Mirëqenie

September 15, 2018 | 9:00

Nga Isida Lalaj / Të ndalosh së ndjeri vetëm

Në shoqërinë e sotme shumë njerëz ndihen të vetmuar. Vetmia mund të prekë njerëz të të gjitha moshave, racave dhe shtresave shoqërore. Ç’është e vërteta, të gjithë kemi pasur raste kur kemi ndier nevojën për shoqëri. Kishim nevojë për dikë që të na dëgjonte me durim, të na qetësonte, të pajtohej me ndjenjat tona më të thella, të kuptonte mendimet që bluanim në heshtje dhe personalitetin tonë. Ne kemi nevojë për dikë që i mban parasysh ndjenjat tona.

Nga: Isida Lalaj Psikologe Këshillimi

Nga: Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi

Vetmia është një ndjenjë e fuqishme dhe mund të jetë shumë e dhimbshme. Është një ndjenjë zbrazëtie. Ajo të krijon përshtypjen se je i veçuar nga të tjerët, të bën të ndihesh i shkëputur nga njerëzit. Si pasojë mund të bëhemi të brishtë emocionalisht dhe të kemi frikë. Jetojmë në kohë të shpikjeve të përditshme, të cilat mundësojnë marrëdhënie ndërnjerëzore në të gjithë botën pa luajtur aspak nga vendi: telefona, celularë, interneti, janë në prani dhe në shërbim të njeriut. Kontakti me familje, ose për çështje afariste e profesionale, kudo që të jenë, është i lehtë dhe i përnjëhershëm. Aftësia për të kontaktuar kudo që të jemi është privilegj i kohës dhe gjeneratës sonë.

Jemi dëshmitarë të një mundësie të jashtëzakonshme për lidhje humane. Megjithatë, studime të ndryshme tregojnë se në shoqërinë bashkëkohore, numri i atyre që vuajnë nga vetmia është tejet i madh. Si mund që në këtë kohë kur të gjithë jemi të lidhur me telefona e satelitë komunikues që lundrojnë mbi kokat tona, të krijojmë varfërim marrëdhëniesh? Duket se begatia teknike që lehtëson aq shumë komunikimin të shndërrohet në një plogështi për afërsi me ata që janë gjeografikisht pranë.

Problemet dhe rrethanat kanë ndikime të ndryshme te njerëzit. Mbase ndihesh sikur të tjerët të përjashtojnë nga shoqëria e tyre për shkak të pamjes, racës ose fesë. Ndryshimi i ambientit, si për shembull: kur shkon në një shkollë tjetër, kur fillon një punë të re, kur vendosesh në një lagje, qytet ose shtet tjetër. Humbja e ndonjërit prej prindërve ose e bashkëshortit mund të të bëjë të ndiesh vetmi, mbase për shumë vjet. Gjithashtu, ndërsa plakemi rrethi i miqve dhe i të njohurve ndryshon, ngushtohet ose nuk është më.

Megjithatë të jemi vetëm nuk do të thotë medoemos që të ndihemi të vetmuar. Një njeri mund të jetë vetëm për një kohë të gjatë dhe të kënaqet me gjërat që bën pa u ndier aspak i vetmuar. Nga ana tjetër, ka njerëz që e kanë tmerr të rrinë vetëm. Por cilat janë ato këshilla që na vinë në ndihmë për të ndaluar së ndjeri vetëm?

  • Mbaj parasysh se gjendja që po kalon mund të ndryshohet, nuk është një gjendje pa rrugëdalje, por një përvojë e zakonshme që e kalojnë edhe të tjerë.
  • Mos kërko tepër nga vetja.
  • Në përgjithësi ji i kënaqur me veten.
  • Mëso zakone të mira në të ngrënë e në bërjen e ushtrimeve fizike dhe fli mjaftueshëm.
  • Ki kujdes që të mos i paragjykosh njerëzit që takon duke u bazuar në përvojat që ke pasur me të tjerë.
  • Çmoji miqtë dhe cilësitë e tyre të veçanta.
  • Përpiqu të krijosh një rreth të mirë miqsh. Kërko mendim nga njerëz më të rritur dhe me përvojë.
  • Bëj diçka për të tjerët: jepu një buzëqeshje, thuaju një fjalë të mirë.
  • Nëse je i martuar, mos prit që bashkëshorti të t’i plotësojë të gjitha nevojat emocionale. Mëso të bashkëpunosh e të bësh lëshime, ta ndihmosh e ta mbështetësh tjetrin.
  • Mëso të bisedosh me të tjerët dhe të jesh një dëgjues i mirë. Përqendrohu te njerëzit e tjerë dhe tek interesat e tyre. Trego ndjenja të përbashkëta.
  • Prano që ndihesh i vetmuar dhe fol me një mik të pjekur, me dikë që ke besim. Mos vuaj në heshtje.
  • Mos ji krenar. Fali ata që të lëndojnë dhe bëj ç’të mundesh për të përmirësuar marrëdhënien me ta. Mos ji gjithnjë në një pozitë mbrojtjeje duke menduar se ta kanë me të keq.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top