Në fokus

March 21, 2018 | 8:47

Nga Rovena Vata / Libri si forma më e vjetër e mediatizimit dhe teknologjia që na merr “mendtë”

 

Të lexuarit ka qenë dhe është për çdo lloj moshe, burim i dijes, i ndriçimit të mendjes dhe kënaqësisë shpirtërore.

Dr. Rovena Vata, Pedagoge dhe Studiuese-Albanologe

Dr. Rovena Vata, Pedagoge dhe Studiuese-Albanologe

Albert Ajnshtajni ka thënë:“Druhem se do vijë dita kur teknologjia do të tejkalojë ndërveprimin tonë njerëzor. Bota do ketë një gjeneratë idiotësh”.

Fillimi i shekullit të ri, por mbi të gjitha avancimi i teknologjisë ka ndryshuar pothuajse gjithçka. Një nga këto ndryshime është edhe libri, ku libri elektronik po kërkon të zëvendësojë librin tradicional. Të gjithë ne kemi sot mundësi aksesi në internet dhe si rrjedhojë edhe mundësinë për të lexuar libra në mënyrë elektronike, duke u shndërruar kështu në një element shumë të pranishëm në shoqëri. Por a ja zbeh kjo rëndësinë librit tradicional? A duhet zëvendësuar libri tradicional me atë elektronik? Pro-të dhe kundra-t.

Milan Kundera me testament ua ka ndaluar botuesve që librat e tij të botohen në formë elektronike, cilado qoftë ajo, duke mbetur vetëm në variantin ‘print’. A është një dorëzim që i pafuqishmi bën para faktit të kryer, d.m.th. para asaj se libri nuk është më Guttenberg-as, por është, tashmë e përfundimisht, Zuckerberg-as, apo një romanticizëm i tepruar konservatorësh të cilët mendojnë se gjërat janë më mirë brenda paketës tradicionale? Si e shihni fatin e librit në përgjithësi, dhe librit në Shqipëri në veçanti, duke ditur se penetrimi i Kindle apo iPad është ende i ulët, por duket se edhe në formën tradicionale libri nuk njeh shpërthime. Do e çlirojë elektronikja librin edhe për shqiptarët, apo nuk do ndryshojë asgjë?

Si fillim gjëja e parë që bën dallimin midis librit tradicional dhe atij elektronik është pikërisht marrëdhënia me lexuesit. Libri nuk ka nevojë për energji të akumuluar dhe as për antena, atë mund ta lexosh edhe me qiri, mund ta përdorësh si të duash, mund ta shfletosh, të bësh në të shënime, ta shkarravisësh, ta dhurosh apo ta flakësh tutje, si dhe t’i trashëgosh brez pas brezi. Kënaqësia që ai të fal nuk mund të zëvendësohet nga asgjë madje as nga libri elektronik. Libri u reziston shekujve dhe nuk “plaket” brenda një dekade si homologët e tij elektronikë, gjithashtu ai mund të ruhet ndryshe nga e-librat të cilat në rastin se fshihen gabimisht nuk mund të rikthehen më. Ekziston gjithashtu edhe një disavantazh tjetër i cili ka të bëje me faktin se e-libri nuk mund të lexohet nga të gjitha grupmoshat.

Por nuk mund as të mos marrim në konsideratë të gjitha lehtësirat që na ofron teknologjia bashkëkohore: luks, thjeshtësi, kursim, komoditet, prakticitet. Një tablet, laptop apo smartphone, mund të jetë një bibliotekë e tërë në dorën e gjithë secilit prej nesh, që mund ta shfrytëzojmë dhe ta kemi me vete kurdo dhe kudo. Në pak minuta dhe me pak para mund të kesh në një ekran veprat më të mëdha të kulturës botërore, të letërsisë, artit, religjionit, filozofisë etj. Por nga ana tjetër të gjitha këto teknologji nuk shërbejnë vetëm për të lexuar libra, por gjithashtu me anë të një lidhjeje në internet ne mund të aksesojmë edhe  aplikacionet si: facebook, instagram, twitter, skype etj., duke na shpërqendruar në këtë mënyrë nga ajo çka po bënim.

