Në fokus

January 24, 2018 | 8:00

Nga Lediona Braho: Efektet e jashtëzakonshme të lojës te fëmijët

Loja është pjesë thelbësore e fëmijërisë. Fëmijëria mund të përfytyrohet si një laborator ku krijohet thelbi i asaj që jemi kur rritemi. Loja është një aspekt kyç i këtij laboratori. Loja është shumë gjëra: ajo është koha dhe vendi i të mësuarit, është “puna” e fëmijëve, është zbulim, eksplorim, eksperimentim, ndërveprim dhe zgjidhje problemesh. Loja zgjeron dijet për botën, na lidh me të tjerët dhe ofron mundësi që çojnë drejt suksesit.

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Në të gjithë botën, nevojat e fëmijëve janë të njëjta. Të vegjlit e përjetojnë botën përmes marrëdhënieve dhe kur këto përfshijnë dashuri, siguri dhe qëndrueshmëri, ata fillojnë të besojnë se bota është një vend i dashur, i sigurt dhe i qëndrueshëm. Marrëdhënia prind-fëmijë, sidomos ajo nënë-fëmijë, është jetike për zhvillimin. Kërkimet eksperimentale tregojnë se kur nënat trajnohen me strategji loje, ndërveprimet e tyre me fëmijët përmirësohen. Praktikat e mira të prindërve lehtësojnë procesin e të mësuarit dhe zhvillimin në të gjitha fushat. E mira është se ato nuk varen nga gjendja shoqërore e ekonomike e familjeve, ndaj udhëzimet vlejnë njëmend për të gjithë.

children-playing-on-grass

Loja ndërton trurin

Kërkimet e kryera gjatë tre dekadave të shkuara kanë treguar se truri zhvillohet më shpejt tri vitet e para të jetës. Përvojat e para formojnë arkitekturën e trurit dhe trajektoret zhvillimore që ndikojnë te shëndeti, sjellja dhe të mësuarit. Qelizat bazë të trurit janë të pranishme që në lindje, pra, ne lindim gati për të mësuar. Mirëpo, truri e ndryshon strukturën dhe funksionin e tij, në përgjigje të përvojave në mjedis. Të rriturit që sigurojnë përvoja të pasura loje stimulojnë zhvillimin e trurit të fëmijëve.

Loja rrit dhe forcon trupin

Fëmijëria e hershme është periudhë e rëndësishme për zhvillimin e shpejtë fizik. Loja aktive ndihmon në zhvillimin e aftësive motore të mëdha dhe të vogla, në koordinim dhe ekuilibër. Për shembull, loja me kube zhvillon muskujt e vegjël, ndërsa loja me top, muskujt e mëdhenj. Kur këto aftësi formohen herët, ato parashikojnë suksesin në sfidat fizike të mëvonshme. Në veçanti, loja jashtë shtëpisë, ndihmon zhvillimin e shqisave të fëmijëve, si dhe pakëson rrezikun për mbipeshë dhe obezitet.

Loja pasuron fjalorin

Gjuha zhvillohet që para lindjes dhe vazhdon gjatë gjithë jetës. Foshnjat kanë interes për tingujt njerëzorë, ndaj të rriturit duhet t’u flasin shpesh atyre. Fëmijët fillojnë të kuptojnë dhe të flasin për të komunikuar nevojat dhe dëshirat. Në moshën 3-vjeçare, fëmijët tipikë mund të kenë një fjalor deri në një mijë fjalë. Fjalori i tyre varet nga sasia dhe natyra e përvojës gjuhësore. Përvojat gjuhësore të pasura luajnë rol me rëndësi te aftësia për të lexuar dhe kuptuar në shkollë. Të treguarit e historive, të kënduarit dhe loja me role luajnë rol thelbësor në zhvillimin e gjuhës.

