Pika referimi

December 11, 2019 | 10:11

Nga Sheila Rexho: Dhjetor, më shumë se thjesht një muaj, një ndjesi

 

Ky dhjetor trokiti çuditshëm, duke mbartur frikën, pasigurinë dhe trishtimin e nëntorit, e atij fund nëntori, që na rishkundi sërish, kësaj here më fuqishëm, për të na rikujtuar se sa të vegjël jemi përpara të madhes TOKË.

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publike, Marketing, Gazetari

Sheila Rexho, bloggere, diplomuar për Marrëdhënie Publike, Marketing, Gazetari

Dhjetori hyri zbehtë, edhe pse qyteti ishte i veshur me drita, erdhi i heshtur, pa zërat e hareshëm të të vegjëlve në kopshte e shkolla, të cilat i gjeti të zbrazura.

Ky dhjetor erdhi thjesht ndryshe. Disa prej nesh i gjeti në arrati, ashtu të mpirë nga paniku, por të gjithëve bashkë me lutje e shpresë për pak qetësi…

Sot më shumë se kurrë le të ndiejmë gjithë magjinë e dhjetorit. T’i gëzohemi çdo zgjimi me energji pozitive, dëshirës për ta nisur ditën mbarë, me diellin brenda vetes dhe shpresën se kjo e sotme do të jetë e shkëlqyer.

Mëngjeseve t’i marrim ajrin, atë të ftohtin, të pastrin, tipikun dimëror, të ndiejmë aromën e fortë dhe shijen e këndshme të kafes së parë, asaj që oh sa shumë na nevojitet.

Të rrëmbejmë pak nga shkëlqimi i ditës, na bën mirë për të brendshmen, na mbush me optimizëm, se ja pra dalëngadalë arritëm drejt finishit të një tjetër viti… Të një viti që na lëkundi e na bëri të gjithëve të reflektojmë, por këtë dhjetor le të jemi të gjithë më të mirë, realisht më të mirë…

Në fundvit të gjithë na duken më të mirë, edhe ata që gjatë vitit i kemi njohur e kuptuar se cilët janë në të vërtetë, por unë i referohem këtij Dhjetorit ndryshe dhe dua të besoj që reflektimi individual i gjithsecilit do të përkthehet në ca gramë ekstra mirësie autentike e pa filtra… do të përhapet në ajër, sepse është dhjetor dhe Love and Magic is in the air.

Dhe le të jetë një dhjetor i artë, si qindra dritëzat vezulluese të pemës së Krishtlindjes, i ngrohtë si vera e ëmbël me kanellë, që të zgjon automatikisht shqisat e bashkë me to i shton ca grimca hareje brendësisë.

Le te jetë një dhjetor i kuq, si fjongot simbolike të festave, ato të cilat do të zbukurojnë e mbështjellin kutitë surprizë që do t’u dhurojmë të dashurve tanë.

Le të jetë një dhjetor, që brenda nesh të rizgjojë besimin e dikurshëm, atë të pafajshmin në mitin e Santës, teksa do i shkruajmë babagjyshit letrën bashkë me të vegjlit tanë. Seidi im mezi e pret këtë moment.

Le të besojmë në një dhjetor të bardhë, ashtu si manteli i dëborës që ka zbardhur ato destinacionet tona të preferuara këtë fundvit, e le të rrjedhë ashtu i paqtë, plot qetësi në shpirt e me zemrën plot.

Te jetë një dhjetor magjik, ashtu siç e përjetojnë fëmijët, të gëzohemi si ata teksa përgatisim biskotat e festave, të shijojmë ëmbëlsisht çokollatat tipike, panetonin tradicional pa e vrarë mendjen për kaloritë dhe të dehemi në energji të mirë nga vera, shampanja me të cilat do të trokasim gotat e do të bëjmë Gëzuar.

Dhjetor i ëmbli dhjetor, nuk je thjesht një muaj, je një ndjesi.

Gëzuar për festa të bukura, për kohë cilësore me njerëzit tuaj të preferuar, për mbledhjet e zhurmshme, ku e qeshura në grup është melodia e preferuar, ku nga kuzhina kundërmon era më e mirë në botë, për muzikën tipike dhe refrenin e të gjithëve “All I want for Christmas” , për qindra urime zemre që do dërgojmë e do marrim, për padurimin e datës 25 dhe ngazëllimin e të vegjëlve për të zbuluar se ç’ka lënë Santa këtë Krishtlindje poshtë pemës. Gëzuar për çdo mendim të vyer për të bërë dikë tjetër të buzëqeshë këtë sezon… për ditë të bukura me shumë dashuri!

Let’s make a December to remember!!!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top