FB

September 2, 2026 | 20:00

Forca transformuese e dashurisë dhe përkujdesjes

 

 

“Nuk jam ajo vajza e çmendur me rroba të ngjyrosura që hyri në atë vilë për një rrogë. Hyra për të mbijetuar, por qëndrova sepse dikush më pa përtej “duhet” dhe “s’ka”. Will më mësoi se ndryshimi nuk vjen nga fjalimet e mëdha, por nga dikush që nuk të lë të fshihesh pas komoditetit. Ai më shtyu të jetoja, edhe kur unë isha mësuar vetëm të ekzistoja”.

dashuria-film

Ky fragment është shkëputur nga filmi “Me before you”, prodhim i vitit 2016. Një realizim kinematografik i bazuar në një ngjarje të vërtetë. Ky film më bëri të reflektoj mbi një të vërtetë të thjeshtë, por thellësisht njerëzore, se askush nuk ndryshon vetëm. Në rrugëtimin tonë jetësor, shpesh kemi nevojë për dikë që të na shohë përtej plagëve, humbjeve, kufizimeve apo frikërave tona. Forca e vërtetë e filmit nuk qëndron vetëm te historia e dashurisë mes Luizës dhe Uillit, por te mënyra se si dy njerëz arrijnë të ndikojnë në jetën e njëri-tjetrit pa kërkuar asgjë në këmbim. Ajo na kujton se ndonjëherë prania e një njeriu, kujdesi i tij, vëmendja dhe dëshira për të kuptuar dhimbjen tonë vlejnë më shumë se çdo pasuri materiale. Ndryshimi i vërtetë nuk imponon, ai lind nga lidhja. Luiza nuk e ndryshon Uillin duke e detyruar ta shohë jetën ndryshe, por duke i ofruar arsye për ta përjetuar atë me më shumë ngjyra. Në të njëjtën kohë, edhe Uilli e transformon Luisën, duke e nxitur të dalë përtej kufijve që ajo i kishte vendosur vetes. Kjo është dhe një nga mësimet më të rëndësishme psikologjike të veprës. Marrëdhëniet e shëndetshme nuk na mbajnë të njëjtë, por na ndihmojnë të bëhemi versioni më i mirë i vetes. Siç shprehej Carl Rogers, një nga figurat më të rëndësishme të psikologjisë humaniste: “Kur ndihem i pranuar ashtu siç jam, atëherë mund të ndryshoj.” Pikërisht pranimi, dhe jo gjykimi, është ai që hap derën e transformimit. Ndërsa për psikologun Albert Bandura: “Njerëzit rriten kur dikush pret më shumë prej tyre sesa ata presin nga vetja”.

“Uilli nuk më dha para, nuk më dha një jetë të re të gatshme. Më dha pyetje. Më dha sfidë. Dhe në atë sfidë kuptova se përkujdesja e vërtetë nuk është të mbash tjetrin të varur nga ti, është ta bësh të aftë të fluturojë edhe pa ty. Kjo është dashuria që nuk posedon, ajo që lëshon.”

Sa nevojë kemi për njerëz të tillë. Jo për ata që na thonë “je mirë kështu”, por për ata që na shikojnë në sy dhe thonë “e di që mundesh më shumë”. Erich Fromm shkruante se “dashuria nuk është një marrëdhënie me një person të caktuar, është një qëndrim, një orientim karakteri që përcakton lidhjen e njeriut me botën”. Dhe kjo lidhje mes Uill dhe Luizës ndodhi jo sepse ata ishin të plotë, por sepse panë boshllëqet e njëri-tjetrit dhe vendosën të mos ikim prej tyre.

Filmi ngre gjithashtu pyetjen e madhe mbi kuptimin e jetës dhe dinjitetin njerëzor. Ai na vendos përballë faktit se dashuria nuk është zotërim, por respekt për lirinë e tjetrit, edhe kur zgjedhjet e tij bien ndesh me dëshirat tona. Në aspektin psikologjik, kjo lidhet me aftësinë për të dashur pa kontrolluar, për të qëndruar pranë pa u imponuar. Erich Fromm e përkufizonte dashurinë si një akt kujdesi, përgjegjësie, respekti dhe njohjeje të tjetrit. Në këtë kuptim, dashuria e paraqitur në film nuk matet me atë që fiton, por me atë që je i gatshëm të japësh.

Një tjetër mësim i fuqishëm është se lumturia nuk lidhet domosdoshmërisht me kushtet materiale. Uilli kishte pasuri, status dhe mundësi të pafundme, por humbja e autonomisë e kishte zhytur në një krizë ekzistenciale. Luiza, nga ana tjetër, vinte nga një jetë e zakonshme, por mbante brenda vetes aftësinë për të gjetur kuptim në gjërat e vogla. Kjo na kujton se mirëqenia psikologjike nuk ndërtohet mbi atë që zotërojmë, por mbi lidhjet që krijojmë, mbi ndjenjën e përkatësisë dhe mbi arsyen që na shtyn të zgjohemi çdo mëngjes. Viktor Frankl shkruante se “Njeriu mund të përballojë pothuajse çdo ‘si’, nëse ka një ‘pse’ për të jetuar.”

Historia na flet edhe për fuqinë shëruese të pranisë njerëzore. Shpesh mendojmë se duhet të kemi zgjidhje për problemet e të tjerëve, ndërkohë që ajo që ata kanë më shumë nevojë është dikush që të qëndrojë pranë tyre. Luiza nuk mund ta shëronte fizikisht Uillin, por ajo arrin t’i japë atij përvoja, emocione dhe ndjesinë se ende është i rëndësishëm për dikë. Në këtë aspekt, filmi na mëson se ndonjëherë ndikimi më i madh që kemi mbi një jetë nuk vjen nga veprimet e jashtëzakonshme, por nga aktet e vogla të përkujdesjes së përditshme.

Morali i veprës nuk është se dashuria i zgjidh të gjitha, por se dashuria autentike ka fuqinë të na ndryshojë, të na zgjerojë horizontin dhe të na bëjë më të vetëdijshëm për vlerën e jetës. Ajo na mëson se njerëzit që hyjnë në jetën tonë me ndjeshmëri, mirëkuptim dhe përkushtim mund të bëhen katalizatorë të transformimeve më të mëdha personale. Në fund, nuk janë pasuritë, statusi apo arritjet ato që lënë gjurmën më të thellë në qenien tonë, por njerëzit që na kanë bërë të ndihemi të parë, të dëgjuar dhe të dashur. Dhe ndoshta ky është leksioni më i madh i filmit: një njeri mund të mos ketë fuqinë të ndryshojë fatin e tjetrit, por ka fuqinë t’i ndryshojë mënyrën se si ai e përjeton jetën. Në një botë gjithnjë e më të përqendruar te materialja, kjo mbetet një nga format më të pastra dhe më të rralla të pasurisë njerëzore.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top