Psikofakt

May 18, 2018 | 13:46

Nga Klodiana Kapo: Frikë nga e ardhmja… dhe pamundësia!

klodi

Klodiana Kapo, gazetare

Pas një viti do të takonim sërish Selmën, vajzën me sy të bukur që jetonte në fshatin Dardhë, rreth 2 orë larg Librazhdit. Mezi prisnim t’i takonim! Lindita ishte bërë nënë për herë të dytë, kësaj here me një djalë. Kishte kaluar një kohë e gjatë, pa u parë fizikisht me këtë familje, por kemi qenë shumë pranë me to, pasi përpjekjet për të ndryshuar jetët e tyre, nga shumë njerëz, kanë qenë të mëdha. Isha e bindur se do të gjeja një familje më të lumtur. Besoja se do të shihja në sytë e nënës jo vetëm gëzim, por edhe do të dëgjoja fjalë të ëmbla, apo edhe ndonjë falënderim.

Selma

Selma

Por llogaritë dalin jo gjithnjë siç i mendon! Varet se me çfarë njësie matëse i bën!

Selma, Lindita, bashkëshorti i saj dhe pjesëtari më i vogël i familjes, Arjen 2-muajsh janë zhvendosur prej 6-muajsh, në një apartament në qendër të Librazhdit, qiraja e së cilës paguhet nga TIA. Ambasadorja e “Tungjatjeta Jetë”, Arlinda Çausholli, e cila është edhe drejtoreshë komunikimi pranë TIA-s ka një lidhje të fortë me Selmën, një lidhje e ndërsjelltë në fakt. Për Selmën, Arlinda është mikja më e mirë! “Është një zemër” -, thotë pesëvjeçarja, e cila ka nisur të flasë, dhe vazhdon të luajë me arushin që mikja e saj i  ka dhuruar një vit më parë.

Kur e takuam për herë të parë Selmën, ajo artikulonte vetëm disa fjalë, ndërsa sot fjalori i saj jo vetëm është pasuruar, por ajo thotë qartë fjali të plota…

Sot Selma ka një karrocë specifike, një mbështetëse për shpinën që e ndihmon të qëndrojë drejt. Prej një muaji ekipi  i “Tungjatjeta Jetë” i kryen Selmës fizioterapi dhe logopedi në shtëpi. Pas disa ditësh, ajo do të shkojë në një kopsht publik, ku do të nisë të mësojë shkronjat dhe numrat… Ka nisur të qëndrojë pak sekonda vetë në shpinë, dhe lëviz pak këmbët…uauauuuuu…

Për pak muaj i gjithë ky ndryshim…

Kur e takova Linditën, Selma qëndronte në krahët e saj gjatë gjithë kohës dhe shpina po i deformohej gjithnjë e më shumë. Nuk kishte karrocë, as mbajtëse shpine.

Ajo ka lindur me një deformim të shtyllës kurrizore dhe  është diagnostikuar me spinofebi. Lindita e merrte në krahë dhe së bashku përshkonin dy orë rrugë në këmbë për ta çuar në qendrën e Librazhdit në mënyrë që vajza të merrte shërbimet e duhura.

Selma na thotë se tani kjo është shtëpia e saj e vetme. I pëlqen të shëtisë, dhe të luajë me lalin e saj të vogël, i cili zgjohet, fle, e qan pakëz. Është shoku i saj më i mirë. 5-vjeçarja na tregon një sekret. Ajo kur të rritet do të bëhet një mësuese. Dhe pse jo! Sa e rëndësishme është që vajzat të arsimohen, e nesër të kenë mundësi të punësohen apo të jenë nëna më të ditura e bashkëshorte më të zonja!

Dorela është fizioterapistja që e ka ndjekur edhe më parë në formë vullnetare dhe që ka një lidhje të fortë me vogëlushen, nuk tërhiqet pa i kryer të gjitha ushtrimet.  Ajo e ka ndjekur Selmën qëkurse ka qenë një vullnetare.

