Mirëqenie

April 2, 2018 | 13:50

Nga Klaudia Stajka / Kur fëmijët duan, por s’munden të mësojnë

Me përfundimin e vitit akademik, është normale të bëni një reflektim në retrospektive të vetes apo fëmijëve tuaj lidhur me pritshmëritë, rezultatet, dhe të dëgjoni në fund premtime për tjetrin që pritet të fillojë. Mund të ndodhë që nga ky analizim, të rezultoni gjithmonë në disavantazh me fëmijët, e të përsëritet çdo vit e njëjta histori, të dëgjoni të njëjtat premtime që nuk përmbushen kurrë.

Dr. Klaudia Stajka, mjeke e përgjithshme, QSUT

Dr. Klaudia Stajka, mjeke e përgjithshme, QSUT

E keni menduar ndonjëherë se faji për këtë mund të mos i takojë as fëmijëve dhe as mësuesve të tyre?

Zakonisht thonë se faji mbetet jetim, por në këtë rast faji e ka emrin paaftësia për të mësuar. Ky term ka të bëjë me një çrregullim neurologjik si pasojë e të cilit, truri është më pak i aftë se normalisht për të marrë, kuptuar, perceptuar dhe ruajtur informacione. Problemet e para të konstatuara nga prindërit janë në të shkruar, lexuar dhe lëndën e matematikës. Si rezultat, këta fëmijë e kanë më të vështirë dhe më të ngadaltë procesin e të studiuarit sesa fëmijët e tjerë, gjë e cila çon në çkuilibrim të pritshmërive në arritje dhe asaj që aktualisht arrihet. Ndikimi i parë nga kjo patologji mund të jetë i trishtueshëm apo i frikshëm, por paaftësia për të mësuar nuk ka të bëjë aspak me mungesën e inteligjencës.

Shumë fëmijë me aftësi të kufizuara në të mësuar janë jashtëzakonisht inteligjentë. Ata dinë të përdorin pikat e tyre të forta për të fshehur vështirësi të caktuara, siç është, përdorimi i një kujtese fenomenale dëgjimore për të shmangur leximin ose marrjen e shënimeve. E vërteta është se shumë fëmijë kanë vështirësi në lexim, shkrim ose detyra të tjera në një moment të caktuar, por kjo nuk do të thotë se të gjithë ata kanë paaftësi në të mësuar. Fëmija me paaftësi në të mësuar shenjat e para i manifeston duke filluar nga mosha 3-5 vjeç.

Shenjat e para mund të jenë vështirësi në të shqiptuarin e fjalëve, fjalor më i varfër se i moshatarëve të tjerë dhe më vonë probleme në të shkruar, lexuar, zgjidhur detyrat e matematikës, vështirësi në përqendrim, në të mbajturin mend, në orientimin në kohë dhe në hapësirë, paaftësi për vetëorganizim, përgjigje të papërshtatshme në shkollë apo situata sociale, kohë e zgjatur në gjetjen e fjalës së duhur në biseda, ndërrim i vendeve të fjalëve në fjali, mospërshtatje me situata dhe ambiente të reja në jetë, probleme në shkrimin e shkronjave të ngjashme si p.sh. “b” me “d” apo mënyra e papjekur në të folur etj.

Mënyra sesi truri ynë përpunon informacionin është shumë komplekse, prandaj nuk është çudi nëse gjërat mund të ngatërrohen ndonjëherë. Sigurisht, ekzistojnë shumë forma të paaftësisë në të mësuar dhe secila ka manifestimet e veta që ndryshojnë nga një individ tek një tjetër.

Format më të shpeshta të paaftësisë në të mësuar janë:

Disleksia – çrregullime që përfshijnë vështirësi në të mësuar, lexuar, interpretuar fjalë, shkronja dhe simbole.

Diskalkulia – paaftësia për të kuptuar numrat dhe bërë llogaritje me to.