Atëherë lind pyetja si duhet zgjidhur kjo “dilemë”???

Nuk mund të themi në formë të prerë se duhet të pranojmë njërën dhe të humbasim tjetrën, por duhet të bëjmë një lloj kombinimi midis tyre, duke pasur gjithmonë si primar librin tradicional.

Do të thotë që të dyja mund të bashkëjetojnë dhe duhet të bashkëjetojnë, sikurse nuk mund të humbim traditën e narracionit gojor, të shkrimit të një letre me dorë. Ashtu sikurse nuk do të mjaftojë kurrë të shikosh një person në skype, pasi asnjëherë nuk do të jetë e njëjtë si të takohesh me të, t’i japësh dorën dhe të ndjesh ngrohtësinë, që transmeton ky takim, ta përqafosh, ta shikosh në sy, të përlotesh nga hidhërimi dhe gëzimi, emocione që mund të t’i japë vetëm një takim nga afër.

Mund të themi se bota digjitale na jep një tërësi informacionesh nga fusha të ndryshme, por asnjëherë nuk mund të jemi plotësisht të sigurt që ky informacion i marrë është 100 % i sigurt, pasi varet burimi nga i cili vjen. Ashtu siç është i lehtë aksesi i internetit ashtu është i lehtë dhe hedhja e të dhënave në të, pra mund të bëhet nga kushdo, mjafton të kesh disa njohuri bazike.

Duke u nisur nga analiza që pse Librin e mendoj si formën më të vjetër të mediatizimit dhe teknologjinë që na merr “mendtë” mund të them se:

Është fakt që secili prej tyre është pjesë e jetës tonë dhe që të dy luajnë rol të rëndësishëm në marrjen e njohurive dhe edukimin e brezave. Libri të detyron në një farë mënyre që ta lexosh, pasi je i interesuar për mënyrën se si rrjedhin ngjarjet ndërsa sot, kjo edhe falë teknologjisë ti mundesh, që një roman shumëfaqësh ta gjesh të përmbledhur në pak faqe apo në disa fjali. Kështu i ke kursyer vetes para dhe kohë e cila sot është shumë e vyer për çdo njërin prej nesh. Kjo tërheqje pas librit mund të shpjegohet me faktin se një libër hard copy të përcjell më shumë emocione, mund ta prekësh, ta nënvizosh, dhe t’i rikthehesh një flete, për ta rifilluar aty ku e ke lënë dhe kjo është pjesë e pazëvendësueshme e çdo shoqërie. Pra, thënë shkurt e shqip, interneti, sot, është gjuha më e shpejtë e komunikimit, bartjes së dokumenteve, informacioneve etj., që lehtësojnë punën e gjithsecilit prej nesh pavarësisht nga lloji i profesionit.  

Largimi nga format klasike të marrjes së dijes, nëse më lejohet të them kështu, karshi kësaj teknologjie që po na pushton dita-ditës akoma e më shumë, po i largon brezat e rinj nga përdorimi i formave standarde të edukimit, duke i bërë ata më praktikë, por në të njëjtën kohë më dembelë dhe më pak të shkathët. Kështu pra nëse më parë për të marrë rezultatin e një ekuacioni matematikor ne përdornim laps dhe letër, sot me anë të një programi kompjuterik mund të gjejmë rezultatin, pa u lodhur fare,  thjesht me anë të një komande.

Kështu që unë mendoj se nuk duhet të zgjedhim midis tyre, sepse secili ka të mirat dhe të këqijat e tij, por duhet t’i ndërthurim në një mënyrë të tillë, që të marrim gjithmonë më të mirat e secilit.