Lindita tregon se, Dorela s’ka thënë kur jo, edhe pse ka pasur shumë fëmijë për t’i kryer fizioterapi. Madje edhe të shtunave, Dorela ka ardhur gjithnjë në shtëpi për t’i kryer Selmës fizioterapinë.

Por në shtëpinë e vogël të Selmës, sot ka shumë njerëz, dhe ajo është kurioze. Na dëgjon, ndjek me sy dhe është e shpërqendruar. Çfarë ka ndodhur, që ka kaq shumë njerëz?

Selma është më mirë, por asaj i duhet kujdes i vazhdueshëm, shërbime, dhe mbështetje dhe kjo e frikëson Linditën, nënën e saj. Ajo sapo na sheh, nis të rreshtojë problemet që ka, e i duhet të përballet. Energjia elektrike është papaguar, burrit i duhet të qëndrojë në fshat për të punuar tokën e për të siguruar ca ushqime e dru në dimër. Në Librazhd për të s’ka punë. Kërkesat e fëmijëve rriten, dhe ajo ndihet e pasigurt për veten dhe për dy fëmijët e saj.

E çuditshme! Në fillim prisja që Lindita të ndihej mirë, dhe të ishte falënderuese, që kishte mundur të ndërronte shtëpinë, e të vinte në Librazhd. Fakti që mbështetet çdo muaj me ushqime, dhe ajo çka është më e rëndësishme me shërbime për Selmën, dhe me kontrolle tek mjeku…

U mërzita pakëz, dhe e pyeta: “nuk je më mirë? Nuk është Selma më mirë?”

Por Lindita i frikej të ardhmes, i frikej pamundësisë për të ndihmuar sa dhe si duhet Selmën, djalin e vogël. I frikej pamundësisë për të jetuar pakëz edhe jetën e saj! Është vetëm 29 vjeç.

Nga ana tjetër, qëndronte ekipi i “Tungjatjeta Jetë!” 4 vajza të reja, që kanë marrë përsipër të lëvizin çdo ditë nga fshati në fshat për t’u dhënë shërbime e për të ndihmuar fëmijët me Aftësi të Kufizuara me shërbime, por edhe familjet e tyre. Ato nuk pushuan së buzëqeshuri, së inkurajuari Linditën dhe Selmën. Askush nuk i pyeti, sesi ndiheshin, a ishin lodhur?

Dorela dhe Eva nisen çdo ditë nga Elbasani për të takuar fëmijët në fshatrat e thella të  Librazhdit, ndërsa Mimoza, psikologia vinte nga Përrenjasi. Asnjë nga vajzat nuk u ankua, ato ishin aty për fëmijët.

“Varfëria”, thotë populli “sjell çdo gjë të keqe”, – dhe ka të drejtë!

Rrugës, ndërsa ktheheshim për në Tiranë, nisa të mendojë se nuk është e lehtë ta mbash gjithnjë shtëpinë me miell hua. Shteti duhet të veprojë duke i ndihmuar këto familje, jo vetëm me shërbime të qëndrueshme për fëmijët e tyre, por edhe me banesa e vende pune.

E thënë kështu, duket si  një aksiomë klishe që e kemi dëgjuar aq shpesh gjatë këtyre 25 viteve, e mbase do ta dëgjojmë edhe për shumë vite të tjera.

Por zgjidhjet janë kaq të thjeshta, nëse duam t’i shohim.

Nëse këto shërbime, që sot Selmës dhe 34 fëmijëve të tjerë ua siguron World Vision, përmes “Tungjatjeta Jetë”, nuk përvetësohen nga shteti, që duhet të ketë politika sociale të vërteta ndaj kësaj shtrese, e ardhmja do të jetë gjithnjë e frikshme, dhe e errët… dhe Lindita.. ka të drejtë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top