Këndi i të rinjve

December 10, 2018 | 14:28

Nga Ledion Musaj / Çfarë i shqetëson sot të rinjtë?

Nga Ledion Musaj, student

Të rinjtë sot në Shqipëri janë duke ndërmarrë hapat e parë të një tranzicioni shumëdimensional për të ndryshuar jetët e tyre. Protestat e vazhdueshme dhe dinamike, po ngjallin shpresë se më në fund ndryshimi i shumëpritur do të vijë, ndryshimi për një jetë me kualitative dhe për një edukim arsimor më modern.

Gjithsesi, për të qenë sa më pranë në realitet, axhenda normale e një të riu shqiptar është më se e thjeshtë dhe përbëhet nga katër komponentët që janë pazgjidhshmërisht të lidhur me njëri-tjetrin: shtëpi-shkollë-kafe-punë. Një jetë e cila dhe një i ri i mesjetës, epokës më të zymtë të shoqërisë botërore nuk do ta bënte aspak kureshtar dhe të interesuar, pasi do t’i dukej tmerrësisht e mërzitshme. Sigurisht që faji është absolutisht i yni dhe i atyre instancave që na drejtojnë.

Aktivitetet “mendjemprehëse” që nxitin progres janë të zhdukura e të harruara prej shumë e shumë vitesh, mungon ndërveprimi mes të rinjve, madje edhe kur bisedojmë e bashkëveprojmë, fokusohemi në tema të rëndomta dhe shpeshherë tejet vulgare, sepse këto janë ato që dëgjojmë përditë e ku media koncentrohet me gjithë fuqinë e saj. Ka humbur pasioni për të absorbuar dije që lidhen me letërsinë, shkencën, natyrën dhe vet njeriun. Fajtor natyrisht siç edhe e lart përmenda është binomi vendimmarrës-rini. E para gjen e bën, ndërsa e dyta kënaqej me aq sa i jepej dhe më në fund gjetëm forcën për të kundërshtuar vagonët e mëdhenj me linjën jetësore të cilën politik-bërja na kishte injektuar prej vitesh.

“Njeriu kërkon liri vetëm atëherë kur ka pushtet”, shprehej rreth një shekull e gjysmë më parë një prej mendjeve më të ndritura që ka ekzistuar ndonjëherë, Friedrich Nietzsche, dhe ne të rinjtë këtë duhet të bëjmë, të mposhtim shtypjen e pllakosjen që po na bëhet, të fitojmë pushtetin tonë ashtu siç e meritojmë dhe të jemi të lirë e të zotët e të ardhmes sonë. Politika është mësuar t’i kategorizojë njerëzit në dy klasa: në vegla dhe armiq. Le të mos jemi ne as njëra, dhe absolutisht as tjetra. Le të bëhemi vegla të njëri-tjetrit për arritjen e një qëllimi të përbashkët i cili do të kurorëzonte përmbushjen e objektivit tonë madhor: Të bëjmë të ardhmen tonë më të shndritshme e më të begatë.

Ndërkaq, përsa i përket perspektivës së psikologjisë dhe të ardhmes që kjo fushë ka në Shqipëri, nuk ka se si të mos jem i pakënaqur, pasi është evidente se nga dita në ditë infiltrimi i rolit të psikologut në institucione po zgjerohet, qofshin këto institucione publike apo jopublike. Roli ynë është i shenjtë, të ndihmojmë çdokënd që ka nevojë, dhe duhet ditur se vuajtja mentale është shumë më shumë e stërmundimshme se ajo fizike kur është e shtrirë në kohë. 

Prandaj askush s’duhet të paragjykojë qoftë atë që kërkon ndihmë, qoftë atë që jep ndihmë, sepse në këtë mënyrë nuk bën asgjë tjetër veçse fyen vuajtjen dhe në thelb vetveten e tij. E shkuara s’mund të zhbëhet, ajo duhet të jetë një mësim i mirë për të tashmen në mënyrë që të ndërtojmë të ardhmen tone në shërbim të njëri-tjetrit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top