FB

December 13, 2021 | 8:15

Pesë mënyra për të mos u përfshirë nga “trishtimi i festave”

 

Sa herë keni pyetur veten: “Kush e thotë që festat sjellin vetëm lumturi dhe gëzim?”, “Si është e mundur se çdo gjë që na rrethon, nga zbukurimet me dritat vezulluese, deri te premtimet për një moment gëzimi dhe të pasur me lumturi na bën të ndihemi të mërzitur, të mendueshëm dhe ndonjëherë të trishtuar?”

Krishtlindja dhe nata e vitit të ri janë festa të familjes, ku festohen dashuria, ku ndahen gëzimet dhe shpresat për të ardhmen. Por jo gjithmonë familjet tona dhe njerëzit e dashur na rrinë pranë, ndonjëherë nuk jemi dakord me ta dhe ndonjëherë ndiejmë se nuk kemi asnjë njeri për të ndarë këto momente të gëzuara, se asnjëri prej tyre nuk na do realisht. Këto janë disa nga arsyet pse trishtimi, hidhërimi, keqardhja për të kaluarën na kaplojnë dhe na japin një gjendje parehatie.

Fundi i vitit është në mënyrë të pashmangshme një moment vlerësimi, ku bëjmë bilancin e gjithçkaje që kemi kaluar gjatë gjithë vitit. Cilat janë ëndrrat ose objektivat që kemi realizuar, me kë i kemi ndarë, çfarë nuk kemi konkretizuar, cilat kanë qenë rastet që kemi humbur, çfarë do të kishim bërë, por nuk ia kemi dalë. Në bazë të vlerësimeve të tilla do të përjetojmë një ndienjë pak a shumë pozitive ose negative. Është e rëndësishme të pyesim: “Çfarë i themi vetes për këtë gjë?”, “Çfarë vlerësimi i japin dështimeve të vogla apo të mëdha, aftësive tona, sukseseve tona, parashikimeve mbi të ardhmen?”

Shumë ndjenja mund të kundërshtojnë njëra-tjetrën, zhgënjimi dhe trishtimi ndërthuren me njëra-tjetrën, ndonjëherë trishtimi mbizotëron mbi të gjitha të tjerat derisa në rastet më ekstreme mund të shndërrohet në një depresion të mirëfilltë.

Veç kësaj, festat karakterizohen si një moment pushimi nga përditshmëria. Problemet dhe vështirësitë, deri në atë moment në dukje të menaxhueshme ose të injoruara, papritmas përfshijnë vëmendjen tonë. Momentet që duhet t’i dedikoheshin pushimit dhe aktiviteteve të kënaqshme, të cilat shpesh i shtyjmë për në periudha të tjera të vitit, shndërrohen edhe në momente reflektimi. Ndërprerja e aktiviteteve normale të punës dhe familjare, nga stresi i përditshmërisë, nga shqetësimet praktike, i lënë vendin mundësisë për të parë brenda vetes, për të përjetuar realisht ndjenjat që shpesh i lëmë mënjanë për shkak të frenezisë së jetës. Dhe ja, ku dalin në pah frustrimi, dhimbja, vuajtja që atë që nuk është më mes nesh, për një lidhje të përfunduar keq, për një objektiv të papërmbushur.

Është e rëndësishme ta përballojmë këtë situatë në mënyrën e duhur, për të mos u bërë viktimë dhe për të mos e shkatërruar këtë moment që mund të jetë emotivisht i ngarkuar dhe pozitiv.

Pesë kurthet më të zakonshme

  • Mendoni se gjatë festave duhet të jeni me çdo kusht të lumtur. Për këtë arsye e konsideroni trishtimin si një ndjenjë e gabuar, e cila nuk duhet përjetuar në këtë situatë.
  • Përqendroheni dhe e vrisni mendjen për ngjarjet negative ose mbi ato gjëra që nuk keni arritur apo realizuar.
  • Mendoni se jeni vetëm ju që përjetoni trishtim në këtë periudhë të vitit.
  • E përqendroni vëmendjen ekskluzivisht në problemet tuaja personale.
  • I jepeni trishtimit si të ishte diçka që nuk përballohet.

