Në fokus

April 17, 2018 | 13:39

Nga Reti Duka / Mësimdhënia në këndvështrimin psikologjik austriak

Fillimi i shkollës apo vijueshmëria e shkollimit, përveç stresit të parapërgatitjeve që nga zgjedhja e shkollës, veshja, blerja e sendeve shkollore, më shumë hamendje ka te përzgjedhja e shkollës ku mësimdhënia është në nivel të lartë dhe bashkëkohor. Sistemi shkollor në Austri ka një traditë të gjatë dhe të hershme që varion prej vitit 1774 me hapjen e shkollave të para katolike ku shkolloheshin vetëm fëmijët e shtresave të larta. Më pas vijoi evoluimi dhe reformimi i sistemit arsimor deri në ditët e sotme.

Reti Duka, punonjëse Sociale, Graz, Austri

Reti Duka, punonjëse Sociale, Graz, Austri

Shkollat shtetërore, por edhe ato private kanë fituar me ligj autonomi. Autonomia përfshin aspekte të planit mësimor, strukturimin e klasave, vendimmarrjen për vendosjen e ditëve të pushimeve, që janë pesë ditë pushim në vit, përveç festave zyrtare, vendosjen e numrit të nxënësve në klasa (maksimumi 20–22 nxënës për klasë) në shkollat fillore. Po kështu, shkollat kanë autonomi të vendosin vetë për zhvillimin e procesit mësimor, metodikat dhe praktikat e mësimdhënies, forcimin dhe bashkëpunimin mësues-prindër e shumë të tjera.

Në çdo shkollë fillore apo tetëvjeçare dhe deri në shkollat profesionale apo universitete përveç stafit mësimdhënës, është i kyçur edhe stafi psikologjik (psikologu i shkollës si dhe punonjësit socialë). Mësimdhënësit janë vazhdimisht në gjetjen e metodikave psikologjike si faktor kryesor dhe lehtësues për zhvillimin psikologjik të nxënësve. Nëpërmjet këtyre metodave, nxënësve u shtohet dëshira për të ardhur në shkollë me gëzim dhe jo me stres.

PO PËRMEND KËTU DISA METODA LEHTËSUESE PËR NXËNËSIT QË ULEN PËR HERË TË PARË NË BANKAT E SHKOLLËS:

Lojëra për t’u njohur me njëri-tjetrin

Nxënësit të ulur në banka fillojnë në formë zinxhiri, në radhë ku i pari thotë emrin e tij me zë të lartë. I dyti përsërit emrin e të parit e kështu me radhë. Është metodë e thjeshtë dhe fëmijët çlirohen nga ankthi dhe stresi, pasi duket si lojë. Nxënësit shkruajnë në copa letre emrin, ditëlindjen, pasionet, etj. Me sinjalin “STOP” kujt i bie radha, e lexon dhe kështu vazhdohet deri tek i fundit.

Dinamika e grupit “Loja e detektivit”

Kjo lojë është mjaft fitimprurëse për të forcuar kujtesën. Një nxënës tregon shkurtimisht për veten dhe tjetri në rolin e detektivit duhet t’i përsërisë ato që thonë të tjerët për veten. Procesi arsimor është i lidhur ngushtë me zhvillimin psikologjik dhe paralelisht, përveç metodikave dhe mekanizmave lehtësuese mësimore për nxënësit që kanë probleme me mësimin e lëndëve të ndryshme mësimore apo mbartin me vete probleme psikologjike (nga familja, sjellje të vështirë apo zhvillim të vonuar fiziologjik/ psikologjik) funksionojnë strukturat: Psikologët, punonjësit social në bashkëpunim me degët e ministrisë së rinisë, të cilat ndodhen në çdo bashki qyteti. Këto raste lajmërohen nga mësuesit direkt në këto struktura dhe ndërhyhet menjëherë. Fëmijët apo të rinjtë me vështirësi kanë ndihmën personale të punonjësit social deri në moshën 18-vjeçare. Puna që bën punonjësi social me të rinjtë është individuale dhe zhvillohet dy-tre herë në javë pas orarit mësimor.

Metodika e punës është e larmishme, duke filluar nga mbështetja suplementare në lëndët mësimore e deri tek aktivitetet e lira si: sport, shëtitje në natyrë etj, si dhe puna me prindërit. Kjo lloj ndihmese është pa pagesë për prindërit, pra paguhet nga shteti dhe mbi të gjitha është metodë lehtësuese për mësuesin, për familjen si dhe vetë nxënësit.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top