Marrëdhënie

August 22, 2020 | 8:04

Nga Rudina Koromani / Kur qajnë burrat

Marrëdhënia në çift karakterizohet nga një ndërveprim dinamik dhe i vazhdueshëm mes dy njerëzve që komunikojnë në bazë të njohjes së thellë. Pikërisht ky aspekt, pra njohja e tjetrit, është elementi më kritik dhe emblematik i jetës në dy, e cila shpesh rezervon surpriza të pakëndshme.

Rudina Koromani, MSc Psikologji Klinike

Rudina Koromani, MSc Psikologji Klinike

Jepini hapësirë dashurisë

Gjatë ditës gjeni kohën dhe mënyrën për t’i thënë partnerit “të dua”. Mund të duket banale, por është e rëndësishme. Çfarëdolloj mënyre është e duhura: mjafton një lule, një përkëdhelje, një mendim i bukur, një telefonatë, një surprizë, e cila do ta bëjë njeriun e zemrës të rëndësishëm për ju. Në fund të fundit, rëndësi ka mendimi!

Jini koherentë

Dashuria, para së gjithash, duhet të tregohet me vepra, jo me fjalë. Të silleni në mënyrë koherente është një strategji që e shpëton marrëdhënien, nëse doni të evitoni kundërshtitë mes asaj që thuhet me fjalë dhe veprimeve të përditshme. Kujdes, t’i thoni partnerit “të dua” e më pas të mos jeni të pranishëm në momentet e rëndësishme dhe në vendimet që kanë rëndësi në jetën në çift, është njësoj si ta gënjeni paturpësisht atë.

Flisni hapur dhe ndershmërisht

Në situata ku keni mendime të ndryshme, kontrasti dhe konflikti, është e rëndësishme të përballeni qetësisht dhe të dëgjoni në heshtje, me respekt dhe empati edhe arsyet dhe këndvështrimet e partnerit, pa asnjë paragjykim, dhe sidomos me vetëdijen e plotë se në një debat askush nuk fiton, por humbisni të dy.

Nëse është e mundur, mos lejoni që të kalojnë më shumë se 24 orë nga debati, në mënyrë që të përpiqeni ta zgjidhni problemin ose ta kaloni sa më shpejt situatën konfliktuale. Po ashtu, duhet të keni parasysh se konfliktet, që janë mëse normale për një çift, mund të jenë një moment reflektimi, njohjeje të thellë të partnerit, përballjeje dhe për rrjedhojë edhe rritjeje dhe zhvillimi në çift.

Pranoni gabimet

Duket e lehtë, por jo të gjithë mund ta bëjnë, sepse të pranosh gabimet kërkon shumë përulësi, kurajë dhe sidomos inteligjencë sociale dhe emotive.

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 149

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top