Editorial

January 12, 2021 | 8:20

Nga Orjona TRESA / Respekt për punën

Profesioni nuk të lë kurrë pa gjë. E kam fjalën për atë që në jetën e përditshme e quajmë zanat, i cili është sa pasion, po aq një burim i sigurt, i qëndrueshëm të ardhurash. Nuk e vret mendjen se si do të shkojë bursa, do ketë ulje apo ngritje valuta, do të shitet apo jo malli në tregun e gjithfarëllojshëm, do të arrish të kryesh takime të reja fitimprurëse në marketing, apo do të të lënë në baltë si kompani, se klima politike në vend nuk është e favorshme.

Orjona Tresa, gazetare

Orjona Tresa, gazetare

Ka gjithfarë situatash që jashtë zanatit artizanal, të bëjnë me dhimbje koke, e ca më keq, të të stresojnë aq sa të të shpifet ndonjë gjë në shëndet. U ndala te zanati, sepse vë re një lulëzim profesionesh nevoje, apo që me terminologjinë e re i cilësojmë si utilitare, që janë rikthyer fuqishëm. Po ndalem vetëm tek njëri, aspak për t’i bërë qejfin, por për ta respektuar si gjini tjetër. Jo vetëm si një shërbim, por si një trend kulturor që përveçse zbukuron, të fut në një botë fashion-i, risish dhe kënaqësish.

Dikur njerëzve që e bënin këtë punë u thoshim berber, ndërsa lokalit berberhane. Sot nuk lakohet më me këtë emërtim të vjetër, se tingëllon jo fort i bukur për veshin. Barbier në anglisht logoja, ndërsa brenda një sallon i vërtetë mode, ku djem të rinj, të talentuar, të vërtetojnë se brezi i ri nuk është brezi i hashashit, duhanit, teknologjisë apo lokaleve. Janë të rinj që qëndrojnë pincë në këmbë të shërbejnë për të të dhuruar çaste të këndshme dhe në fund të gjithë punës, të dhurojnë një pamje mbresëlënëse.

Në sfond ka muzikë. Nuk mund të mungojë ajo që rrit adrenalinën më shumë. Sepse tingujt ashtu si në artin e skenës, dhe në artin e bukurisë, dhurojnë energji pozitive. Vetëm në lagjen time mund të numëroj pa frikë 15 sallone bukurie për meshkuj. Disa punojnë vetëm, ndërsa të tjerë funksionojnë në grup. Të gjithë në koherencë me tendencat e fundit, sugjerues e këshillues gjithashtu, aq sa dukesh se në marrjen e këtij informacioni, të duket se po merr një leksion në auditor.

Sapo jam futur në një lokal të tillë estetike. Shoqëroj djalin tim, pasi flokët i janë zgjatur më shumë se duhet dhe i duhet një “krasitje”. Ambienti është i këndshëm. Ndërmjet, batuta çlodhëse, siç ndodh mes të rinjsh, të cilët e gjejnë të vendit si përftim i një kohe të lirë tangent. Ata i drejtohen njëri-tjetrit me epitete që shkaktojnë humor: “O jeta”… “O nona”, dhe buzëqeshja pritëse i ka ç’tensionuar nga mbajtja e gërshërëve metalike, nevojë për shkriftim nga ngarkesa rutinë. Mes kolegësh nuk ka ndarje punësh. Ai që mbetet një çast i lirë merr fshesën ndërkaq. Ka punë aty jo shaka. Dhe këto gjëra nuk kanë radhë, thjesht tregojnë respekt. Respekt për punën.

Është ora 18 e 15. Im bir sapo është ngjitur në poltron. Djali që e mori përsipër, tregohet i kujdesshëm. Merr kërkesën dhe të shpjegon se si e ka kuptuar. Jam mama e vetme brenda që shoqëroj tim bir. Nuk ka syresh që ta vënë në dukje. Përkundrazi, të gjithë të angazhuar në katër poltronë. Nuk mbetet vendi bosh edhe pas përfundimit të shërbimit. Të vëmendshëm ndaj kujtdo që zgjedh duart e mjeshtrit. Të palodhur, të motivuar, të tregojnë se janë duke shfrytëzuar energjitë siç duhet. Kjo duket dhe te korrektësia e tyre.  Paraja dhemb, sepse me vështirësi fitohet.

Jashtë është errësuar, ndërsa ritmi i tyre ka gjallëri. Dikush kujdeset për prerjen precize, një tjetër që mjekra të ketë formën e lakuar, trendi, të jetë e butë dhe me shkëlqim. Dikush ngacmon vetullat, sepse dhe ato janë pjesë e kurimit estetik. Dhe në fund, një shkëlqim alla mjeshtrash për pamjen ekselente kur të lësh pas sallonin.

Zgjodha të flas për këtë kategori, të përulur me sa kam shquar në takimet e mia shoqëruese të tim biri, i cili bashkë me leksionin e bukur të punës, kupton dhe rëndësinë e dukjes, pastërtisë dhe imazhit të jashtëm. Gjithaq më vjen të lakoj sërish rëndësinë e të qëndruarit me këmbë në tokë që, edhe atëherë kur universiteti nuk të ka plotësuar, profesioni është ai që nuk të lë pa punë. Madje të edukon dhe shumë herë më tepër se sa të presësh gjatë për një pozicion që kërkon diplomë akademike.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 153

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top