutje. Pas gjithë këtyre zig- zageve pa kuptim dhe pritjes së burrit të Exchange që kishte lëvizur, më në fund shigjetat në tokë na drejtuan nga një ndarje e madhe si kapanon ushtrie, me qendra të bërjes së testeve PCR, ku shumë infermiere ia kishin futur gjumit mbi tavolina. Ia prishëm gjumin njërës (më erdhi keq për të po s’kisha rrugë tjetër), dhe pasi na i shpoi hundët dhe gojën dhe na përleu me qurre e pështymë bashkë, tha mbaruam. Kur e marr përgjigjen e pyeta. Përgjigja me e-mail tha. Por ju nuk e keni e-mailin tim – i thashë. (Ashtu i thashë, por nuk e kisha llogaritur mirë vendin ku kisha hyrë!)

img-20220418-wa0005

Kur dolëm më në fund në freskinë e natës, na u vërsulën tipat e taksive. Ishin me ngjyrë dhe mjekër të zezë. Nuk prisja tipa të tillë në Izrael. Pranova njërin, mirëpo ngaqë m’u duk çmimi pak i kripur pyeta ndërkohë një tjetër. Tipi i parë u zu dhe filloi t’i bërtiste taksistit të dytë. O Zot çfarë po ndodh kështu?

…Në autostradë… vetëm pak kilometra larg aeroportit na del patrulla e policisë dhe ndalon taksinë. Policët kishin elektrikë dore dhe na i drejtonin në fytyrë. Taksisti trofëllinte. Policët e pyesnin. I thanë prit aty. I dhanë një gjobë të majme dhe i thanë, çoji turistët dhe eja. Më në fund në hotel. Recepsionisti dukej se mezi po na priste. “Mirë se erdhët” dhe filloi të thoshte gjithë entuziazëm që kishte qenë në Shqipëri.

Unë isha aq e lodhur, sa mezi i përgjigjesha. Vetëm i thashë: – “Dua të marr një makinë me qira se dëshiroj të iki në Jerusalem dhe Bethlehem…”

Ai tha, “tani?”, dhe filloi të niste procedurat. U çudita. “Jo, jo, nesër.” “Mirë, natën e mirë.”

Të nesërmen, pas një gjumi të thellë si kurrë ndonjëherë, kërkova në sportel të merrja makinë me qira. Nuk ishte më sportelisti simpatik, i gatshëm dhe që pëlqente Shqipërinë. Ishte një vajzë bjonde. – “Hoteli nuk e mundëson këtë, por unë thërras një taksi dhe ju shkoni me taksi tek pika më e afërt e makinave me qira. -“Vetëm mos e merrni shumë të lartë se nuk e nxë garazhi ynë” – porositi ajo. Kur hipëm në taksi, aty takuam Golanin. Po na shihte nga pasqyra. Një burrë në moshë, fisnik dhe i qetë. – “Ku do shkoni? Për çfarë e kërkoni makinën me qira?”, – pyeti. – “Ne do rrimë ca ditë në Izrael dhe pikërisht sot dua të shkoj në Jeruzalem dhe Bethlehem. Kurse ditët më pas dua të vizitoj Haifa, Akka, Nazareth, Deti i Vdekur, Masada… etj. Por nuk kemi makinë”. I kisha studiuar vendet që në Tiranë dhe e dija fort mirë se ku do shkoja. Madje edhe sa km larg Tel Avivit ishin, si edhe për çfarë shquheshin secili nga këto vende. Por kisha harruar diçka.

img-20220418-wa0006

Diçka shumë thelbësore:

– “Të marrësh makinë me qira është gjëja më e pamend që mund të bëjë një turist në Izrael”, tha Golan. ” – Veçanërisht për këtë udhëtim.

Ne Jerusalem nuk ka vende ku të parkosh, dhe ato destinacionet që the nuk do i kapni dot. Në Bethlehem nuk do të mund të shkoni, sepse ajo

është Palestine. Duhet ta lini makinën në Izrael, por nuk do keni se ku. Mos merrni makinë me qira.” U befasuam. -“Çfarë të bëjmë? – pyes. – “Ju çoj unë me taksi. Ju lë në hyrje të qytetit të vjetër të Jeruzalemit. Shikojeni atë. Keni edhe një pikë informacioni për turistët. Kur ta mbaroni vizitën në Jeruzalem, merrni një makinë t’ju çojë në Bethlehem. Sidoqoftë pyesni më parë atje.” Dhe për 100 euro bëmë 68 km nga Tel Aviv deri në Jerusalem.

Jeruzalemi është dashuri dhe një konglomerat kulturash fetare dhe traditash të ndryshme. Sa interesante po aq intriguese për historinë që mbart. I gjithë Izraeli është i tillë në fakt. Nuk doja të lija asgjë pa parë e provuar, pa prekur e shijuar! Që nga vizita në Detin e Vdekur, një zonë që është 423 m nën nivelin e Detit, kur nëse supozohet që bie shi, përmbytet i gjithë vendi dhe trarët ulen. Të krijohet ideja sikur do të merret fryma kur zbret në luginën nën nivelin zero. Aty shteti izraelit po krijonte fshatra dhe infrastrukturë për t’u populluar. – “Nëse dëshironi të vini e të jetoni në këto anë, mjafton të merrni një shtëpi këtu sepse po kërkohen njerëz”, – na tha guida e shoqërimit. – “Jo, faleminderit! Na mjafton shteti ynë!” Po aq interesant ishte edhe qyteti i Hafës, apo vetë Tel Aviv, veçanërisht jeta e natës aty. Kurse historia dhe kisha e madhe në Nazareth kanë një famë botërore. S’mund të lija pa shkuar në Nazareth, por e gjithë rruga deri aty ishte një përpjekje gati-gati si një sprovë e madhe sa u çudita! M’u duk vetja sikur vetë Zoti po më sprovonte, më ngjau si një pelegrinazh jo i lehtë e gjithë rruga deri aty. Vizita në Masada apo shkretëtirën e Jordanisë ishte një aventurë më vete, plot mbresa të pashlyeshme, e shoqëruar me një mot kapricioz.

Në fund fare, ashtu siç thoshin edhe vendasit, Izraeli është ndryshe nga çdo vend i Botës. Vetëm kush e ka provuar e di! Dhe kush ka shkuar aty e ka kuptuar më së miri këtë!

Is rael = Isreal

img-20220418-wa0004

By: dreamtravel.world

Eda Bano Losha

(instagram) dreamtravel.world

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top