Disgrafia – paaftësia që prek aftësinë në shkrimin me dorë dhe aftësitë e tjera motore. Këtu mund të takojmë shkrim dore të palexueshëm, ndarje jokorrekte të fjalëve, planifikim të dobët hapësinor në letër, drejtshkrim të dobët, vështirësi në kompozimin e shkrimit, si dhe pamundësi për të menduar dhe për të shkruar në të njëjtën kohë. Një tjetër formë është paaftësia në të mësuarin joverbal – një çrregullim neurologjik i cili fillon në hemisferën e djathtë të trurit, duke shkaktuar probleme me funksionet përpunuese vizuale/hapësinore, intuitive, organizative, vlerësuese dhe holistike. Në pjesën më të madhe të rasteve, fëmijët zhvillojnë më shumë se një formë, por rrallë herë të gjitha së bashku.

E gjitha kjo nuk duhet t’ju frikësojë apo në rastin më të keq t’ju turpërojë, të dashur prindër! A e dinit që Albert Einstein nuk mund të lexonte deri në moshën nëntëvjeçare? Paaftësia në të mësuar nuk ka të bëjë aspak me mungesën e inteligjencës apo pamundësinë e karrierës për fëmijët tuaj. Mendje të tjera të mëdha si General George Patton, Walt Disney, zv.Presidenti Nelson Rockefeller, Charles Schwab janë dignostikuar gjithashtu me forma të ndryshme të paaftësisë në të mësuar dhe kjo nuk e ka frenuar aspak suksesin e tyre të padiskutueshëm.

Shkaqet kryesore që akuzohen për një çrregullim të tillë janë gjenetika, dëmtime në procesin e zhvillimit të trurit para dhe pas lindjes si dhe faktorët ambientalë. Mendohet se paaftësia në të mësuar është e trashëgueshme në familje, edhe pse ekspertët nuk janë ende të qartë nëse kjo ndodh për shkak të një faktori gjenetik apo sepse fëmijët tentojnë të mësojnë e të kopjojnë modelin e prindërve të tyre. Probleme të tjera si pesha e ulët në lindje, mungesa e oksigjenit ose lindja e parakohshme mund të ketë të bëjë me paaftësinë në të mësuar.

Fëmijët e vegjël që marrin lëndime në kokë apo janë të ekspozuar ndaj lëndëve toksike mund të jenë gjithashtu të rrezikuar. Diagnoza për këta fëmijë është paksa e vështirë. Kjo sepse prindërit nuk janë mjaftueshëm të informuar për ekzistencën e një çrregullimi të tillë, tentojnë të mbivlerësojnë apo nënvlerësojnë mbarëvajtjen e fëmijëve të tyre në shkollë, fëmijët e kohërave “moderne” po tregojnë gjithmonë e më pak interes ndaj librit dhe studimit duke rënë pre e teknologjisë dhe informacionit të gatshëm vetëm me një klikim. Për këtë arsye, kryesisht këta pacientë diagnostikohen në periudhën e adoleshencës apo më vonë, kur shkolla dhe jeta bëhen më të komplikuara.

Me rëndësi është që, prindërit ose mësuesit në momentin që dyshojnë për një situatë të tillë, të komunikojnë mes tyre dhe prindërit të drejtohen tek psikologu apo neuropsikiatri për një mendim të dytë. Paaftësia në të mësuar nuk mund të shërohet apo rregullohet. Është një konditë mjekësore që zgjat gjithë jetën. Me mbështetjen dhe ndihmën e duhur, këta fëmijë mund të jenë të suksesshëm në shkollë dhe të zhvillojnë karriera të suksesshme, shpesh të shquara më vonë në jetë.

Prindërit mund të inkurajojnë fëmijët e tyre duke u njohur pikat e forta, duke i mundësuar një sistem arsimor adekuat, duke punuar me profesionistë dhe duke mësuar rreth strategjive për t’u marrë me vështirësitë specifike. Si përfundim, e rëndësishme është t’i kuptoni fëmijët tuaj, mos t’i gjykoni për atë çfarë ata nuk munden të bëjnë, por t’i inkurajoni në fushat ku munden të triumfojnë!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top