Ndërsa po të flasim për vlerat e secilit mund të them se:

  1. Libri është një thesar që nuk mund të zëvendësohet nga asgjë dhe askush, e aq më pak nga një libër elektronik. Ai ka rëndësi të shumëfishtë, ai mund të ruhet në vende të ndryshme, ka qëndrueshmëri në kohë.
  2. Interneti është një trend shumë i rëndësishëm për kohën. Ai i nevojitet gjithsecilit. Të ofron shumë përparësi dhe është gjithëpërfshirës. Të ofron një shtrirje të pakufishme dhe të mundëson marrjen e njohurive nga shumë fusha. Të mundëson edhe gjetje nga më të ndryshmet!…

A e dini cili është sekreti i gjithë njerëzve të mëdhenj që kanë ekzistuar në këtë botë? Cili është sekreti i cili ndryshoi jetën e tyre përgjithmonë? Leximi, leximi i pandërprerë. Shfletimi i fletëve të historisë, filozofisë, poezisë njerëzore. Asgjë nuk krahasohet me kënaqësinë e atij çasti kur nga një fjalë e vetme e shkruar ndoshta para disa shekujve, të shpreh zgjidhjen e problemeve tua që ke sot. Përpjekja për të mësuar nga përvojat e njerëzve të mençur, udhëheqësve, biznesmenëve të cilët kanë jetuar para nesh. Prandaj libri është miku më i mirë i njeriut.

Nga ana tjetër nëse nuk ekziston lodhja për të arritur deri tek dituria që na nevojitet, si mund të ja dimë vlerën asaj ? Për një gjë që nuk lodhemi, vlerën e saj nuk e dimë.

“Interneti nuk e zëvendëson dot dijen e njeriut dhe kompjuteri nuk i zë dot vendin trurit.”- Ishte këshilla e Umberto Ecos drejtuar nipit të tij.

Teknologjia nuk na siguron kujtesën më të gjatë të fjalëve të urta, ngjarjeve apo historive por përkundrazi, shkurtimin e tyre. Nëse sot do ekzistonin lexuesit e të kaluarës, jam e bindur që prapë do zgjidhnin të njëjtën mënyrë të leximit, jo atë që kemi ne sot. Teknologjia mund të përparojë kudo, por vlera e librave do të mbetet e njëjta siç ka qenë gjithmonë.

Vlerë tjetër e librit për mua është se atë mund ta lexosh kudo dhe kur të duash ti, pra je ti ai që komandon ndërsa në rastin e librit elektronik është teknologjia ajo që të komandon ty.

Për nga këndvështrimi psiko-social libri sigurisht që ka më tepër impakt. P.sh,: Leximi i një drame apo komedie na jep emocion, qeshim kur lexojmë komedi dhe lotojmë kur lexojmë një dramë. Ndërkohë që mund të nënvizojmë ndonjë frazë, fragment domethënës ndërsa në librin elektronik nuk mund ta bëjmë atë.

Gjithashtu kur libri është hard copy e kemi më të lehtë edhe t’i referohemi, t’i tregojmë dikujt për një fragment, që na ka pëlqyer pasi mund t’i themi që të shkojë në filan faqe gjë që me librin elektronik e kemi pak më të vështirë, pra është më i lehtë për t’u menaxhuar. Për nga pikëpamja profesionale është e njëjta gjë, ne përdorim literaturën bazë, që bazohet pikërisht në librin, apo në gjuhën profesionale qoftë ky tekst shkollor apo tekst akademik. Kuptohet që këto tekste janë dhe në bibliotekën tonë personale.

Nëse do t’i referohemi përdorimit të teknologjisë, fokusuar rrjeteve sociale të tij, si: Facebook, Twitter etj, kuptohet që kohën time të lirë e shpenzoj duke lexuar libër, një roman. Përdorimi i këtyre rrjeteve nga unë shërben si një urë komunikimi me miqtë të cilët nuk mund t’i kemi pranë fizikisht në çdo moment dhe në çdo vend, edhe pse nëse do të flas në kuadër të kohës sime të lirë, por jo vetëm, nuk përdor internetin. Nëse do t’i referohem teknologjisë për leximin e një libri shkencor, apo artikulli shkencor, mund të themi që nuk ka ditë që nuk e përdor këtë teknologji, kuptohet nga Google apo website të tjera, për të vetmen arsye, sepse ka kosto më të ulët, qoftë financiare, qoftë kohë fizike.

