FB

April 29, 2026 | 10:56

Nga Ilir Çumani: Zërat që bashkuan një komb: Bellova, Këlliçi, Shqarri, Grillo…

 

Shqipëria e dekadave të izoluara ishte një nga ato hapësira ku realiteti shpesh merrte ngjyrë gri, nën peshën e një shoqërie kolektive të lodhur dhe të paorientuar drejt së ardhmes, ndërsa shpresa përpiqej të gjente forma të tjera mbijetese, të heshtura, por këmbëngulëse. Ishte një kohë kur horizontet ngushtoheshin jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, dhe kur çdo dritë, sado e vogël, merrte përmasat e një shpëtimi.

komentatore-sportiveok

Pikërisht në këtë realitet të kufizuar, në atë terr të butë e të përditshëm, ku jeta rridhte nën një ritëm të kontrolluar dhe shpesh të zymtë, u ngritën disa zëra që nuk i përkisnin thjesht spikerimit radiofonik, por një dimensioni shumë më të thellë: shpirtit të një populli që kërkonte, ndoshta pa e artikuluar plotësisht, të çlironte vetveten nga një makth i gjatë dhe i pafund.

Atëkohë spikatën disa emra të shquar të një plejade të rrallë, që i përkisnin një brezi që e kuptoi me intuitë dhe përgjegjësi se mikrofoni nuk ishte vetëm një mjet teknik komunikimi, por një urë e ndërlikuar dhe e çuditshme emocionale, përmes së cilës nuk transmetoheshin thjesht ndeshje futbolli, por mesazhe të shumëkuptimta, nëntekste të heshtura dhe sinjale të një zgjimi të brendshëm kolektiv. Ishte një komunikim që kapërcente kufijtë e fjalës dhe hynte drejtpërdrejt në përjetimin emocional të dëgjuesit.

ismet-bellovaZërat magjepsës, plot timbre, nuanca dhe gjallëri, të Ismet Bellovës, Skifter Këlliçit, Vladimir Grillos, Ahmet Shqarrit etj., që përhapeshin përmes valëve të radios dhe përthitheshin me etje nga fushat e blerta e deri në skajet më të largëta të vendit, krijuan një simfoni të pambarimtë dhe të pazëvendësueshme të shpirtit të lirë dhe të paepur në kujtesën kolektive shqiptare. Ata nuk ishin thjesht zëra – ishin përjetime, ishin energji, ishin një lloj muzike e brendshme që shoqëronte një shoqëri të tërë.

Ata nuk ishin vetëm transmetues dhe përshkrues të lojës përmes fjalës. Në thelb, ishin krijues të një bote paralele, një universi alternativ, ku fusha e blertë nuk ishte thjesht një terren sportiv, por një hapësirë simbolike e lirisë. Në një vend ku kufijtë ishin të mbyllur dhe horizontet tkurreshin dita-ditës, ajo fushë e blertë shndërrohej në një metaforë të hapjes, të lëvizjes, të mundësisë për të ëndërruar, për të shpresuar dhe për të fluturuar përtej kufizimeve të realitetit – lart, shumë lart, në qiejt e paanë të lirisë së munguar.

Zëri i tyre kishte një funksion që edhe sot mbetet i vështirë për t’u riprodhuar në të njëjtën mënyrë. Ata zëra nuk transmetonin vetëm teknikën e lojtarëve apo zhvillimin e aksioneve në fushë, por përkthenin emocionin në një gjuhë të përbashkët, të kuptueshme për të gjithë, duke krijuar një ndjesi uniteti që rrallëherë mund të arrihet përmes mjeteve të tjera.

Kur topi afrohej drejt portës, nuk ishte më thjesht një moment sportiv. Ishte një çast i përbashkët ankthi dhe shprese, një ndërthurje e brishtë mes triumfit të mundshëm dhe zhgënjimit të menjëhershëm, një puls i vetëm që rrihte në mijëra zemra dhe në mijëra shtëpi, nga qyteti në fshat, nga jugu në veri.

