Në fokus

March 24, 2018 | 9:31

Nga Renisa Beqiri / Në emër të dashurisë për të blerë!

E kemi kapur veten shumë shpesh duke thënë “nuk kam asgjë për të veshur” ndërkohë që fluturojmë nga garderoba rroba të pafundme. Moda ndryshon çdo ditë dhe shumë nga ato që kemi, ndonëse shpesh të paveshura, dalin nga trendet e fundit. E kështu ne jemi “të dënuar” të rinovojmë garderobën herë pas here. Të bësh shopping është pasion, është sjellje karakteristike e individëve që e pëlqejnë dhe duan të bukurën, e atyre që janë sfidues të vetes dhe të tjerëve, që duan të bëjnë zhurmë, që zgjedhin të jenë në qendër të vëmendjes.

Nga Renisa Beqiri, Psikologe Klinike

Nga Renisa Beqiri, Psikologe Klinike

Të blerit ka fuqi qetësuese dhe nxit kreativitetin. Të fal një ndjesi të rehatshme me veten dhe një temë bisede interesante për tu hapur në tavolinë. Të bën të ndihesh më “in” dhe i/e përditësuar me zhvillimet e fundit të kësaj fushe. Është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës, dhe e shëndetshme nëse nuk kalon në ekzagjerim dhe varësi.

Blerja është pjesë e një procesi të pandashëm të jetës. Ka njerëz që blejnë për të treguar që ekzistojnë, dhe ekzistenca e tyre përcaktohet jo nga ajo që mendojnë por përmes asaj që duken dhe bëjnë. Të bërit pazar, përveç të qenurit një aktivitet rutinë, në shumë raste shkon përtej kësaj. Ai është bërë një proces akumulimi që nxit rritjen me potencial për të promovuar vetëkohezionin, vetëvazhdimësinë dhe vetëvlerësimin.

Sapo largohesh shpenguar nga vitrinat e pasionit, e ngazëlluar nga përvoja e blerjes, menjëherë kalon në tronditjen fillestare pasi mendja mbeti në xhaketën që nuk u ble dot, e fill pas këtij mendimi, përjetohen rritje të niveleve të ankthit. Por prapë ti vazhdon të justifikosh veten me faktin se produktet që ti sapo bleve janë të sezonit të ri, në ulje dhe një investim i mençur që assesi nuk duhej injoruar.

Tashmë vesi i pandreqshëm i blerjes të është futur thellë në mendje dhe po mendon për mundësinë më të mirë të mundshme për të kaluar prap dhe prap për të mos blerë asnjëherë atë që të ngeli peng herën e kaluar, por diçka tjetër që të pëlqeu sot. Herë pas here të lind dëshira t’i kthesh ato që bleve, por zmbrapsesh sërish me pretendimin që blerja e radhës do të jetë gjetja e një kombinimi të duhur për produktin e sapo blerë dhe kaq.

Nuk po flas për ata që blejnë thjesht për të plotësuar nevojat e veta, sepse duan të bëjnë një dhuratë. Sigurisht që ka individë të cilët janë konsumatorë racionalë, ata blejnë çfarë kanë nevojë dhe asgjë tjetër. …por e kam me ty, që je i/e gatshme të blesh gjithçka që të pëlqen, ke apo nuk ke nevojë; për ty që futesh nëpër dyqane për hir “të të bërit pazar”.

Po të drejtohem ty, që sa herë shikon në vitrinat e dyqaneve etiketën e kuqe që sinjalizon zbritje, sytë të bëhen më të shëndrritshëm  dhe buzëqeshja jote është më e gjerë, zemra është duke të rrahur egërsisht, nuk mendon dot kthjelltësisht dhe asgjë nuk është në gjendje të të pengojë që të marrësh atë që dëshiron dhe që je i/e gatshme të posedosh.

Për ty, blerja mbetet një varësi më vete dhe një kënaqësi e tejskajshme që çon drejt një mosngopjeje masive.  Një alkoolist mund të heq dorë nga alkooli, një lojtar heq dorë nga skuadra e zemrës, ndërsa ti vazhdon të bësh pazar. Në konceptin neuropsikologjik, varësia e blerjeve ashtu si e shumë sjelljeve të tjera shpërblyese, ngjan me atë të abuzimit të substancave. Në sipërfaqe, varësitë e sjelljes dhe ato ndaj substancave duken shumë të ndryshme, por në fakt këto janë varësi që zëvendësojnë lehtësisht njëra tjetrën.