Digjitalizimi ka topitur paksa inteligjencën aktive të rinisë, sepse përpunimi kibernetik e step kërkimin inteligjent në një farë mase! Libri nuk mund të zëvendësohet nga asgjë, as nga Wikipedia, sepse sado e thellë dhe e gjerë të jetë ajo nuk mundet të përfshijë as në mënyrë selektive tërësinë e krijimtarisë që shprehin librat.

Eco thotë se libri fizik është më i dashur se ai elektronik, ai ka emocione. Librat e vjetër, të zverdhur dhe të nënvizuar bartin kujtime të bukura. Libri elektronik gjatë leximit nuk të jep emocione, siç mund të ndodh me librin fizik që ka atë zhurmën e këndshme gjatë shfletimit. Personalisht unë kam libra që kanë 550 vjet vjetërsi dhe kam kujtime sa herë që i shfletoj, sepse i kam studiuar dhe nënvizuar. Eco gjithashtu thotë se ka një bibliotekë personale me 50000 libra të cilat n.q.s njerëzit do t’i kishin zhdukur librat unë do kisha qenë i lumtur, sepse ky numër i tyre do kishte qenë i barabartë me thesarin e Tutankamonit, ai ka gjetur dhe e ka blerë librin e Paracelsiusit të shek XVI.

Rëndësia e të dy këtyre mjeteve të komunikimit po ndryshon me kalimin e kohës dhe duket se janë në konkurrencë me njëri-tjetrin. Libri duke qenë një mjet tradicional tek i cili mund të marrim informacion është më i rëndësishëm dhe më vlerë për të gjithë ata, që janë kultivuar me ketë lloj mënyrë të informimit dhe të formimit intelektual. Nga ana tjetër epoka teknologjike me të gjitha format e saj të dhënies së informacionit, shpesh e sfidon librin për dhënien e një informimi më të shpejtë, më të detajuar dhe të pajisur me imazhe, çka e ndihmon lexuesin në momentin kur atij i duhet një informacion sipërfaqësor.

Po kështu ky lloj burimi është më i preferuar për grupmoshat më të reja, për ata që kulturën e leximit dhe informimit të tyre e kanë me bazë teknologjike dhe janë më të ambientuar në ketë formë, por gjithashtu mund të jetë profesioni, jetesa dhe puna e tyre që shpesh ua imponon ketë rrugë të marrjes së informacionit. Që të dy kanë rëndësinë e tyre, jo të vogël në formimin intelektual dhe shpirtëror të një individi, ndaj që të dy mendoj që janë të rëndësishëm si burime, ndonëse i duhet lënë kohës për të parë nëse prirja e përdorimit më të madh të internetit do të vazhdoje edhe në të ardhmen apo libri gjithsesi do jetë një konkurrent i fortë në çdo kohë.

Mos të harrojmë se teknologjia e re, e cila tashmë është e pranishme në jetën tonë dhe ajo që do të vijë nuk duhen konsideruar si armike, por përkundrazi duhet ta përdorim në mënyrë të tillë, që të kemi sa më shumë përfitime. Libri sot e 100 vjet nuk do zhduket, unë besoj fort në përcjelljen e dijes përmes shkrimit, që shumë gjenerata para nesh e kanë bërë. Si shembull duhet ta marrim edhe vetë Kuranin apo Biblën, që i kanë rezistuar kohës. Sa do që teknologjia të zhvillohet në të ardhmen, libri i shkruar do ketë vlerën e vet, sa do që të harrohemi tek tabletet dhe “celuraret e mençur”, përsëri do të kthehemi tek ajo që na bën të ndjehemi të gjallë në kulturë dhe në vlera të mirëfillta shoqërore.

“Duke qenë se ky është një përparim teknologjik, le ta edukojmë ne veten me këtë përparim,  dhe të mos lejojmë në asnjë mënyrë që ai të na edukoj ne!”

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com