Mirëqenie

May 22, 2018 | 14:59

Nga Reti Duka: Në kërkim të lumturisë…

Të gjithë duam të jetojmë të lumtur, por si? Një kërkim në gjurmët mes momenteve të vogla dhe afatgjata të qëndrueshme të lumturisë.

retiPërfytyroni sikur çdo ditë, kur shiheni në pasqyrë përpara se të hani mëngjesin, të thoni fjalinë: Unë jam i lumtur, sepse…” dhe përfundoni fjalinë. Ndjeni se si ju ndryshon pulsi, rrahjet e zemrës? Ndjeni një ngrohtësi brenda vetes? Përkufizimi i lumturisë është abstrakt. Ekziston një dallim i madh midis të ndjerit i lumtur dhe të folurës mbi lumturinë. Më shumë se kurrë është shndërruar në paradoks përkufizimi i lumturisë vetjake dhe asaj shoqërore. Është pak a shumë sikur çdokush nga ne të ketë një ndjenjë frike në vetvete, të flasë me zë të lartë: Unë jam i lumtur, sepse…”. Pak a shumë si besëtytni, duke menduar “nuk mund të them me zë lartë tre herë sa e lumtur jam, sepse mund të ndodhë diçka që do të ma prishë lumturinë!” Është kjo arsyeja që nuk dëgjojmë aspak, ose shumë rrallë njerëz në jetën e përditshme, apo të lexojmë, dëgjojmë në media, televizione, portale të ndryshme të flitet për lumturinë?! A nuk do të ishte bukur ta nisësh ditën duke dëgjuar të tjerët (edhe nëse vetë nuk ndjehesh i lumtur të thonë: Unë jam i lumtur, sepse…”. Sigurisht që po. Metodikë e njohur psikologjike që të ngre gjendjen emocionale, të motivon dhe të krijon ndjesinë e të qenit i lumtur, sepse… Çdokush nga ne ka një arsye, një detaj sado të vogël qoftë ky për të të bërë të ndjehesh i lumtur.

happy-people

Lumturia është ndjenjë

Shumë njerëz e lidhin të qenit i lumtur me pasurinë, me të mirat materiale. Tejet mendim apo perceptim i gabuar. Lumturia është e matshme: 2500 kalori, 100 litër ujë në ditë, një kuzhinë gatimi, të paktën 6 metër katrorë ambient banimi dhe 6 vjet shkollim. Kështu i përkufizojnë Shtetet e Bashkuara në “World Book of Happiness”, bazat e lumturisë. Më tej vijojnë faktorët e tjerë si: një punë sipas dëshirës dhe talentit të gjithsecilit, një lidhje apo martesë e qëndrueshme, shoqëri e mirë, shëndet dhe të ardhura të mjaftueshme materiale. Përderisa në Shtetet  e Bashkuara të qenit i lumtur është një e drejtë themelore e gjithsecilit e parashtruar në Kushtetutë, kjo nuk ekziston tek vendet në zhvillim. Principi themelor në Kushtetutën e çdo vendi duhet të ketë si bazament të tijin “lumturinë e popullsisë së vet”.

Në mbretërinë e vogël të Himalajës, lumturinë e qytetarëve të vet e kanë vendosur si prioritet të parë. Në çdo 5 vjet zhvillohen pyetësorë te popullsia, ku pothuaj 750.000 banorë u pyeten mbi lumturinë. Pyetësori përmban 9 pyetje gjithsej mbi aspektet e jetës së përditshme lidhur kjo në rang familjar, vetjak, socio-kulturor dhe politik. Përfundimi i pyetësorit kthehet kështu në barometër, matës bruto i lumturisë nacionale. Kjo nuk do të thotë të shuash kuriozitetin, apo të tregosh se sa i lumtur është ky apo ai nacionalitet. Jo. Arsyeja kryesore sipas mendimit tim, nga ana psikologjike është shumë domethënëse, sepse njerëzit motivohen, ndjehen të mbështetur nga politika apo qeveritë e tyre, nëpërmjet këtyre pyetësorëve mbi lumturinë individuale të gjithsecilit. Ky lloj pyetësori në bazë të përgjigjeve shtyn, stimulon qeverinë të marrë masa të mëtejshme për përmirësimin e jetës së popullsisë së vet. Mendje e shëndoshë, jetë e shëndoshë, por po kështu edhe shoqëri më e zhvilluar, e kulturuar dhe e civilizuar.

Lumturia ka nevojë për bazament të fortë!

