Një kafe e qetë në një ditë pushimi duket si gjëja më e thjeshtë në botë. Por edhe ajo mund të të prishet në mënyrën më absurde. Dikush shkund hirin e cigares nga ballkoni dhe ai përfundon në filxhanin tënd. Dikush pret thonjtë te dritarja dhe i hedh poshtë pa menduar se ku bien. Dikush kalon me qenin, ndalon para tavolinës tënde dhe e lë rrugën ashtu siç e gjen kafsha, jo siç duhet ta lërë qytetari.

Në fund, nuk është më problemi i kafesë. Është problemi i një sjelljeje që e ndeshim çdo ditë dhe kudo. Në rrugë, në transportin publik, në institucionet shtetërore, në lagje e në pallate. Është mungesa e respektit për tjetrin.
Shpesh flasim për moralin, etikën apo vlerat. Por problemi sot duket edhe më i thellë. Po humbasim ndjeshmërinë më elementare ndaj njëri-tjetrit. Po harrojmë se bashkëjetesa nuk ndërtohet me të drejta të kërkuara me zë të lartë, por me detyrime të zbatuara në heshtje. Kjo mungesë qytetarie nuk është thjesht çështje sjelljeje individuale. Ajo është pasojë e një dështimi më të madh: mungesës së edukimit qytetar. Prandaj, nëse ka një fushë ku duhet të investojmë pa kursim, është arsimi. Jo vetëm ai që jep diploma, por ai që formon njerëz. Ai që mëson respektin për hapësirën publike, për rregullin, për ligjin dhe për tjetrin.
Sot mund të blesh një apartament me 2500 euro metrin katror, por të vazhdosh të shkundësh hirin apo thonjtë nga dritarja. Mund të jetosh në një pallat modern, por të sillesh si të mos kishe asnjë përgjegjësi ndaj komunitetit. Zhvillimi nuk matet vetëm me ndërtesa të reja, por me kulturën e atyre që jetojnë brenda tyre. Po, edhe vende të tjera kanë njerëz të papërgjegjshëm. Por atje qytetaria mbrohet nga rregullat dhe ndëshkimi. Nuk të hedh askush cigaren te këmbët pa pasoja. Nuk tolerohet papastërtia në hapësirat publike. Nuk konsiderohet normale që një zyrtar, një polic apo një shërbyes publik të qëndrojë me cigare në dorë në vendin e punës.
Qytetaria është fjala që e përdorim më shumë dhe e zbatojmë më pak. E kërkojmë nga të tjerët, por rrallëherë nga vetja. Dhe derisa të kuptojmë se respekti për tjetrin fillon nga gjestet më të vogla të përditshmërisë, do të vazhdojmë të ankohemi për pasojat, ndërsa injorojmë shkakun.
Në fund të fundit, çështja nuk është një kafe e prishur. Është një shoqëri që ende nuk ka vendosur nëse dëshiron vërtet të jetojë si komunitet qytetar apo thjesht si një grumbull individësh që ndajnë të njëjtin territor.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