Loja nxit logjikën dhe aftësitë matematikore

Duke luajtur, fëmijët marrin pjesë në aktivitete që kërkojnë zgjidhje problemesh, hulumtim dhe zbulim, eksplorim të shkakut dhe pasojës. Të gjitha këto aftësi janë pjesë e të menduarit logjik dhe matematikor. Këto aftësi nuk mund të mësohen duke dëgjuar të rriturit të flasin për to. Loja me rërë, blloqe, ujë dhe baltë i ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësitë logjike. Loja me blloqe inkurajon zgjidhjen e problemeve, arsyetimin dhe të menduarit divergjent. Loja me ujë formon konceptin e vëllimit. Familjariteti me format, këndet dhe pozicionet, ndihmon në kuptimin e matematikës. Përmes lojës, fëmijët kuptojnë se ka disa mënyra për ta zgjidhur një problem.

Loja ndihmon vetërregullimin

Vetërregullimi është aftësia për të kontrolluar dhe drejtuar veprimet, mendimet dhe ndjenjat. Mund të jetë po aq i thjeshtë sa pritja në radhë kur luan një lojë dhe aq i ndërlikuar sa kontrolli i zemërimit. Fëmijët që mësojnë të kontrollojnë veten ia dalin më mirë në shoqëri dhe në shkollë se fëmijët e zemëruar, agresivë ose impulsivë. Vetërregullimi është pjesë thelbësore e zhvillimit emocional dhe social.  Ai mund të ndahet në dy pjesë: në aftësinë për të kontrolluar impulset dhe për të mos e bërë diçka, si dhe në aftësinë për të bërë diçka edhe nëse nuk duam ta bëjmë, por se është e nevojshme. Loja “bëj sikur” është një mjet i fuqishëm për ndërtimin e vetëkontrollit dhe vetëdisiplinës: fëmijët bisedojnë me veten për atë që do të bëjnë dhe për mënyrën si do ta bëjnë.

Loja në natyrë është më argëtuese

Nuk është rastësi që disa nga kujtimet tona më të bukura janë lojërat që kemi luajtur në natyrë. Pse është e rëndësishme loja jashtë shtëpisë? Ne jetojmë në një shoqëri ku loja në natyrë po u hiqet fëmijëve, në favor të televizorit dhe kompjuterit. Sot, gjithnjë e më shumë fëmijë qëndrojnë mbyllur në apartamente dhe jeta e tyre kufizohet nga agjendat e ngjeshura të prindërve që punojnë me orë të zgjatura. Fëmijët duan mundësi për të eksploruar, eksperimentuar, zbuluar dhe praktikuar. Fëmijët duan të vrapojnë, të hidhen, të ngjiten, të rrëshqasin, të rrokullisen, të këndojnë dhe të bërtasin. Shumë prej këtyre nuk mund të ndodhin brenda katër mureve, por të gjitha këto mund të arrihen përmes lojës jashtë shtëpisë. Loja në natyrë u jep mundësi fëmijëve të mësojnë shumë gjëra për botën. Si rriten bimët? Si është balta? Si fluturojnë zogjtë? Si ndryshon moti? Patjetër, këto mund të mësohen edhe brenda, por është më efektive dhe argëtuese kur mësohen jashtë. Në natyrë, jo vetëm mësojnë më shumë, por edhe e mbajnë mend më mirë atë që kanë mësuar, pasi e kanë përjetuar me të gjitha shqisat. Bota zbulohet vetëm duke hyrë në marrëdhënie me të.

Loja premton sukses në të ardhmen

Siç thashë në fillim, loja është pjesë thelbësore e fëmijërisë. Kërkimet tregojnë lidhje të forta mes lojës dhe zhvillimit të fëmijëve. Fëmijët që marrin pjesë në programe me bazë lojën, kanë arritje më të mëdha kur rriten. Pa e tepruar asnjë grimcë, loja është themeli i jetës. Aq më tepër loja në natyrë, e cila kënaq nevojën për liri, aventurë dhe zbulim. Cili prind nuk do ta donte këtë për fëmijët e vet, edhe sikur të hiqte dorë që sot nga agjendat e ngjeshura?! Cili prind nuk do të linte disa punë sot dhe të luante me fëmijët e vet për të garantuar mirëqenien dhe suksesin e tyre nesër?!

http://psikologjia-shqiptare.com/femijeria/efektet-e-jashtezakonshme-te-lojes-te-femijet-94/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top