Psikofakt

July 3, 2018 | 13:27

Nga Orjona Tresa: Edhe bukës time i doli boja, por si do ia bëjmë?

Një kronikë televizive e Top Channel më shqetësoi. Buka e zezë ka ngjyrosës të dëmshëm. Sapo mbaroi gazetarja mesazhin në ato dy minuta kronikë, i them vajzës: Mami, e provojmë dhe ne! Mori një fetë bukë taze dhe e vu në një gotë çaji. Shtoji ujin e blerë, meqë aty ku e marrim është një kombinat që e pastron sipas teknologjisë së fundit. Mezi pritëm të kalonte ora, se aq duhet për të bërë eksperimentin. “Hë sa shkoi?”, pyeste vajza. Asnjërit nuk po na durohej të mësonim. “U mbush ora!” i them vajzës, dhe instinkti më çoi direkt për të parë ngjyrën. Ishte e vërtetë. Uji u ngjyros, ashtu siç e thoshte dhe kronika. Më zunë të dridhurat. Djalli e marrtë, ne vetëm bukën e zezë përdorim! Po ku i dilet kështu?

buka-ngjyrues

Në fillim të muajit qershor e njëjta gjë më ngjau me perimet. Po përmend vetëm njërin, kastravecin. Temperaturat e fillimmuajit ishin të larta, e gjërat duheshin konsumuar të freskëta. Zgjedhja më e mirë, frigoriferi. Më rezultoi gabim. Vetëm një ditë i lashë në freski, e të nesërmen pashë një qull të ndyrë jeshil që më kish përlyer tasin e ma neveriti. O Zot, mendova. Pse na vijnë gjithë këto?!

Të kthehemi te buka.

Ne si shqiptarë jemi rritur me të. E kishim dhe si formë gjelle jo për gjë. Mirë a keq, u mësuam më shijen e saj, që dikur ishte me të vërtetë njësh. U rritëm me konsumimin vakt pas vakti, me nevojën për të ndihmuar stomakun të ngopet. Madje aq shijonte sa batuta “gjysmë buke pas buke” merrte kuptimin se sa e pranishme ishte në jetën e shqiptarëve.

Po sot? Ah sot!

Sot ta shtrojnë vdekjen në tryezë! Ushqimi është shndërruar në një betejë suksesi. Dhe nuk ke shans të përjashtosh rastet. Janë të gjithë njëlloj. Më vjen keq për ata që ushqehen nga ky lloj biznesi. Ndershmëria, virtyt i budallenjve. Dhe ata e hanë, domethënë, ua punojnë.

buka-ngjyrues1Bukëpjekësi i lagjes time është njeri shumë i mirë. I rri fort punës te koka. E kam edhe komshi që prej fillimit. Njerëz të mbarë! Aty e marr çdo ditë bukën. Edhe ata ushqehen vetë me produktet e tyre. Shkoj pa merak se e di që nuk më bën hile. Por si t’ia bëj i gjori M. i them tim shoqi, kur rrethi i shitjes së miellit kështu funksionon. M. nuk do hapë laborator më vete për të kontrolluar miellin, se i bie më mirë të blejë hektarë tokë e ta mbjellë grurin vetë?!

Nuk bëra gjumë. Sigurisht që për të gjitha herët e rrezikut që më shfaqet ndaj asaj që hamë, janë fëmijët. Po i vrasim me duart tona!

Lajmi për të mësuar më shumë

Gazetarja e Top Channel, Rudina Muça, kreu një eksperiment me bukën e zezë dhe atë integrale. E futi në ujë për 60 minuta. Ajo që vërtetori ishte ngjyra që la pas, çka do të thotë se gjatë përgatitjes është përdorur ngjyrues ushqimor. Këtë rezultat e konfirmoi edhe eksperti i ushqimit Abdyl Sinani. Ai tha: “Buka nuk duhet të lëshojë ngjyrë. Kjo tregon se ata e marrin miellin e bardhë dhe i hedhin ngjyrues. Mes tyre ka ngjyrues që dëmtojnë rëndë shëndetin e njeriut, deri në shfaqjen e kancerit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top