Individët e varur nga blerjet, shpesh qëndrojnë në dyqan në periudha më të gjata nga sa e kanë menduar, blejnë më shumë sesa kanë nevojë, dhe shpenzojnë më tepër para sesa mund të përballojnë. Ashtu si edhe në varësitë e tjera, blerësit obsesivë përjetojnë luhatje të forta emocionale edhe kur e marrin produktin e preferuar, dhe kur e lënë atë. Ndjenjat e zbrazëtisë, vetëbesimi i ulët, pasiguria, mërzia apo vetmia mund të çojnë në blerje dhe shpenzime të pafundme.

Shpesh aktiviteti i të blerit mund të konsiderohet si një proces i cili përpiqet të ti shmangë këto ndjenja negative, si dhe ndihmon në mpirjen e tyre të paktën për një kohë të shkurtër. Mund të ndodhë që këta individë të përpiqen që ta ndalojnë këtë sjellje varësie, por nuk janë mjaftueshëm të zotë për t’ia dalë. Ndonjëherë ndihen nervozë kur nuk gjejnë atë që duan.  

Oniomania është një term që shpjegon blerjet në mënyrë kompulsive. Onio vjen nga greqishtja që do të thotë “në shitje” dhe mania do të thotë “marrëzi/papërgjegjshmëri”. Kjo dukuri është bërë një shqetësim i rëndësishëm në shoqërinë tonë e cila bashkëshoqërohet me simptoma të shumta si varësia nga alkooli, substancat e tjera apo çrregullime të humorit. Oniomania prek vajzat dhe gratë në 90% të rasteve dhe 10% djemtë dhe burrat. Këta individë janë gjatë gjithë kohës duke menduar për të blerë.

Ne si qenie njerëzore jemi vazhdimisht në kërkim të kënaqësive bazë dhe atyre ekstra. Në rastet kur është e pamundur që të fitohen kënaqësi në punë, në shkollë, në familje apo në shoqëri, vetja do të kënaqet duke blerë.  Nëse pjesa më e madhe e kohës së një individi do të kalohet pa kryer ndonjë aktivitet përmbushës, të blerit do të kthehet në një burim kënaqësie rutinore dhe aktivitet i të ndjerit i dobishëm. Gjatë procesit të shopping-ut tek këta individë kemi lëshimin e neurotransmetuesit të endofrinës që nxit adrenalinën duke aktivizuar emocione në këtë sjellje.

Individë të ndryshëm kanë mënyra të ndryshme për tu përballur me ankthin dhe stresin. Disa i shkarkojnë këto ndjesi në ushqim, duke ngrënë në sasi të konsiderueshme kryesisht përgjatë periudhave që kanë një ngarkesë të lartë emocionale. Disa të tjerë i shkarkojnë duke u marrë me aktivitete sportive, të tjerë duke fjetur më shumë, të tjerë përdorin drogat ndërsa disa të tjerë përdorin blerjet si një çlirim, sidomos kur gjërat që po kalojnë janë të vështira për tu kapërcyer.

Ajo që është e përbashkët tek të gjithë këta individë të cilët po përjetojnë simptoma të ankthit, stresit apo edhe depresionit, bëhen më të trishtuar dhe të vetë-fokusuar dhe kjo mund t’i bëjë ata që të shkojnë në dyqane dhe të bëhen të varur ndaj blerjeve. Gjithashtu, tek këta individë ekziston dëshira për kontroll, kënaqësi të menjëhershme dhe për tu ndjerë pa stres dhe ankth. Blerja sjell një eufori momentale të njëjtë me atë të fitimit të një skedine.

Këto zakone të shpenzimeve jashtë kontrollit mund të çojnë në një “rrëmujë” të madhe personale si shkatërrim financiar, probleme sociale për shkak të borxhit, humbje vetëbesimi dhe stres. Kështu individi i largohet jetës së shëndetshme deri në pikën kur sjellja e të blerit e kontrollon individin dhe jo individi sjelljen. Ata mund të dalin dhe nga vetja duke gënjyer për aq sa kanë shpenzuar, me anë të një sjellje tipike blerësish obsesivë duke fshehur apo grisur faturat e çmimeve.

 Nga ana tjetër edhe procesi i blerjes online është shumë stimulues. Sapo të hapim rrjetet tona sociale, kundrejt të cilave harxhohet një kohë relativisht e gjatë, bombardohemi nga imazhe, njoftime dhe foto të ndryshme. Të ndikuar nga ndriçimi i përzgjedhur i fotos, linjat thuajse perfekte të modeleve dhe çmimet kompromentuese që shërbejnë si indikatorë të një blerjeje impulsive, çojnë pas arritjes së produktit të porositur në pendesë, zhgënjim, ndjenja keqardhjeje dhe të fajësisë për zgjidhjen aspak produktive që u ndërmor për të shkuar drejt kënaqësisë.

