Mirëqenie

April 27, 2018 | 13:33

Nga Imo Alikaj / Si mund të përballemi me atakun e panikut?

Kur vuani nga ataku i panikut mund të krijoni frikë irracionale ose fobi ndaj situatave në të cilat ndodh sulmi dhe tentoni të shmangni situata që mund të shkaktojnë sulme të tjera. Pasoja është më pak liri në jetën personale, si dhe tensione dhe konflikte në marrëdhëniet shoqërore. Kjo gjendje quhet Agorafobi, d.m.th ankthi në lidhje me të qenit në vende apo situata nga të cilat nuk mund të shpëtoni, ose frika se nëse lëvizni larg mund të mos vi askush në ndihmë në rast të sulmeve të panikut.

Msc. Imo Alikaj, psikologe klinike, Terapiste EMDR (niveli 1), Terapiste ABA.

Msc. Imo Alikaj, psikologe klinike, Terapiste EMDR (niveli 1), Terapiste ABA.

Në pjesën më të madhe të kohës mbeteni brenda “vendeve të sigurta”, të cilat mund të përfshijnë vetëm shtëpinë. Çdo lëvizje përtej kufijve të “vendeve të sigurta” krijon një rritje të ankthit dhe shoqëria e një personi të besuar bëhet e nevojshme për të lëvizur.

Çfarë duhet bërë?

Mos i shmangni ataket e panikut. Është shumë e rëndësishme që në këtë moment t’i jepet fokusi kryesisht mënyrës së reagimit ndaj panikut (besimeve, mendimeve dhe sjelljeve në lidhje me panikun). Duke ndryshuar marrëdhënien me panikun, do të mësoni ta menaxhojnë atë. Metoda për të kontrolluar panikun është të mos i shmangni ato dhe të mësoni se si të merreni me simptomat tuaja. Kërkoni ndihmë.

Njihuni me mendimet tuaja negative. Studime të shumta kanë vërejtur se pacientët gjatë sulmeve të panikut raportojnë mendime dramatike dhe katastrofike, ata besojnë se mund të vdesin, të çmenden, të kenë një atak në zemër dhe të humbasin kontrollin. Prandaj me përdorimin e ditarëve dhe letrave, filloni të drejtoheni për të adoptuar një qëndrim dhe një mendim kritik ndaj mendimeve katastrofike. Identifikimi i shpjegimeve alternative u ndihmon t’i zëvendësoni këto mendime me mënyra më realiste dhe proaktive për të kuptuar dhe pranuar që sulmet e panikut nuk janë realisht kërcënuese. Ekspozimi ndaj stimujve enteroceptive iu ndihmon për të kuptuar se besimet janë irracionale dhe të pavërteta.

Trajnimi respirator është teknika që na mëson si të menaxhojmë hiperventilimin, e cila është një simptomë fizike e atakut të panikut. Hiperventilimi (fryma e shkurtër, e shpeshtë, jo e thellë) është një nga simptomat kryesore të panikut dhe agorafobisë dhe kontribuon në shfaqjen e një sërë simptomave të tilla si “uria e ajrit”, marramendjes, ndjenjat e irealitetit, konfuzion, djersitje, ndjesi shpimi gjilpërash, etj. Këto simptoma përfundojnë me përkeqësimin e simptomave tuaja. Duke u bërë gjithnjë e më shumë të shqetësuar, do të merri frymë gjithnjë e më shumë hiperventiluese. Në këtë mënyrë zhvillohet një rreth vicioz që në mënyrë të ndjeshme përforcon simptomatologjinë e ankthit.

Trajtimi përfshin përdorimin e një teknike të sjelljes e quajtur ekspozimi ndaj stimujve enteroceptive (organike). Kjo teknikë përfshin ekspozimin gradual ndaj ndjenjave fizike që përjetohen gjatë një sulmi, pastaj të ndjekur nga zbatimi i teknikave (frymëmarrje diafragme dhe relaksuese) që lehtësojnë dhe zvogëlojnë ndjesitë e pakëndshme. Këto ushtrime iu ndihmojnë të përjetoni simptoma të ngjashme me ato të një sulmi nën kushte të kontrolluara, duke mësuar të trajtoni frikën e një sulmi të vërtetë.

Përdorni imagjinatën për t’u përballur. Përpara se të ballafaqoheni me situata të nxitjes së ankthit në realitet, është e këshillueshme që të praktikoni imagjinatën tuaj. Një nga teknikat më të konsoliduara është desensitizimi sistematik, nëpërmjet të cilit mësoheni të shoqëroni relaksimin me situatat e frikshme. Kur ngarkesa e ankthit për situatat e imagjinuara reduktohet, në fund mund të përballeni me të në realitet.

Medikamentet. Në trajtimin e panikut, nuk rekomandohet vetëm përdorimi i terapisë së medikamenteve, pasi nëse nuk shoqërohet me psikoterapinë, mund të kontribuojë në ruajtjen e çrregullimit, në shkaktimin e varësisë ndaj medikamenteve dhe në rrezikun e rikthimit te atakeve te panikut.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top