Psikofakt

December 8, 2016 | 11:54

Nevila Xhindi: Kur dhjetori në vend të festës sjell gjëmën…

Nga Nevila Xhindi

Nga Nevila Xhindi

Trishtuar jam në këtë fillimdhjetori! Ca ndjenja të përzimta me festa e gjëmë na kanë trishtuar, gjëmë vdekjesh të pafajshme, gjëmë grash të dhunuara, justifikime me urdhra mbrojtjeje që vetëm mbrojtje nuk ofrojnë, qeveritarë e joqeveritarë që shkojnë e vijnë konferencash duke rreshtuar arritjet e një qeverie që farfurin (si për festa) edhe në këto ditë dhimbjesh nga krimi në familje, ndërsa jetojmë me bujë ditët e “kundër dhunës ndaj grave”!

Në vitin 1991, Qendra Globale e Grave për Lidership në Universitetin Rutgers bëri thirrje për herë të parë për një fushatë “16-ditore aktivizmi kundër dhunës gjinore” – ditët që ndodhen midis 25 nëntorit, dita kur Kombet e Bashkuara shpallën për herë të parë Ditën Ndërkombëtare për të përkujtuar përpjekjet për ndalimin e dhunës kundër grave dhe Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, 10 dhjetor.

Prej vitesh tashmë edhe në Shqipëri, në këto ditë ka plot aktivitete ndërgjegjësimi, për të kujtuar se dhuna kundër grave dhe vajzave është dhunim i të drejtave të njeriut, është e ashpër dhe përçmuese, është zaptim mbi personalitetin e viktimave dhe dinjitetin e tyre njerëzor, është krim mbi trupin dhe mendjen, por adresimi i tyre nuk mjafton se zgjidhje e veprim ofrohet pak…

Gjatë këtyre ditëve, shoqata që në qendër të punës së tyre kanë gratë e fëmijët, bashkë me qeveritarët përkatës përpiqen të tregojnë se sa dhe si janë kujdesur për to, për viktimat e dhunës në familje, për gratë e pambrojtura me urdhër mbrojtjeje, për politikat e strategjitë e zhvillimit, në përpjekje që nga podiumet ta shpëtojnë Shqipërinë nga dhuna në një ditë, një muaj… dhe jo përditë!

Në mungesë të veprimeve të vërteta, të përditshme, jashtë kamerave e mikrofonave, si për qokë të ditës, teksa e shoh dhe dëgjoj me dhimbje çfarë po bëhet, duke qenë e ndërgjegjshme se asgjë konkrete nuk do të ndryshojë, as nga marshimet në bulevard, as edhe nga veshja e profileve të Facebook-ut me ngjyrë portokalli (ngjyra portokalli është simboli i ditës), dhe as nga aktivitetet ndërgjegjësuese të disa grupimeve të shoqërisë civile ……për fat të keq, nuk do të ndryshojë asgjë nga pardje, dje, apo …edhe nesër…

Ndërsa shifrat për rastet e dhunës në familje na raportohen mes konferencash, shikojmë çdo ditë të rritet krimi, agresiviteti, urrejtja, dhuna fizike, verbale, sociale, morale, shtohet mungesa e respektit shoqëror, dhe në vend që të kërkojmë arsyet e të gjejmë forcat për ndryshime pozitive, qëndrojmë kryeneç te varfëria, pabarazia sociale, diskriminimi, papunësia, mbyllen bizneset, ngushtohen të ardhurat, familjet katandisen të uritura dhe fëmijët rriten duke përvetësuar sjellje që përjetësojnë ciklin e dhunës. Dhuna kundër grave, nënës në familje dhe vajzave që nesër bëhen nëna është krim, e jo diçka private apo kulturore.

Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e veta, të shtojë dhe t’i vërë në veprim instrumentet e zbatimit të ligjit në rastet e dhunës, apo mbrojtjes ndaj saj, të identifikojë e të mbështetë nisma ekonomike e ligjore për përmirësimin e statusit të gruas, dhe t’i japë frymë ekonomisë dhe nxitjes së biznesit të vogël për gratë. Natyrisht, shteti dhe veprimi duhet të hyjë në një fazë të re, të ofrojë konkretisht diçka (nuk e kam fjalën vetëm për strehëzat), por punësim, të lobojnë që qeveria ta kthejë në prioritet punësimin e grave, të nxisin e lobojnë te gjykatat për zgjidhjen në kohë të çështjeve me në qendër gruan, fëmijën, të nxisin sipërmarrjen femërore.

Disa prej nesh do të vazhdojmë të bëjnë protesta, disa konferenca, disa libra, disa do të lëshojnë urdhra mbrojtjeje, disa nuk do t’i zbatojnë, por duhet të sjellim vëmendjen publike kundrejt nevojës për t’i dhënë fund kësaj dhune – asnjë përpjekje nuk është e vogël.

Burimi: Gazeta Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top