Editorial

March 8, 2022 | 8:06

Nga Orjona TRESA / Për gruan që nuk lodhet kurrë!

Kam kaq shumë mirënjohje brenda vetes për të shprehur. Për shumë njerëz që na bëjnë të lumtur përditshmërinë tonë. Për ata familjarë, të afërm, miq e shokë, kolege dhe kolegë që ndajmë çastet, orët, ditën dhe shumë nga ajo kohë që përkufizon jetën tonë. Padyshim që gjatë kësaj rruge hasemi me vështirësi dhe pengesa, të cilat duket sikur përpiqen të na ndajnë. Por ashtu siç koha është shëruesja e çdo plage, edhe kjo pjesë e jetës rikuperohet falë dëshirës dhe frymës pozitive që na lidh me njëri-tjetrin.

Përmes këtyre rreshtave që më jepet mundësia të ndaj me lexuesit e revistës “Psikologjia”, e natyrshëm dhe me ata që shënjojnë jetën time familjare, shoqërore, profesionale, kam një FALEMINDERIT për gjithçka më keni dhënë dhe keni ndarë me mua.

Natyrisht që këtë mirënjohje duhet ta thelloj pak më tepër. Është muaji i gruas, e cila duhet respektuar për rolin që ajo ka, për kuptimin që i jep jetës. Është gruaja, ajo që ngjiz jetën falë embrionit të dashurisë, asaj bërthame që bart në trupin e saj peshën e përgjegjësisë morale dhe fizike. Është gruaja që me rolin e saj zgjedh të mbajë mbi supe peshën e jetës. Janë ngarkesa që e bëjnë të përkulet, përthyhet, të durojë, të heshtë e të zgjedhë deri vetëmohimin për t’i dhënë familjes emrin që meriton. Është gruaja që sakrifikon mbi lëkurë avenirin që ndoshta do të kishte nëse nuk do të zgjidhte të përthyhej, por do të mendonte vetëm për veten e saj.

Shumë gra unë i shoh sot zonja të vërteta, jo në kuptimin largpamës të aristokracisë, të veshur nga luksi e zgripa se e meritojnë të jenë të tilla, por se në shpirtin, në zemrën e tyre kanë kaq shumë dashuri për të dhënë, kanë kaq shumë paqe për të ofruar. Sa bukur është të shohësh një nënë që kujdeset për foshnjen e saj. I mëkon ushqimin e gjirit dhe dashurisë, afrimitetit, ngrohtësisë, butësisë, dhembshurisë. Gjithë vëmendja e saj është aty, përkujdesja dhe mirërritja e një të ardhmeje nis pikërisht tek edukimi i një foshnjeje. Ndaj nënat kanë nevojë të respektohen dhe mirëtrajtohen që dhe e nesërmja të trashëgojë mirësinë.

Sa bukur duket një gjyshe që pavarësisht moshës, zgjedh të mbështesë në një kohë ekstra mirërritjen e nipit apo të mbesës. Sepse është një grua që nuk di të kursehet së dhëni nga vetja, nga fuqia e saj. Dhe janë shumë nëna shqiptare që e bëjnë këtë, duke u tejsakrifikuar. Po të flasim për profesionet, nga puna prodhuese, masoneritë e deri ato administrative, shëndetësore, ligjore, arsimore, mediatike e me radhë, gratë janë të parat në rendin e përulësisë së të dhënit maksimumin.

Janë ato që marrin çdo gjë përsipër, qoftë dhe e panjohur për to. Janë ato që ulin kokën, janë të papërtuara, nuk dinë të thonë jo, nuk shmangen, këmbëngulin dhe janë bindëse për frytet që dinë të japin. Sepse një grua ka guximin të sprovojë veten në çdo hap dhe të dëshirojë më të mirën për veten dhe ata që e rrethojnë, e i përmbushin vlerën e të qenit grua. Gruaja, një gjini e brishtë në përballjen mashkullore, di të zbusë zemrat e irrituara dhe debatet kundërshtare, duke pasur virtytin e fortë, qëndrueshmërinë.

Gratë janë guximtare, të palodhura, ambicioze dhe largpamëse, përballen me gjithçka që mund të rrezikojë dhe jetën e tyre. Ndeshen me mbijetesën, luftën për ekzistencë, dhunën e pamëshirshme gjinore, diskriminimin social, betejën e divorcit, sfidojnë rritjen e vetme të fëmijës, dhe e çojnë përpara jetën. Jo rastësisht natyra ua besoi atyre rilindjen e jetës. I dha drejtësinë e të përmbushurit një misioni të pamat njerëzor.

Ndaj më shumë mirënjohje ndaj gruas. Është fronti i parë me jetën, për jetën!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 165

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top