Duket që individët që kanë tendenca të pakontrolluara të blerjes kalojnë përmes një spiraleje dramatikisht të madhe si: ngacmimi nga produkti,eksitimi (duke menduar sa bukur duket, si mund të kombinojë, sa e adhurueshme do të jetë), marrja e produktit, ankthi i fortë dhe qetësimi eventual.

Gjithashtu zhvillohen besime irracionale të tipit “ Unë kursej, por kur bëhet fjalë për investime të vlefshme nuk kam pse e bëj. Një jetë kemi, paratë do të vijnë sërish, Zoti do ta bëjë kësmet.” Ajo që besohet fort nga hulumtues të ndryshëm është se blerësit masivë priren të kenë vlera materialiste, dhe kjo mund të jetë një arsye se pse njerëzit materialist blejnë në mënyrë kompulsive

Ndonjëherë këto blerje mund të shërbejnë si një simbol për veten ideale të blerësit. Një grua/burrë që është i/e pasigurt në lidhje me pamjen e vet, mund të blejë dhunshëm rroba dhe bizhuteri të cilat janë në modë për tu ndjerë më bukur – rrjedhimisht më mirë. Apo në raste të tjera, ndjekja e një imazhi ideal si një model për ta arritur apo për ti ngjarë sadopak, mund të çojë në sjellje të ekzagjeruara blerëse.

Tendenca e madhe që kanë të rinjtë dhe të rejat (e jo vetëm)për t’u orientuar drejt një jete perfekte dhe të luksit, ku gjithçka të jetë në trendet dhe standartet më të fundit, tendenca për të ndërtuar fasada të forta perfeksioniste, është një investim pozitiv për botën e marketingut dhe në të njëjtën kohë një investim i vrazhdë drejt një veteje të pangopur, bosh dhe të palumtur.

Për aq kohë sa matësi i lumturisë do të jenë komplimentet mbi dukjen, sasia e pëlqimeve në rrjete sociale, mohimi i vetes së vërtetë, mohimi i asaj që realisht kemi mundësi të posedojmë, të qenurit pre e vazhdueshme e presionit të shoqërisë publicitare mbi të bukurën, dyqanet do të vazhdojnë të shesin, ne do të vazhdojmë të rrisim varësinë tonë karshi tyre, dhe do të vazhdojmë të mbushim materialisht shpirtin.

Lumturia dhe gëzimi nuk janë gjëra fizike, ne nuk mund ti preknim ato, por mund ti ndjejmë. Mos lejoni që shumica e gjërave që mund t’iu bëjnë të lumtur të jenë “gjëra”, por përpiquni të investoni të jenë përvoja, momente, njerëz, emocione. Mos e lejoni veten të shkoni në zymtësinë e largët të mëndafshit të artë të mërzisë, mos e lejoni veten të vishet shallin e leshtë të trishtimit, mos e mbështillni lëkurën me maskën e ftohtësisë, mos mbathni në këmbë çizmet e lëkurës së dhimbjes, mos vendosni kapelën e pambuktë të fshehtësisë, mos bëni freski me erashkën e erës së vetmisë, mos lejoni të nuhasni parfumin e shtrenjtë të lodhjes, mos vendosni syzet e zeza te konsumimit…. Mos u dukni – jetoni!

Jetoni me byzylykun e mamit, përqafimin e babit, buzëqeshjen e fëmijës, gëzimin e shoqërisë. Rrituni nën tingujt e harabelit, lutuni për yllin që sapo u shkëput nga qielli, besoni tek ajo çka ju jeni, prijini ferrat dhe ndërtoni gardhe, lundroni në zhurmën e dallgës së detit dhe lëreni puhizën t’iu përkëdhelë flokët dhe mendimet, binduni qetësisë së malit ndërsa në këpucët tuaja ndjeni pak ujë që depërton aty.. po po ndjeni, ndjeni sepse po jetoni dhe jetoni duke ndjerë.

Gjërat mund të preken, nuhaten apo konsumohen, por nuk është e njëjta kënaqësi si ajo që iu bën të ndjeni, t’iu bëjë realisht të lumtur. Nëse ne nuk kthehemi tek kjo e vërtetë dhe vazhdojmë që të blejmë, ne mund ta harrojmë këtë filozofi të jetës, dhe ne mund të harrojmë si mund të jemi të lumtur sërish.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com