Sipas statistikave të “World Happiness Report” udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pyetjet e përfshira në pyetësor për të përcaktuar pastaj indeksin e lumturisë variojnë që nga rrogat mujore, pritshmëritë e deri tek të ndjerit i lirë. Ideja është që qeveritë të frymëzohen, të orientohen në një politikbërje të tillë që t’i bëjë njerëzit e vet të lumtur. Por çfarë mund të mësojmë nga 13 vendet më të lumtura në “Top Listë”?! Kjo pyetje e detyroi gjermanen Maike van den Boom të vizitonte 13 vendet më të lumtura të botës personalisht. Ajo la punën për të studiuar dhe analizuar “World Database of Happiness” nga shkencëtari dhe studiuesi holandez Ruut Veenhoven, pionier i studimit mbi lumturinë në kohën e tij. Në Institutin e tij në Rottendam aktualisht publikohen gati 9000 publikime shkencore me rreth 24.000 përgjigje. 13-vendet në “Top-Listë” ishin njëkohësisht edhe vendet që gjermania Maike van den Boom për 9 javë i vizitoi personalisht. Që nga Costa Rica, Danimarka, Zvicra deri në Australi. Ideja e saj ishte: “Lumturinë e këtyre njerëzve , tua sillte sa më pranë gjermanëve të saj”. Ajo intervistoi rreth 300 njerëz, jo vetëm shkencëtarë apo studiues, por edhe njerëz të grupmoshave të ndryshme, të profesioneve të ndryshme. “Në fillim mendoja që në çdo vend të merrja një tip apo recetë të gatshme mbi lumturinë”- tregon Maike. Vende që  nga Norvegjia, Panamaja deri te Zvicra dhe këto vende në shikim të parë nuk kanë asgjë të përbashkët. Sa më gjatë që udhëtoja, aq më shumë njerëzit më thonin të njëjtat gjëra. Mbi vlerat universale, të cilat përmbajnë jo vetëm teori konstruktive, por aspekte si“Përgjegjësinë individuale për ta organizuar jetën sipas dëshirave, mundësive vetjake me gjithë vështirësitë pa marrë parasysh të ardhurat financiare, pushtetin, pasurinë. Përpjekje për ta jetuar jetën në harmoni me njëri-tjetrin. Një porcion humor dhe qetësi psikologjike. Një veçori që e ndesha në vendet skandinave: Besimi në vetvete! Besimi te qeveritë e tyre, jo humbja e besimit, sepse del aty-këtu një politikan i korruptuar. Mospërgjithësimi dhe etiketimi kolektiv! Humbja e besimit është fatalitet!

Lumturia është punë e vështirë

“Me një lule nuk bëhet kopshti”. Kjo thënie popullore është domethënëse për çdo njërin nga ne. Pas një bisede me një zonjë në moshë të thyer, vijon Maike, më mbeti në mendje thënia e saj: “Lumturia është punë e vështirë”! Për shembull: Ti ke një punë që nuk të pëlqen. Nuk e ke ndërtuar jetën ashtu siç ke dëshiruar apo do të doje ta kishe, por ti shkon tre herë në javë në sport. Kjo nuk ndikon te lumturia. Për të mbajtur lumturinë në vazhdueshmëri duhet shumë guxim. Kështu më ndodhi edhe mua. Për të bërë këtë udhëtim m’u desh të lija punën. Pa shumë të ardhura financiare, unë ndërmora udhëtimin drejt vendeve të panjohura, tregon Maike. Por ajo që erdhi pas këtij udhëtimi, më hapi një perspektivë të re pune dhe pasioni.  Aktualisht Maike zhvillon seminare të ndryshme mbi lumturinë. “Unë e lashë punën për të shkruar libra. Reaksionin që mora në Kanada ishte: Bravo! Kurse në Gjermani ishte: “Të ka lënë truri? Le punën si terapiste për të udhëtuar drejt të panjohurës?” Ajo që mësova në këto vende është kështu: “Ti je në këtë jetë vetëm një herë. Nuk duhet harruar kurrë!”

Një tjetër komponent mbi lumturinë që karakterizon njerëzit në Kosta Rika është perceptimi mbi kohën. Koha është flori, themi ne në shqip. Koha është pasuria e jetës. Dhe nëse ne mendojmë se sa njerëz të varfër jetojnë në Kosta Rika, ata thonë: Prit pak, ne jemi të pasur në ngrohtësinë njerëzore dhe kohën që kemi për të jetuar. Edhe pse ne nuk mund të realizojmë 100 gjëra njëkohësisht, duhet të mbetet frymëzim. Kjo vlen edhe për humorin dhe kënaqësinë e të jetuarit, principet e lumturisë. Ne jetojmë tani dhe këtu. Çfarë sjell e nesërmja nuk mund ta dijë askush. Kush jeton momentin, di edhe të shfrytëzojë kohën. Sa i përket korrektesës, ndarjes së kohës apo ardhjes në orar, vende si Panamaja, Meksika, Kolumbia por edhe Shqipëria inspirohen nga një vend tjetër. Kur dikush vjen në orar në punë apo takim, atëherë thuhet: “Koha gjermane!”

Të qenit i lumtur është një proces individual psikologjik, por edhe universal. Nëse qeveritë tona në Shqipëri do të vendosnin indeksin e lumturisë së popullsisë në vend të parë apo të kryejnë çdo 5 vjet pyetësorë të tillë, do të ishte një input për rritjen e mirëqenies ekonomike dhe njëkohësisht psikologjike të qytetarëve në përgjithësi.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top