Editorial

June 9, 2018 | 13:59

Nga Orjona Tresa: Krimet ndaj grave, ego të sëmura nga injoranca!

 

Në një kohë ku parashikojmë hapjen e negociatave me BE, ku pritet të zgjerohemi me shumë benefice nga pas, realiteti na përplas me ngjarje të rënda. Me krime të rënda. Njëri i cilësuar në media si krim pasioni, një tjetër si pasojë e kushteve socio-ekonomike, një tjetër si pasojë e kushteve të rënduara psikologjike. Krime, vrasje brenda familjes, brenda 24 orëve. Në qendër të vëmendjes gruaja.

Orjona Tresa, gazetare

Orjona Tresa, gazetare

Pse gruaja?…

Një burrë 31-vjeçar i merr jetën një vajze të re. Pretendimi se e kish ndarë nga gruaja me fëmijë motak. Ajo nuk donte të martohej me të. Madje kishte vendosur të mos e vazhdonin lidhjen. Kjo situatë e rëndoi të riun, duke mos e ndihmuar të gjente paqen i vetëm, por duke bërë një zgjedhje egoiste, karakteristike për shoqërinë tonë maskiliste, t’i merrte jetën duke e vrarë në rrugë.

Pa kaluar 12 orë nga një natë më parë, një tjetër ngjarje tronditi veriun e vendit. Peshkopi: djali vret dy prindërit. I deportuar pas 8 vitesh qëndrimi në Angli, ai kthehet në familje. Pasuria e vendosur nga prindërit ishte shkaku, djersë e hedhur nga mundi i tij në emigracion. Por mesa duket, moslejimi i pronësisë së plotë dhe mënjanimi, e shtynë të riun e gjorë drejt një akti hakmarrës, në kushtet e depresionit të rënduar.

E premte mbrëma. Lajmet shënojnë në hapje të edicioneve një krim tjetër në familje. Një burrë, 42-vjeçar i merr jetën të shoqes. Ajo 40-vjeçe. Me gjashtë fëmijë. Ai i papunë,  vetëm ajo punonte për veten dhe shtatë të tjerë. Shkaku? Ai nuk i duronte dot më zënkat, ndaj që “t’ia mbyllte një herë e mirë gojën” zgjodhi ta masakrojë në sy të fëmijëve, një mënyrë çnjerëzore për ta vënë në paqe trurin e tij bosh.

E dhimbshme sa e vërtetë. Një shoqëri me problemet e mëdha të masës me pasojë mungesën e formimit dhe shkollimit, mentalitetit dhe kulturave të prapambetura të një sistemi të mbyllur.

Mashkulli i prapambetur shqiptar ende e sheh gruan si skllave të detyrimeve që ka për Të. Por ajo që i përfshin këto ngjarje të shënuara ditë pas dite janë veç një emërues të përbashkët VARFËRINË! E në këtë amulli sociale, ku askush nuk gjen dot vendin, veten dhe zgjidhjet për jetën që bën, gruaja është tabela e qitjes, ajo që paguan haraçin, inatet, mëritë dhe dufin e mashkullit të pagdhendur për shkak në thelb të varfërisë.

Ndërsa mileniumi i ri na fton të sfidojmë me risi kohën, na t’birtë e shekullit të ri alla shqiptar do vazhdojmë të mbetemi sfidues të mentalitetit arkaik.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top