Si ta përballoni?

Duhet të ndalni dhe të reflektoni mbi mendimet që lidhen me ndjenjat tuaja: çdo situatë që përjetoni nuk zgjon ndjenjat e përshtatshme apo të papërshtatshme, ndjenjat e duhura dhe të gabuara. Çdo ndjenjë ka të njëjtën të drejtë të dalë në pah dhe mbi të gjitha do të përcaktohet jo shumë nga vetë situata (festat, Krishtlindja dhe Viti i Ri) por nga ajo që thoni rreth situatës (“duhet të ndihem mirë me çdo kusht”, “jam vetëm”, “askush nuk më do”, “kam frikë nga e ardhmja”…). Do të jenë këto mendime negative që do t’ju bëjnë të ndiheni keq dhe nëse do të përpiqeni t’i vini në diskutim dhe të verifikoni vërtetësinë e tyre, do të mund të kuptoni sesa irracionale ato janë.

Vlerësoni në mënyrë racionale situatën dhe pritshmëritë tuaja: vlerësoni se cilat kanë qenë ngjarjet pozitive që kanë ndodhur gjatë vitit dhe aspektet pozitive të situatës që po përjetoni aktualisht. Në këtë mënyrë do të kuptoni se jo çdo gjë që keni bërë ka shkuar vërtet keq dhe që keni disa pika të forta mbi të cilat mund të mbështeteni edhe në këtë moment ose në të ardhmen. Vlerësoni në mënyrë racionale pritshmëritë tuaja duke treguar veçanërisht kujdes mbi atë që mund të kishit realizuar. Do të kuptoni që shpesh pretendoni shumë nga vetja ose nga situatat. Listoni dhe një herë pritshmëritë tuaja mbi një bzë më racionale, si dhe shiheni situatën më pozitivisht. Kjo gjë do të bëjë të mundur që të aktivizoheni në mënyrë konkrete për të arritur në të ardhmen objektiva të reja më realiste.

Ndajini përjetimet tuaja me njerëzit e afërt: flisni, tregoni se si ndiheni. Kjo gjë do t’ju lejojë të harroni ndjenjën e vetmisë, e cila ushqen edhe më shumë trishtimin. Bashkë me të afërmit mund të gjeni mënyra më të mëdha për ta kaluar këtë gjendje sa më lehtë.

Bëni diçka për të tjerët dhe për ata që janë më keq se ju: mundohuni të mendoni për njerëzit tuaj më të dashur, pavarësisht nëse janë të afërm, miq apo njerëz që i vlerësoni për një arsye apo një tjetër. E rëndësishme është që të jenë njerëz të cilët i doni dhe me të cilët doni të ndani një moment të lumtur. Mundohuni të rrini bashkë, bëni një gjest të bukur ndaj tyre, bëjini të ndihen të dashur dhe të vlerësuar, njësoj siç do të donit të silleshin me ju. Mund ta hidhni shikimin edhe më larg. Krishtlindja dhe Viti i Ri janë festa të solidaritetit dhe duhet t’ju shtyjnë që t’u dhuroni diçka sidomos atyre që janë më pak fatlumë. Të jeni të dobishëm ndaj të tjerëve do t’ju ndihmojë që ta largoni të gjithë vëmendjen nga problemet tuaja personale dhe të përjetoni ndjenja pozitive.

Përdoreni trishtimin si mundësi: edhe një ndjenjë negative mund të ketë anën e vet pozitive. Nëse gjatë festave na kap papritmas trishtimi, edhe gjatë vitit mund të kemi momente të vështira me të cilat do të përballemi. Gjithçka që do të mund të bëjmë për t’u ndier mirë në këtë rast mund të na shërbejë dhe mund të jetë e dobishme edhe në të ardhmen.

 

Përgatiti: Manjola EREQI   |   Burimi: Psychoworld

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top