Editorial

December 13, 2021 | 8:15

Nga Orjona TRESA / Ta mbushim shtëpinë me pozitivitet!

Pakënaqësi, zemërim, keqardhje, ndjesi ndjellakeqe madje dhe terror, të cilat ngado të kthesh kokën sikur të të marrin ndënë vete. Energjia negative të mblidhet lëmsh në gjoks, e të bëhet pengesë për të marrë frymë i lirë. Njerëzit tanimë janë aq shumë të frustruar nga frika dhe paniku sa presin radhët që virusi Covid t’i përpijë.

Kam frikë të dal jashtë, të ulem në lokal e të pi një kafe, Spitalet janë keq, hyn gjallë e del i vdekur”, “Paketa për të shpëtuar nga Covidi ka shkuar nja tre a katër mijë euro, nuk di kujt t’i marr borxh po më ra ky fat, Kam merak për prindërit, ç’qe kjo që na ra, Kam hallin e punës, mirë virusi, por po mbetemi pa të ardhura… Këto janë disa nga shqetësimet reale dhe të natyrshme të të gjithë amullisë që na ka bërë të përjetojmë një pandemi të kësaj përmase.

Them përmase sepse prej muajsh jemi në bombardim të vazhdueshëm me informacione sa zyrtare, mediatike por edhe interpretative e spekulative të kujto që merr vesh e di të lidhë dy fjalë. Dhe kuja e përditshme që nis në orën 06.00 të mëngjesit me heqjen e shtetrrethimit e përfundon në orën 22.00 të natës me vendosjen e tij, ka të bëjë me atë që na ka rënë gjëma e madhe e nuk po marrim dot veten.

Një luftë e ftohtë psikologjike e cila duket se po sëmur me dashje të gjithë ata që po përthithin ngarkesën e kësaj beteje. Mendoni që në vite të ndryshme, të njëjtat viruse, por njohëse si krejt sezonale dhe shumëvjeçare, (si SarsCov2 i viteve ‘60) kanë marrë shumë e më shumë jetë njerëzish, sepse të tillë janë ‘projektuar’, që bashkë me një sërë sëmundjesh të tjera vdekjeprurëse të jenë në këtë ekosistemin tonë gjallësor.

Pakt për jetën nuk bëjmë dot, me Zotin jo e jo! Gjithfarë kemi në dorë në përpjekje për ta ruajtur jetën tonë do ta bëjmë, por të biem në hullinë e dëmtimit serioz psikologjik, nuk duhet ta lejojmë. Veç duhet të jemi të vetëdijshëm për masat, rregullat, gjendjen në të cilën ndodhemi, ta pranojmë dhe t’i bëjmë ballë, dhe nuk kemi pse diletantojmë e ta lëmë veten të biem pre e zgjedhës masive se e keqja do të dominojë.

Frika nga pandemia na ka ndryshuar sjelljen tonë, na ka bërë të tërhequr, të vrazhdë, me veten, shoqërinë. Disa të tjerë i ka mbyllur në vetvete. Kemi harruar çdo sëmundje tjetër, çdo problematikë shoqërore, çdo situatë serioze ku duhet të ushtrojmë vëmendjen e duhur. Virusi me apo pa dashje, për nga rastësia apo si një projekt fort i sofistikuar, ka ndryshuar linjën e mijëvjeçarit të ri, për të na gllabëruar pa kompromis në vorbullën e asgjësë.

Fjalët dhe mendimet janë energji. Siç mund të krijojnë ura shpëtimi, ashtu mund dhe të të fundosin për shkak të dridhjeve që krijojnë në raporte emocionesh dhe qëllimesh pozitive apo negative. Besoni apo jo, fjalët janë arsyeja e dritës dhe errësirës në trupin tënd, arsyeja se përse në situata të tilla si pandemia, duhet të anojnë nga energjia pozitive, për t’i thirrur vetes se është koha të prapësojmë negativitetin e mbështjellë rreth nesh, dhe të ripërtërijmë shpirtin.

Festat janë një kohë për të kthyer vëmendjen e për të përçuar nevojën për lënien pas krahëve të ndodhive, duke peshuar gjërat që kanë më shumë rëndësi, duke i dhënë kurajë vetes dhe duke i thirrur qiellit për shpëtimin nga e gjithë kjo situatë. Me dashamirësinë dhe vullnetin për ta çuar përpara jetën, për të parë me syrin realist gjithë ngjyrat që ajo na i ofron e mundëson, të shpresojmë dhe besojmë në më të mirën.

Në emër të redaksisë së revistës Psikologjia, viti 2021 qoftë një kapitull i ri, i çmuar në jetën e gjithsecilit, një pranverë e gëzueshme për të qenë më pranë familjes, të takuar me të afërmit që ndodhen larg, për të qenë të sjellshëm e të mirëkuptuar me bashkëpunëtorët, të shëndetshëm dhe të aftë për vazhdimësinë e mijëvjeçarit. Gëzuar!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 162

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top