Në ato çaste, Shqipëria e izoluar nuk ishte më një territor i fragmentuar në hapësira të ndara, por bëhej një trup i vetëm, një organizëm i gjallë që dëgjonte një zë… një zë të vetëm, që shndërrohej në zërin e ndërgjegjes kolektive, të kurajos, të sakrificës dhe triumfit.

skifter-kellici

Këta ikona të spikerimit, të këtij arti të veçantë, magjepsës dhe thellësisht kreativ, krijuan një mekanizëm të rrallë identifikimi. Dëgjuesi nuk mbetej më spektator pasiv; ai shndërrohej në pjesëmarrës aktiv, madje në një protagonist të brendshëm të lojës, pa qenë fizikisht në fushë, por duke e përjetuar atë në mënyrë të plotë dhe intime.

Zëri i tyre depërtonte thellë në imagjinatë dhe ndërtonte pamje që shpesh ishin më të gjalla dhe më të fuqishme se vetë realiteti vizual. Kjo ishte fuqia e tyre e jashtëzakonshme: ta bënin çdo ndeshje, sado të largët në hapësirë, të ndodhte brenda teje, në një teatër të brendshëm emocional, ku çdo aksion merrte kuptim personal.

Roli i këtyre spikerëve radiofonikë, në të vërtetë ishte shumë më i thellë sesa dukej në pamje të parë. Ata sollën një formë të pastër dhe të sinqertë gëzimi në një shoqëri që kishte shumë pak hapësira për ta shprehur atë lirshëm. Futbolli, i transmetuar nga këta zëra, nuk ishte thjesht një disiplinë në sport, por një formë çlirimi emocional, një kanal për të shkarkuar tensionet e grumbulluara të përditshmërisë.

Një gol nuk ishte vetëm një rezultat në rrjetë, por më së shumti ishte edhe një shpërthim kolektiv, një çarje e përkohshme në murin e heshtjes dhe të rëndesës së realitetit, një moment kur emocionet lejoheshin të dilnin në sipërfaqe pa frikë. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe dimensioni antropologjik i këtij fenomeni. Këta spikerë ishin, në thelb, tregimtarë modernë – pasardhës të një tradite të lashtë njerëzore: nevojës për rrëfim, për ndarje përvojash dhe për ndërtimin e një ndjenje përbashkësie.

ahmet-shqarri

Në mungesë të shumë formave të tjera të komunikimit, ata u shndërruan në “zjarrin” simbolik rreth të cilit mblidhej komuniteti. Në vend të miteve dhe legjendave të dikurshme, ata rrëfenin ndeshje futbolli me të njëjtin pasion, me të njëjtin intensitet dramatik dhe me të njëjtën aftësi për të krijuar identitet kolektiv.

Fusha e blertë, në këtë këndvështrim, ishte shumë më tepër sesa një hapësirë loje. Ajo ishte një dritare e vogël, por e çmuar, drejt botës së jashtme, ishte edhe një mundësi për shqiptarët që të ndiheshin pjesë e një ritmi më të madh, më të gjallë, më universal. Dhe këta zëra, si Këlliçi, Bellova, Grillo, Shqarri etj., ishin ata që e mbanin hapur këtë dritare, çdo herë që niste një ndeshje.

vladimir-grilloSot, në një epokë të mbingarkuar me imazhe, tinguj dhe përmbajtje virtuale, është e vështirë, madje shumë e vështirë të kuptohet plotësisht pesha dhe ndikimi i asaj që ata përfaqësonin në kohën e tyre. Teknologjia ka sjellë afërsi vizuale, por jo domosdoshmërisht thellësi emocionale. Megjithatë, kujtesa kolektive mbetet e gjallë. Ajo i ruan këta zëra si bartës të një drite të veçantë, si figura që nuk ishin vetëm profesionistë të shkëlqyer, por edhe krijues të rrallë emocionesh, arkitektë të padukshëm të gëzimit dhe të shpresës në një kohë të vështirë. Sepse, në fund të fundit, ajo që mbetet në kujtesën tonë nuk janë thjesht ndeshjet e panumërta që ata transmetuan, por ndjesia që ndezën në zemrat dhe në shpirtrat e njerëzve kudo ata mdodheshin.

Dhe kjo ndjesi vazhdon të jetojë ende sot, si një jehonë e largët, por e ngrohtë, që na rikthen në një kohë kur një zë i vetëm kishte fuqinë të ndriçonte një komb të tërë…

Mirënjohje e pafund për këto emblema të spikerimit, që përmes zërit të tyre nga fushat e blerta nuk përcollën vetëm lojën e sportistëve tanë, por mbollën në çdo shtëpi shqiptare emocionin, krenarinë dhe ndjesinë e rrallë të përkatësisë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top