Psikofakt

June 1, 2020 | 14:15

Nga Edmond Tupja / Fëmijë të të gjitha moshave, bashkohuni!

Ka fort të ngjarë që ky titull t’i kujtojë lexuesit thirrjen që Karl Marksi, në shekullin XIX, u bënte proletarëve për revolucion. T’ia kujtojë sidomos atij lexuesi të vëmendshëm i cili, falë empatisë, është i ndjeshëm ndaj një realiteti që shpaloset prej disa dekadash para syve tanë. Fjala është për numrin e madh të fëmijëve të moshës 7 deri në 12 vjeç që hasen në Tiranë e në qytete të tjera teksa gëlojnë rrugëve e shesheve, por sidomos, kur vjen pranvera e deri në vjeshtë, trotuareve para bareve e kafeneve, ku njerëzit e ngeshëm pinë diçka e kuvendojnë me njëri-tjetrin.

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Kjo kategori fëmijësh, nga të cilët një pjesë romë, e quajtur “fëmijët e rrugës”, ka tërhequr prej kohësh vëmendjesh e autoriteteve vendore e shtetërore, por edhe të shoqërisë civile, sepse përbën një lloj “proletariati” urban i cili e fiton bukën e gojës duke shitur çikërrima si stilolapsa, çakmakë, leukoplastë, dikur edhe kaushë të vegjël me bajame të kripura, ndër të tjerë artikuj. Këtë realitet të dhimbshëm shkrimtari Fatos Kongoli e përshkruan në romanin e tij “Te porta e shën Pjetrit” (Një libër për t’u lexuar!).

Midis atyre, syri të zë fytyra të zgjuara, veshi të kap zëra të kthjellët, disa të buzëqeshin me druajtje tek të zgjasin mallin e tyre modest e ndoshta disi mjeran. Ata kanë një emër e një mbiemër, por janë të gjithë të admirueshëm me sfidën që i bëjnë jetës duke pranuar që ajo t’i rrahë përditë e t’i vërë, fatkeqësisht, fëmijërisë së tyre vulën e saj të pamëshirshme pas një përvoje të mundimshme për moshën e tyre të brishtë. Ka prej atyre që shkojnë në shkollë, që të japin përgjigje të mençura, që janë të sinqertë dhe deri diku të edukuar.

Duke refuzuar statusin e lypësit, pra, në njëfarë mënyre, atë të “lumpenproletariatit”, ata kanë kurajën të fitojnë bukën e gojës duke u futur, pavarësisht moshës së tyre të njomë, në tregun informal të punës. Ndërkohë, më 1 Qershor, shoqëria jonë vazhdon të kremtojë çdo vit Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve në nivele të ndryshme, që nga familjet e shkollat dhe deri te bashkitë e qeveria.

Sigurisht që kjo ditë nuk është thjesht ditë feste, ajo konsiderohet tashmë si një moment ndërgjegjësimi për luftën kundër dhunës dhe abuzimit me fëmijët. Megjithatë, çdo 1 Qershor ka fëmijë që shesin, nga halli e jo nga malli, çikërrimat e tyre në qytetet tona, në qytetet e tyre. Sigurisht që ata kanë adashë të së njëjtës moshë, të cilëve as u shkon ndër mend të ndjekin shembullin e tyre, adashë që e jetojnë fëmijërinë të lumtur ose thuajse të lumtur, që ushqehen, vishen e mbathen, që argëtohen më së miri ose thuajse më së miri, që nuk dinë ç’është skamja ose thuajse skamja dhe që i pret një ardhme e sigurt ose thuajse e sigurt.

Gjithsesi, titulli i këtij shkrimi nuk është kushtrim për revolucion, por një sfidë për shoqërinë tonë që të mos tregohet hipokrite ose të mos ndjekë politikën e strucit kur bëhet fjalë për “proletariatin” fëminor të vendit tonë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 144

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top